Mustafa: Këtë javë procedohet demarkacioni, e kemi shansin e fundit

Politika

Mustafa: Këtë javë procedohet demarkacioni, e kemi shansin e fundit

Më: 1 mars 2017 Në ora: 09:48
Kryeministri i Republikës, Isa Mustafa gjatë mbledhjes së Qeverisë

(E plotësuar) - Kryeministri i Republikës, Isa Mustafa ka paralajmëruar se Marrëveshja e Demarakcionit me Malin e Zi pritet që këtyre ditëve të dërgohet në Kuvend.

“Këtë javë do të jetë raporti i Komisionit për Demarkacion”, kështu deklaroi Mustafa pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndryshe, kreu i ekzekutivit ka paralajmëruar se votimi i demarkacionit do t’i hap rrugës vendit që t’i hiqen vizat. Madje, për këtë ai ka marrë garanci edhe nga Bashkimi Evropian dhe ndërkombëtarët. 

“E kemi shansin e fundit e cila shans tani matet me muaj, me marsin eventualisht prillin, më vonë do ta kemi vështirë që këtë vit të realizojmë këtë të drejtë sepse disa vende të BE-së janë hy në zgjedhje dhe nuk merren më me Kosovën, do të thotë do të merren me punët e tyre të brendshme”, kishte deklaruar Mustafa.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur, ka miratuar propozim vendimin, me të cilin lejohet regjistrimi i qytetarëve të Kosovës, që figurojnë në regjistrat e gjendjes civile, por që ende nuk kanë marrë dokumente.

Ministrja për Dialog  Edita Tahiri, tha se qytetarët që aplikojnë për t’u pajisur me dokumente të Kosovës, duhet të disponojnë dokumentet e vjetra, që vërtetojnë identitetin e tyre.

Tahiri: Qytetarët t’i disponojnë dokumentet e vjetra

“ Lejohet pajisja me dokumentet e shtetësisë dhe gjendjes civile, për qytetarët që  figurojnë në regjistrat e gjendjes civile të Republikës së Kosovës, por që ende nuk i kanë marrë dokumentet e Kosovës. Dy,  me qëllim të realizimit të kësaj të drejte, qytetarët që aplikojnë për dokumente të shtetësisë dhe gjendjes civile dhe janë në regjistrin civil të Kosovës, duhet të disponojnë me dokumente të vjetra, që vërtetojnë identitetin e tyre, në pajtim me legjislacionin në fuqi të republikës së Kosovës. tre, obligohet MPB për zbatimin e këtij vendimi dhe katër, vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”, tha ajo.

E ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ngriti çështjen e funksionimit të Zyrës së Veteranëve të UÇK-së,  pranë zyrës së kryeministrit, në të cilën tha se duhet të punësohet dy persona, për t’i pajisur veteranët me vërtetime, për aplikim për pensione.

Abrashi: Të funksionalizohet zyra, për t’i pajisur veteranët me vërtetime për pension

"Po e ngriti një çështje si parapërgatitje për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.Ka të bëjë me funksionimin e zyrës së veteranëve të UÇK-së pranë Zyrës së kryeministrit, përkatësisht angazhimin e dy personave së paku për punë specifike, kontratë të veçantë,  përmes së cilës këta persona do të bënin lëshimin e vërtetimeve për aplikimin e veteranëve për pensione. Kjo zyrë dhe këta persona që kanë punua,r këta zyrtarë,  këto kontrata të veçanta janë ndërprerë me rastin e dorëzimit të emrave dhe punës së komisionit. Prandaj një numër i veteranëve kanë mbetur pa marrë vërtetime. Nëse mund të përgatisim një vendim për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, që të hapet rrugë angazhimit apo punësimit të këtyre dy -tre personave, në mënyrë që edhe ata veteranë që nuk kanë marrë vërtetime, t’i marrin dhe të aplikojë në për pensione", tha ai.

E kryeministri i vendit Isa Mustafa tha se ky proces duhet të përmbyllet brenda dy- tre muajve

Mustafa: Brenda dy- tre muajve të përmbyllet ky proces

“Për mbledhjen e ardhshme do të përgatitet një propozim, për dy muaj apo tre muaj ta përmbyllim këtë proces”, tha kryeministri Mustafa.

E ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani e informoi  kabinetin qeveritar rreth Bordit të Shërbimit Spitalor Universitar, të cilit tashmë  i ka skaduar mandati.

Rrahmani: Ose t’ia vazhdojmë mandatin, ose ta formojmë Bordin e ri

“Me datën 29 janar  të vitit 2017, i ka skaduar mandati këtij bordi dhe ne e kemi informuar Qeverinë që Bordit i skadon mandati dhe kemi filluar ndërkohë edhe konsultimet me institucionet shëndetësor,  por dhe institucionet, zyrat ligjore që të gjejnë formën, modalitetin ose të vazhdojnë mandatin e këtij bordi, për një kohë të caktuar, ose të bëjmë emërimin e bordit të ri. Kështu që dilemat që janë ngritur qoftë dhe në opinion ne jemi duke i adresuar dhe shumë shpejtë do të vijmë me propozim posa ti marrim propozimet nga institucionet përkatëse”, tha ai.

E kryeministri Isa Mustafa tha se duhet të veprohet më shpejt, në mënyrë që të zgjidhet bordi i QKUK-së.

Mustafa: Të veprojmë më shpejt

“Ne duhet të veprojmë më shpejt, në qoftë se zyra ligjore gjen hapësirë me shty, ata po thonë që jo, për me zgjat mandatin e bordit. Në qoftë se jo, atëherë duhet të vijmë shumë shpejt me propozime, në mënyrë që të zgjidhet bordi. Vetëm të përgatiten propozimet sipas përfaqësimit, që kanë institucionet shëndetësore”, tha ai.

Qeveria po ashtu miratoi edhe Nismën  për negocimin  e marrëveshjes për financimin  e projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport, ndërmjet Kosovës dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim.

Ministri Avdullah Hoti tha se realizimi i projektit në fjalë do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve dhe  shërbimet që eksportohen nga tregu i Kosovës, në tregun e jashtëm dhe se kushtet e kësaj marrëveshje janë mjaftë të favorshme.

Hoti: Do të mbështeten produktet për tregje eksporti

“Marrëveshja në fjalë ka një vlerë totale prej 14.5 milionë euro, me normë efektive vjetore të interesit 1.14 për qind, me grejs periudhë pesë vite dhe periudhë të kthimit 20 vite. Përmes këtij projekti do të mbështetet certifikimi i produkteve për tregje eksporti dhe përforcimi i kapaciteteve të kompanive me orientim kah eksporti”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat