Mustafa: Amerikës gjithmonë i kemi besuar, pse të mos i besojmë edhe për demarkacionin

Politika

Mustafa: Amerikës gjithmonë i kemi besuar, pse të mos i besojmë edhe për demarkacionin

Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 14:13
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, iu është drejtuar qytetarëve të vendit në raport me demarkacionin me Malin e Zi.

Mustafa thotë se problemet e vendit nuk zgjidhen duke u pozicionuar në istikame politike e as duke ndjellë gaz lotsjellës në Kuvend.

Sipas tij, është mirë të mendojmë thellë e arsyeshëm, të vejmë në shërbim logjikën shtetërore para se të japim deklarata.

“Qeveria dhe institucionet e shtetit kanë bërë përpjekje që në të gjitha kundërshtimet e opozitës për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi të bëjë edhe një hap për të ofruar argumente se Kosova nuk po humb territor. Nga Presidentja Jahjaga është themeluar Komisioni Ndërkombëtar i cili ka përfunduar se kufijtë me Malin e Zi janë ata që kanë qenë edhe më parë, se nuk ka ndryshim të vijës kufitare”, thekson Mustafa.

Kreu i ekzekutivit përmend edhe deklaratën e Departamentit të Shtetit amerikan, i cili, siç thotë Mustafa, “pasi ka analizuar gjendjen, ka deklaruar se kufijtë janë në suaza të atyre që është njohur pavarësia e Republikës së Kosovës”.

“Në të gjitha rastet qytetarët e Kosovës u kanë besuar SHBA-ve; ato na u gjetën në momentet më të vështira kur ishte rreziku të zhbëhet populli ynë; shtrohet pyetja pse sot dikush të mos u besoj?!”, pyet Mustafa.

Ndërkaq, thotë se tani janë duke i pritur rezultatet edhe të një komisioni të themeluar nga Qeveria “për të vërtetuar se sa është territori i Republikës së Kosovës, përkatësisht se a ka ndryshim të territorit pas gushtit të vitit 2015, kur është nënshkruar Marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”.

“Kufiri përcaktohet me argument, jo me pozicionime politike e as me gaz lotsjellës të cilin dikush po e ndjell. Gazin mund t’ia hedhim vetes tonë, sikurse edhe bllokimin, por kufirin nuk e ndryshojmë as me njërën e as me tjetrën. Prandaj duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kemi të bëjmë me interesin e qytetarëve tanë, të të gjithë vendit. Me shënimin e vijës kufitare nuk do të lejohet të humb askush tokë por as nuk do ti epet askujt tokë, të cilën nuk e ka administruar Kosova në kohën kur ka shpallur pavarësinë. Është Deklarata e Pavarësisë ajo që rregullon territorin që përkufizon Kosovën”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Si pjesëtarë të institucioneve të Kosovës, të gjithë ne, thotë Mustafa, kemi përgjegjësi për shtetin tonë, për qytetarët e Kosovës. “Kemi përgjegjësi edhe për interesat strategjike të vendit, që ndërlidhen me integrimet euroatlantike. Nuk ka asnjë arsye, që kur është interesi i vendit, të mos jemi unikë dhe të ndërgjegjshëm”.

“Zgjidhja më e keqe dhe më e dëmshme është t’i mbajmë qytetarët e izoluar. Kjo nuk mund të arsyetohet me asnjë kauzë politike. Nuk besoj se as qytetarët e Rugovës të cilëve, sikurse edhe tërë Kosovës, u janë bërë padrejtësi historike se e dëshirojnë këtë izolim”, deklaroi në fund kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat