Radikalizmi islamik në Kosovë ka ardhur bashkë me shërbimet e spiunazhit

Politika

Radikalizmi islamik në Kosovë ka ardhur bashkë me shërbimet e spiunazhit

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 10:55
Pamje nga punimet e Samitit të komisioneve të Punëve të Jashtme i parlamenteve të vendeve të Evropës

(E plotësuar) - Radikalizmi islamik në Kosovë ka buruar pas luftës në Kosovë dhe elemente të kësaj dukurie negative i kanë sjellë organizatat e huaja të spiunazhit për ta dëmtuar imazhin e Kosovës në botë.

Kështu thanë disa nga folësit në Samitin e Komisioneve për punë të jashtme të Parlamenteve të Evropës që dy ditë radhazi është mbajtur në Prishtinë.

Më i ashpër gjatë fjalës së tij ishte deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, i cili është edhe kryetar i komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së në Kuvendin e Kosovës.

 Haradinaj tha se radikalizmi islamik ka ardhur pas luftës  me qëllime politike për ta dëmtuar imazhin e Kosovës.

Por, për ta luftuar këtë dukuri sipas Haradinajt duhet të votohet Ligji mbi Fetë i cili i sanksionon në mënyrë ekstreme të gjitha veprat terroriste.

E, për këtë kërkohet edhe përkrahje nga komuniteti  serb pasi që ata  janë pjesë e këtij vendi.

Haradinaj: Radikalizmi islamik  në Kosovë ka buruar pas luftës

“Radikalizmi islamik në Kosovë ka buruar pas luftës, para luftës as nuk është njoftë çka nënkupton radikalizmi islamik. Nuk e kemi pasur as idenë çka është radikalizmi islamik, në të kaluarën e kemi quajtur islamin tradicional. Nuk ka pasur dallime fetare dhe as sot nuk ka dallime fetare, nuk ka pasur paragjykime. Mendoj, që sponzorizimi nga jashtë ka ndikuar për shkak të situatës ekomomike në Kosovë, për shkak të mungesës së perspektivës, për shkak të mungesës së lirë në Evropë”, tha Haradinaj.

Ai ishte kritik edhe ndaj Bashkimit Evropian se Kosovës ia ka qitur kusht demarkacionin ndërkohë që janë edhe shtatë raste në ish-Jugosllavi që nuk e kanë përmbyllur demarkacionin.

Haradinaj: Evropa na qet kushte për viza

“Evropa i qet kushte Kosovës për demarkacion, i kemi shtatë raste në Jugosllavi që ende nuk e kanë përmbyllur demarkacionin. Dhe të gjitha ato shtete janë të NATO-së dhe BE-së. Ndërkaq, Kosovës padrejtësisht i kërkohet një kusht për humbje të territorit. E kemi kodin e procedurës penale që i sanksionon në mënyrë ekstreme secilat vepra terroriste. Por, nuk e kemi asnjë rast terrorist në kategori fetare në Kosovë. I kemi të arrestuar 120 persona të gjithë janë klerikë fetar që e kanë prediku  islamin radikal, i kemi të kthyer në Kosovë 38 shtetasë dhe të gjithë janë para drejtësisë...Unë, mendoj që kjo më shumë ka bazë politike për me dëmtuar imazhin e Kosovës, sesa që ka materie”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ambasadori i OSBE-së  në Kosovë, Jan Braathu kërkoi nga secili individ ta luftojë radikalizmin dhe terrorizmin. Sipas tij, nuk mjafton vetëm fuqizimi i ligjeve ta largojë këtë dukuri, kontributi më i madh vjen nga  vet individët.

Ai tha se është i nevojshëm komunikimi në mes të nivelit lokal dhe qendror për të luftuar terrorizmin, pasi që pothuajse gjysma e popullsisë jetojnë nëpër fshatra. Deputetja e PDK-së Flora Brovina tha se  radikalizmi në Kosovë ka ardhur së bashku me shërbimet e spinuazhit.

Brovina deklaroi se historia e fesë së Kosovës është ndryshe nga ajo që Evropa e percepton.

Sipas saj, familjet e Kosovës janë të përziera sa iu përket përkatësisë fetare dhe se toleranca është e madhe.

Brovina: Radikalizmi ka ardhur së bashku me shërbimet e spiunazhit

“Ky radikalizëm kujtoj unë ka ardhur së bashku me shërbimet e spiunazhit ndërkombëtarë që ndodhet këtu. Ne nuk kemi forcë për t’i kontrolluar këto, por jam shumë e sigurt që kanë ardhur me qëllime ta destabilizojnë situatën në Kosovë. Dhe të etiketojnë popullin i cili fitoi me mund e me gjak lirinë e vet. Duke përkrahur organet kombëtare sigurisht pa asnjë dallim dhe të ngec kështu si ka ngecur vendi ynë kështu siç ka ngecur. Këtu ishte e tërë Evropa, pse nuk e kontrollonte radikalizmin. Pse ne kur e kishim krejt Evropën këtu   nuk arritëm të jem të parët të kyçur në BE”, tha Brovina.

Ndërsa nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti deklaroi se nuk ka pasur përplasje  në mes të kosovarëve dhe serbëve sa iu përket feve të tyre.

Sipas tij, shteti i Kosovës ka arritur në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe shpesh ato që thuhen në gazeta të huaja, nuk janë të vërteta.

Haliti: Nuk ka pasur asnjë rast të përplasjeve fetare në mes të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës

“Kosova ka të arritur në këtë aspekt për shkak se ka hartuar një ligj i cili dënon mjaft ashpër ata që marrin pjesë në këtë. Ne jemi në rrugë që të miratojmë edhe Ligjin mbi Fetë, i cili do ta kufizojë mundësinë e predikimit të radikalizmit në xhami apo në kishë, apo kudo qoftë. Ne kemi proklamuar edhe në Shqipërisë dhe në Kosovë nuk ka pasur asnjë rast të përplasjeve në mes feve të ndryshme. Informatat sipas gazetave nganjëherë janë të rrejshme, nuk  janë të vërteta dhe krijojnë shqetësime të panevojshme në raport me Kosovën. Kemi pasur artikuj edhe në ‘New York Times’ edhe në gazetat e Evropës, të cilat e kanë baltosur Kosovën dhe njerëzit që e udhëheqin Kosovën. Na kanë quajtur kanibal, në qoftë se akuzat që i ka bërë Dick Martyt janë të vërteta, atëherë nuk do të ishim këtu ulur. Nuk ka pasur kurrë as në kohën e luftës as pas luftës lëvizje që janë marr me transplantim tà « organeve. Prandaj, mendoj që propaganda është e madhe dhe qëllimkëqija në raport me ekstremizmit që i faturojnë në Kosovë”, deklaroi Haliti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha se lufta e terrorizmit dhe radikalizmit duhet të shikohet si problem negativ për të gjithë botën dhe si anë pozitive duhet të jetë bashkëpunimi rajonal për të luftuar këto dukuri.

Në samitin që ka nisur dje në Prishtinë kanë marrë pjesë përfaqësues të disa shteteve të Evropës dhe Ballkanit.

Ambasadori i OSBE-së: Secili individ duhet ta luftojë radikalizmin

Po mbahet sot dita e dytë e Samitit të komisioneve të Punëve të Jashtme i parlamenteve të vendeve të Evropës, me temë ‘lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon’.

Në te po marrin pjesë kryetarë e pjesëtarë të Komisioneve të vendeve të ndryshme, ministra, deputetë nga vendi, etj.

Valon Murtezaj, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, tha se e rëndësishme për vendin është që të kemi fqinjësi të mirë me vendet e rajonit. Ndërkohë duke treguar për statistikat e popullatës së Kosovës, që ka mbi 50% të rijnë, Murtezaj tha se është e dhimbshme se si ata e kanë të pamundur lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Duke folur edhe për temën e ditës së sotme në Samit, ai tha se me zhvillimet e fundit po shihen edhe veprimet destruktive nga ana e Rusisë.
Murtezaj ka folur edhe për vëmendjen dhe gatishmërinë që tregon Kosova në luftën kundër terrorizmit.

“Kosova është pjesë e organizatës ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe e rëndësishmja është që tash nuk ka asnjë pjesëtarë të Kosovës të përfshirë në organizata terroriste”, ka thënë zv. ministri i Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, zëvendës kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se në luftën kundër terrorizmit, që është problem negativ për gjithë botën, duhet të shohim edhe anën pozitive e që është bashkëpunimi rajonal që po ndodh me qëllimin që ta çrrënjos këtë problem.

“Kemi nevojë të kemi masa preventive si në shkolla, media, për ta luftuar radikalizmin dhe të kemi bashkëpunim, sepse kemi mungesa të pikave të referencave të bashkëpunimit. Kemi mungese të bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare dhe kjo po krijon hendek tek ne. Jam i bindur që do të jemi të kujdesshëm për luftimin e këtyre dukurive duke mos i harruar të drejtat kushtetuese për praktikat fetare. Kosova ka orientim properëndimor.”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, në fjalën e tij në Samitin e sotëm tha se duhet të gjendet një përgjigje e mirë për luftimin e këtyre dukurive që po shqetësojnë botën.

“Politika e mirë dhe realizimi i saj mund të ndihmojë në këtë aspekt, nuk do të thotë se vetëm fuqizimi i ligjeve mund ta largojë këtë, duhet edhe shoqëria civile të kontribuoj. Secili individ duhet ta luftojë radikalizmi. Puna jonë është të mbështesim qeverinë kundër kësaj dukurie”, tha Braathu.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë tha se janë organizuar forume vetëdijësuese në nivel lokal dhe qendror, ngase, sipas tij, më e rëndësishme është se 65% e popullatës nuk jetojnë në Prishtinë por në fshatra, prandaj nevojiten forumet në vende lokale.

Për këtë arsye, Braathu tha se duhet të ketë komunikim të mirë në mes nivelit lokal dhe qendror që të kemi bashkëpunim ne luftën kundër terrorizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat