Marsi i "nxehtë", paralajmërohen "konflikte" të reja politike në Kosovë

Politika

Marsi i "nxehtë", paralajmërohen "konflikte" të reja politike në Kosovë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 20 shkurt 2017 Në ora: 13:23
Qeveria e Kosovës

“Veç kësaj do të vazhdohet me Asociacion. Edhe këtu do të ketë konflikte. Në anën tjetër, vendi ka probleme të mëdha. Papunësia e madhe dhe gjendja e rëndë, sikurse problemet në shëndetësi dhe çështjet sociale, ndikojnë dukshëm në konflikte. E tërë kjo do të përcillet me diskutime dhe me marrëveshje me palën serbe, kuptohet pa reciprocitet”, ka theksuar Kelmendi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës Sadri Ferati, duke u përgjigjur zërave për një prishje të mundshme të koalicionit qeverisës LDK-PDK, ka deklaruar se është herët për të dhënë konkludime.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Ferati ka paralajmëruar se muaji mars do të jetë dinamik e interesant, duke thënë se do të ketë shumë zhvillime.

“Muaji mars do të jetë muaji dinamik dhe interesant sa i përket shumë zhvillimeve duke e përfshirë edhe këtë çështje”, ka thënë deputeti i LDK-së Sadri Ferati.

Marsi, vendimtar për demarkacionin e liberalizimin

I pyetur nga gazeta se për çfarë zhvillimesh e ka pasur fjalën ai dhe nëse paralajmërimi i tij ka bëjë edhe me aktuakuzat e para të Gjykatës Sepciale, Ferati ka mohuar një gjë të tillë.

Por, ai ka theksuar se muaji mars më shumë do të lidhet sa i përket çështjes së Demarkacionit dhe presionit për formimin e Asociacionit, si dhe liberalizimin e vizave.

“Marsi do të jetë përfundimtar dhe do të dihet nëse Kosova do të ketë liberalizim apo jo. Përfundimisht Kosova duhet ta thotë vendimin e saj përsa i përket Demarkacionit, dhe pastaj si rezultat çka do të ndodhë me liberalizimin e vizave”, është shprehur deputeti Sadri Ferati.

Presioni serb

Ai ka paralajmëruar se njëkohësisht presioni i serbëve gjatë këtij muaji do të jetë shumë i madh që të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

“Kjo është ajo dinamika për të cilën e kam pasur fjalën”, ka përfunduar deputeti i LDK-së Sadri Ferati.

Duke komentuar deklaratën e Feratit, analisti politik, njëherit anëtar i kryesisë së AAK-së Muhamet Kelmendi, ka thënë se jo vetëm në mars, por edhe para e sidomos pas tij, do të ketë zhvillime interesante.

Paralajmërohen kundërshtime të ashpra pozitë-opozitë

Ai ka theksuar se ajo do të fillojë me risjelljen e Demarkacionit në Kuvend.

“Tash, pasi gjoja komisioni i famshëm i Qeverisë me Hivzi Islamin, e “matën” Kosovën dhe natyrisht falë elementeve, do të vërtetohet se nuk ka pasur fare shkelje, në përcaktimin e demarkacionit dhe marrëveshja do të kalojë në Kuvend. Këndej do të ketë thyerja të ashpra. Pozita e injoroi opozitën. Ajo zgjodhi rrugën pa krye dhe e caktoi një komision të pa përgatitur për matje, gjë që tregon se nuk ka qëllim kjo pozitë për të zgjidhur çështjen”, është shprehur Kelmendi për “Bota sot”.

Tutja ai ka paralajmëruar se kundërshtimet ndërmjet palëve do të jenë të ashpra.

“Veç kësaj do të vazhdohet me Asociacion. Edhe këtu do të ketë konflikte. Në anën tjetër, vendi ka probleme të mëdha. Papunësia e madhe dhe gjendja e rëndë, sikurse problemet në shëndetësi dhe çështjet sociale, ndikojnë dukshëm në konflikte. E tërë kjo do të përcillet me diskutime dhe me marrëveshje me palën serbe, kuptohet pa reciprocitet”, ka theksuar Muhamet Kelmendi, derisa ka shtuar se e gjithë kjo do të shpie në zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e parakoshme shumë afër

Ndërsa, sipas analistit tjetër Islam Kransiqi, deklarata e deputetit Ferati, tregon se zgjedhjet janë shumë afër.

Ai ka theksuar se e gjithë kjo dinamikë, mund të lidhet edhe me veprimin e Gjykatës Speciale, e cila siç është raportuar në muajin mars do të fillojë me akuzat e para.

“Gjykata do të sjellë një furtunë të fuqishme në skenën politike. Qeverinë po e mban në këmbë ende Demarkacioni dhe Asociacioni. Demarkacioni pritet që së shpejti të kalojë në Kuvend për ratifikim, dhe nëse përsëri nuk kalon, atëherë pritet të bie edhe Qeveria, sepse e ka humbur edhe mbështetjen brenda vet koalicionit, gjegjësisht deputetëve të saj”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Marsi i ‘nxehtë’ i Speciales

Të gjitha këto, sipas tij, janë të lidhur ngushtë edhe me Gjykatën Speciale, ndërsa para saj, pritet të mbahen zgjedhjet, me qëllim që të fuqizohet Qeveria.

“Kjo me qëllim që z.Veseli të jetë mandatar i Qeverisë. Kjo mund të jetë e vërteta e marsit, sepse Gjykata Speciale na ka ardhur dhuratë nga vet liderët tan dhe askush nuk e din pazarin që është bërë me të. Zgjedhjet do të mbahen në mars, ku do të fitojë PDK-ja dhe dy njerëzit më të përfolur, Thaçi dhe Veseli, në mënyrë që të jenë të paprekshëm nga kjo gjykatë”, ka përfunduar Islam Krasniqi./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat