Komandant “Luli” synon majën, postin kryesor të shtetit!

Politika

Komandant “Luli” synon majën, postin kryesor të shtetit!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 28 shkurt 2017 Në ora: 08:22
Kryetari i PDK-së Kadri Veseli

“Sikur çdo parti që ka kandidatin e vet për kryeministër, sigurisht edhe Partia Demokratike e ka kandidatin e vet, normalisht kur do të ketë zgjedhje, atëherë zotëri Veseli do të jetë kandidati i PDK-së, edhe pse ende në instancat e Partisë ende nuk është diskutuar, por besoj që një gjë e tillë është e qartë dhe kandidati i vetëm për kryeministër nga PDK do të jetë ai”, thekson deputeti Zogaj.

I njohur gjatë luftës me nofkën e tij, si komandant “Luli”, Kadri Veseli, pas zgjedhjes së tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës, dhe më pas edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ish udhëheqësi i Shërbimit Inteligjent të Kosovës (SHIK), synon që të marrë edhe postin kryesor në skenën politike në Kosovë, atë të Kryeministrit.

Ditëve të fundit, ka shumë sinjale qe vendi mund të shkoj në zgjedhje të parakohshme dhe kjo ka bërë që të nisin edhe shpalosjet e kandidaturave të ndryshme për postet shtetërore.

Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovë, theksojnë se në rast zgjedhjesh, kurdo që të mbahen ato, atëherë padyshim që kandidati i tyre për kryeministër do të jetë Kadri Veseli.

PDK: Kadri Veseli, kandidat për kryeministër

Deputeti i kësaj partie, Bislim Zogaj, për gazetën “Bota sot”, thotë se edhe pse një gjë e tillë nuk është diskutuar në instancat më të larta të Partisë, kjo gjë është e qartë dhe se Veseli do të jetë kandidat për Kryeministër nga PDK-ja.

“Sikur çdo parti që ka kandidatin e vet për kryeministër, sigurisht edhe Partia Demokratike e ka kandidatin e vet, normalisht kur do të ketë zgjedhje, atëherë zotëri Veseli do të jetë kandidati i PDK-së, edhe pse ende në instancat e Partisë ende nuk është diskutuar, por besoj që një gjë e tillë është e qartë dhe kandidati i vetëm për kryeministër nga PDK do të jetë ai”, thekson deputeti Zogaj.

Por, edhe pse presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është zgjedhur nga radhët e PDK-së, Zogaj konsideron se kjo gjë nuk do ta pengoj PDK-në që ta kërkoj edhe postin e kryeministrit, duke konsideruar se tema për presidentin tashmë është e tejkaluar dhe se Thaçi nuk është më anëtar i PDK-së.

“Mendoj se tema për presidentin Thaçi tashmë është e tejkaluar, sepse tashmë Hashim Thaçi nuk më anëtarë i Partisë Demokratike, tash ai është president i shtetit. Normalisht që çdo parti në zgjedhje ajo del për me i fitu zgjedhjet dhe ta ketë kryeministrin e vet, e kështu edhe Partia Demokratike synon që ti fitoj zgjedhjet dhe pasi ti fitoi zgjedhjet kandidati i vetëm për kryeministër duhet të jetë kryetari i Partisë, gjegjësisht Kadri Veseli”, thekson deputeti nga radhët e PDK-së, Bislim Zogaj.

Rivalët e mëdhenj LDK-PDK

Por e kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, konsideron se edhe pse janë në koalicion me PDK-në, ata ende janë rivalët me të mëdhenj të LDK-së.

“Se a përgatiten për zgjedhje është çështje e tyre, dhe nëse e kanë kandidat për kryeministër Kadri Veselin. Kësaj radhe jemi në koalicion me PDK-në, por jemi ende rivalë kryesorë LDK-PDK, pra ata mbeten rivali kryesor për ne”, thotë deputetja Gaxherri.

Duke komentuar kandidaturën e mundshme të Veselit për kryeministër, ajo thotë se një emër i tillë nuk do të ishte i mirë për Kosovën.

“Unë kam deklaruar dhe gjithmonë do të deklaroj dhe konsideroj sikur Zotëri Veseli edhe shumë zyrtarë tjerë të PDK-së, ka hipoteka të ndryshme të cilat ne shpesh i kemi ngrit dhe konsideroj se emra të tillë nuk janë të mirë për Kosovën, por sidoqoftë ajo nuk varet prej neve, ajo është një parti tjetër dhe ka strategjitë e veta”, thotë ajo.

Gaxherri: Nuk do ta votoj Veselin

E pyetur se a do ta votonte Kadri Veselin,  për kryeministër ajo u përgjigj se nuk do ta bënte një gjë të tillë, duke shtuar se qëndrimi i saj tashmë dihet, duke shtuar se LDK-ja duhet të punoj që Veselit mos me i ardh rendi me qenë kandiat për me u vetou për kryeministër.

“Unë uroj shumë që ne si LDK me dal partia e parë e pastaj me diskutuar diçka tjetër, se a do ta votojmë a s’do ta votojmë zotin Veseli. Unë personalisht jo nuk e kisha votuar, qëndrimi im është publik, nuk ia vlen, por ky nuk është qëndrim i LDK-së. Ne si LDK duhet me punuar shumë që mos me i ardh atij vendi me qenë kandidat për me u votuar për kryeministër”, thekson për gazetën “Bota sot”, Besa Gaxherri.

“Por nëse PDK-ja vërtetë po shesh aso ëndrra duhet me ditë që ë kanë presidentin nga PDK-ja, dhe në bazë të Kushtetutës duhet me pas gjithsesi partia e parë kryetarin e Kuvendit, e ne qoftë se pretendon me pas edhe kryeministrin është krejtësisht e pamundshme, kështu që për kryeministër eventualisht që PDK-ja mendon që mundet me dal partia e parë nuk mundet me pas kryeministrin”, përfundon Gaxherri.

Akuzat e rënda ndaj SHIK-ut

Ndërsa, për analistin Rexhep Shahu, Kadri Veseli nuk mund të jetë kryeministër, përderisa mbi shërbimin sekret që ai ka udhëhequr ka akuza të rënda.

“Nuk do ta uroja kurrë qe Kosova te ketë kryeministër Kadri Veselin. Për arsyen e vetme se vjen nga shërbimi sekret i cili ka mbi supe akuza te shumta te renda. Një kryeministër i tille do ta për këtë shkak do ta largonte shekuj larg profilin civil, qytetar e politik te kryeministrit. Personalisht nuk di asgjë për Veselin, por autoritet moral për ta veshe kostumin kryeministror ai nuk ka derisa te lahet plotësisht shërbimi sekret i Veselit para popullit te Kosovës”, thotë Shahu.

Ai më tej shton se me drejtues të tillë fyhet inteligjenca e Kosovës dhe pengohet ardhmëria e saj.

“Shërbimi sekret i Veselit dhe gjithë komandantëve qe luftuan për pushtet. Me komandantë analfabetë funksionale qe thirren në luftë për me mbuluar paaftësinë nuk mund te drejtohet Kosova. Me drejtues te tille fyhet inteligjenca e Kosovës dhe pengohet ardhmëria e saj”, theksoi për gazetën “Bota sot”, analisti Rexhep Shahu./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat