Stuhia që mund të shkaktoi Specialja, rrezik për përshkallëzim të situatës

Politika

Stuhia që mund të shkaktoi Specialja, rrezik për përshkallëzim të situatës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 shkurt 2017 Në ora: 11:24
Foto ilustrim

Gjykata Speciale tashmë ka filluar punën e saj, dhe gjatë muajit mars pritet të ngritë aktakuzat e para ndaj personave të cilët dyshohen që kanë kryer krime të gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Situata e rënë e krijuar viteve të fundit mes pozitës dhe opozitës, bën që akuzat dhe arrestimet që do t’i bëj kjo gjykatë mund të nxisin përshkallëzimin e situatës në Kosovë.

Sipas njohësve të çështjes politike, persona të ndryshëm për t’i shpëtuar kokat e tyre kanë deponuar dosje për njëri tjetrin tek Gjykata Speciale.  

Njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi ka pohuar,  se  Gjykata Speciale shumë shpejti do t’ia fillojë punës, dhe bazë e parë do të jenë aktakuzat që do të i publikojë Prokuroria. 

Sipas tij, duke marrë për bazë informacionet e ndryshme, ku thuhet,  se do të akuzohen kryesisht udhëheqësit aktualë, që vijnë nga UÇK -ja, ka mundësi që të ketë gjendje lëvizëse nga anëtarët dhe simpatizantët e partive politike.

“E gjithë kjo varet, se kush do të akuzohet, si dhe do të varet shumë se çfarë masash  do të merren kundër kriminelëve serb. Po ashtu,  varet se si do të reagojë faktori ndërkombëtarë,  kundruall tre kriminelëve serb, atij të kryetarit të shtetit serb, të kryeministrit dhe ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç. Por, mbi të gjitha do të varet, se si do të trajtohet vetë subjekti ushtarak, përkatësisht UÇK-ja. Dhe nga këta faktorë do të varen veprimet e masave popullore në Kosovë. Pra,  priten veprime në formë të protestave dhe të demonstratave nga populli.  E kjo,  natyrisht se është shumë e pritshme, për vet faktin se vetëm shqiptarët do të akuzohen, ndërsa kriminelet serb, mbesin të lirë. Kjo do të rritë njëherësh edhe pakënaqësinë e popullit shqiptar, është shprehur njohësi i çështjeve juridike Kelmendi.

“Tradhtia”, brenda llojit

Ndërsa, Haki Abazi, njohësi i çështjeve politike si dhe drejtori i Fondacionit “Rockefeller Brothers” për Ballkanin Perëndimor, ka vlerësuar, se Gjykata Speciale është padrejtë për vetë faktin si është formuar dhe se si është pranuar, prandaj edhe është vonë për të diskutuar. 

Sipas tij, Gjykata Speciale do të veprojë dhe do të kapë njerëzit për të cilët ka dosje, që në fakt po duket se ata veç i kanë dhënë për njëri-tjetrin, duke tentuar ti shpëtojnë kokat e tyre.

“Gjykata Speciale është një luftë përbrenda klanit dhe pas tronditjes që do të shkaktojë, ajo do të ketë nevojë për një Qeveri teknike që e përgadit vendin për të dalë nga kjo krizë politike, qeveritare dhe parlamentare e kushtetuese. Kosova ka nevojë për një rinisje për shtetndërtim pa krim e korrupcion dhe pa kontrollë të politikës ndaj sektorit privat dhe atij të gjyqësorit. Gjykata nuk do të kryejë punën e drejtësisë, por mund të jetë një shans i mirë për të filluar mbarë. Pra të gjithë miqtë tanë janë të shokuar nga situata e keqe, nga stagnimi dhe ajo çfarë i ka ndodhur Kosovës. Ata nuk e thonë hapur, sepse nuk është puna e tyre,  por zhgënjimi është shumë i madh”, ka thënë Haki Abazi.

Por, sipas analistit politik Blerim Burjani,  nuk do të ketë përshkallzime të gjendjes së sigurisë, pasi pritet që të ketë një stuhi të fuqishme ndaj subjekteve pozitare dhe opozitare. Sipas të njëjtit, në veçanti do të goditet PDK-ja, subjekt ky i cili më së shumti ka probleme me Gjykatat e rregullta në shtetin e Kosovës.

“PDK-ja ka probleme me lëndë dhe ligje dhe partitë opozitare, si të tilla një pjesë e njerëzve të këtyre subjekteve pritet të ballafaqohen edhe me Gjykatën Speciale. Klima nuk është e favorshme për zgjedhje në këtë vit, duke pas parasysh probleme të mëdha që ka në Kosovë me papunësi dhe problemi i lëvizjes së lirë ende nuk ka shenja serioze se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm. Pra, ambienti politik është mjaf i zymtë në vend dhe kështu nuk ka ambient për zgjedhje në kushte normale dhe në këtë vit mendohet në ato nacionale,” është shprehur Burjani.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Islam Krasniqi ka thënë,  se një pjesë e qytetarëve do të jenë shumë të dëshpëruar, ku mund edhe të përshkallëzohet situata.  

“Nëse ndalemi dhe shikojmë një pjesë tjetër e cila është lodhur nga kjo gjendje dhe me padurim e pretë fillimin e kësaj Gjykate, atëherë ajo do të sjellë një stuhi të fuqishme në skenën politike, ku do të përqendrohet më shumë ne priesit e luftës të cilët janë pjesë e opozitës.Kjo gjykatë ka ardhur me vetë kërkesën e institucioneve tona apo Qeverisë sonë, dhe ku me ditë së çfarë pazari është bërë nga ajo.Gjithçka është e mundur, sepse populli është mërzitur dhe lodhur, dhe për një moment mund të ngritet në këmbë si valët e detit, sepse janë lodhur nga kjo klasë politike, nga BE-ja, e cila po i diskriminon çdo ditë e me shumë, dhe për atë arsye mund të përshkallëzoje situata në vend”, ka thënë Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat