Stërvitje ushtarake në territorin e Kosovës, kërcënim nga paramilitarët serb

Politika

Stërvitje ushtarake në territorin e Kosovës, kërcënim nga paramilitarët serb

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 shkurt 2017 Në ora: 08:18
Klubi serb i kamufluar sportiv “Aeroklubi Ujqit”, nën emrin e të cilit dyshohet se janë duke vepruar ish ushtarakët serbë, si dhe duke zhvilluar stërvitje taktike ushtarake në malet e Leposaviqit.

“Sipas filmimit ata vërehen se kryejnë veprime taktike sipas programeve të njësiteve speciale dhe komando. Marshimet në formacion luftarak, infiltrimi, organizimi i pritave, minimi, kapja e robërve, ndërhyrja në objekte, etj, të gjitha janë pjesë e programit stërvitor të ushtrive. Në mesin e tyre vërehen disa individë të njohur në ish Jugosllavi si udhëheqës të njësive paramilitare, kontrabandues të armëve dhe eksploziveve si dhe nxitës të urrejteve nacionale”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Ka kohë që në territorin e Kosovës është vërejtur prania dhe veprimtaria e një klubi serb i kamufluar sportiv “Aeroklubi Ujqit”, nën emrin e të cilit dyshohet se janë duke vepruar ish ushtarakët serbë, si dhe duke zhvilluar stërvitje taktike ushtarake në malet e Leposaviqit.

Megjithatë, KFOR-i si përgjegjësi kryesor i ruajtjes së sigurisë, deri më tani nuk ka dhënë shpjegime se çka në të vërtetë është duke bërë ish ushtaraku serb Momçilo Arlov së bashku me ‘klubin’ e tij në Kosovë, por ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme, dhe se nuk ka vend për shqetësime.

 “Forcat shumëkombëshe të KFOR-it, me mbështetjen e NATO-s, në Kosovë zhvillojnë operacione paqeruajtëse dhe kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ne çdo herë bëjmë vlerësimin e të gjitha rreziqeve potenciale që i kanosen Kosovës. Megjithatë ne nuk do të komentojmë për ndonjë hetim të ndonjë personeli apo organizate”, thuhet në përgjigjen për media nga KFOR-i.

Edhe gazeta “Bota sot” ka provuar të kontaktojë me KFOR-in për të siguruar më shumë detaje lidhur me këtë çështje, por kontakti me ta ishte i pamundur.

As nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet tona për këtë temë.

Policia: Aktivitetet e “Ujqve” në veri ishin sportive, por nuk ishte gjithçka në rregull

Por,  në raportimin e tij para Komisionit për Siguri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, ka pranuar se në Kosovë është stërvitur i ashtuquajturi aeroklubi ‘Ujqit’, i cili është i regjistruar si organizatë jo qeveritare e pavarur, jo fitimprurëse.

Ai ka njoftuar se institucionet e sigurisë ishin në dijeni për veprimtarinë e këtij klubi, i cila sipas tij, ka qenë i pajisur më armë lodra.  Aktiviteti i kësaj organizate sipas Maxhunit, është mbajtur në muajin gusht të vitit 2016, saktësisht nga data 19 deri më 21 gusht 2016. 

Por, ai ka pranuar se jo gjithçka ishte në rregull me këtë klub.

“Pajtohem plotësisht që e tërë ngjarja nuk duket të jetë në rregull dhe për këtë arsye i jam drejtuar ministrit kompetent që ta shqyrtoj revokimin e licencës për këtë aeroklub. Çka nuk më duket në rregull për mua, tash bartja e veshjeve të kamufluara të uniformës nuk sanksionohet, nuk parashihet me ligj që sanksionohet. E shpjeguam edhe çështjen e këtyre pajisjeve që duken në shikim të parë që janë armë, as kjo nuk sanksionohet. Për ne çka është e papranueshme e për çka është iniciuar procedure, është mbajtja e flamurit të Serbisë në territorin e Kosovës”, ka thënë Maxhuni.

Quni: Veprimet e organizatës serbe, provokuese dhe kërcënuese

Ndërsa, çështjen në fjalë e ka ngritur në seancën e Kuvendit të Kosovës deputeti nga radhët e LDK-së Anton Quni, duke kërkuar të dijë se çfarë po bën Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë rast.

Quni ka pohuar edhe për gazetën “Bota sot” se që nga ikonografia e deri tek gjithçka që bën ky klub, përfshirë videon e shfaqur në media, dëshmon se ky grup kryen stërvitje ushtarake të njësive speciale, përfshirë sabotimet, rrëmbimet, dhe çdo lloj aktiviteti të karakterit ushtarak.

“Sipas filmimit ata vërehen se kryejnë veprime taktike sipas programeve të njësiteve speciale dhe komando. Marshimet në formacion luftarak, infiltrimi, organizimi i pritave, minimi, kapja e robërve, ndërhyrja në objekte, etj, të gjitha janë pjesë e programit stërvitor të ushtrive. Në mesin e tyre vërehen disa individë të njohur në ish Jugosllavi si udhëheqës të njësive paramilitare, kontrabandues të armëve dhe eksploziveve si dhe nxitës të urrejteve nacionale”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Po ashtu, sipas Qunit, është shqetësues edhe fakti se në mesin e tyre , duke mos e ditur se në çfarë cilësie, vërehen edhe disa zyrtarë të Policisë së Kosovës.

“Ky klub edhe mund të jetë sportiv dhe të ketë siguruar leje për veprimtari, edhe të ketë përdorur imitacione të armëve, por e vërteta është se qëllimi i tyre nuk është i mirë. Veprimet e tyre janë provokuese dhe kërcënuese. Shumë prej këtyre aktiviteteve që i numërova, edhe FSK-ja i ka të ndaluara që t’i performojë”, ka thënë tutje Quni.

Mirëpo, ai është shprehur optimist se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës të kenë më shumë informata dhe se ato dinë dhe mund t’i menaxhojnë situatat e tilla.

“Por, nëse këto institucione janë një hap prapa hulumtuesve të mediave, atëherë ky fakt është shqetësues dhe shenjë alarmi për Qeverinë e Kosovës”, ka theksuar deputeti Anton Quni.

Eksperti i sigurisë: S’ka nevojë për panik dhe pasiguri

Por, ndryshe mendon eksperti i sigurisë Avni Islami. Ky i fundit, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se siguria në vendin tonë duhet ndarë në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm.

“Për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë nga jashtë, janë të autorizuara forcat e KFOR-it me anë të Rezolutës 1244, që sovranitetin dhe integritetin territorial ta ruaj Aleanca Veriatlantike”, ka thënë Islami.

Sipas tij, edhe pse është përfolur se në malet e Albanikut, kanë kryer ushtrime ushtarake disa ish-oficer të armatës serbe dhe paramilitarë serb, Kosova nuk rrezikohet nga jashtë.

Ai ka theksuar se nuk ka nevojë të ketë panik ose pasiguri tek qytetarët e vendit.

“Por, institucionet e sigurisë së Kosovës, Policia dhe FSK, duhet sa më shpejt të modernizohen dhe për çfarëdo eskalimi nga brenda të jenë të gatshëm që të përballen me situata të ndryshme. Unë nuk shoh që do të duhej të ketë panik ose pasiguri, por në anën tjetër, gjithmonë duhet të jemi në vigjilencë dhe t’i përcjellim lëvizjet e dyshimta”, është shprehur eksperti Avni Islami.

Situata e brishtë

Ndërsa, analisti politik Muhamet Kelmendi, situatën në vend e ka cilësuar si shumë të brishtë.

Duke folur për “Bota sot”, Kelmendi ka thënë se e gjithë kjo bëhet edhe më e madhe me veprimet e ndryshme politike dhe jurdike, që kanë krijuar gjendje të rëndë në vend, posaçërisht në veri të Kosovës.

“Shteti i Kosovës nuk është Sovran. Në veri kemi polici të Serbisë, gjykata dhe prokurori të njëjta. E tërë administrata është e kontrolluar nga Beogradi. Siguria është keqësuar edhe me dhunë, me ushtrimet ushtarake të klubit “Vukovi”, e cila është organizatë paramilitare serbe që po tenton në prapavijë spastrimin e territorit”, ka vlerësuar ai, derisa ka theksuar se veprimi konkret tregon se pjesa veriore është tërësisht nën sundimin e Serbisë.

Kelmendi: Maxhuni po lavdërohet, situata do të keqësohet

Kelmendi ka paralajmëruar se mund të priten edhe aksione nga ana e serbëve.

“Në këtë lojë, është duke lozur Serbia. I dëmshëm është deklarimi i drejtorit të Policisë së Kosovës, i cili në Komision të Kuvendit, e vlerësoi si të parrezikshme këtë organizatë kriminale, e cila siç shihet ka armë mjaft të sofistikuara. Duket se Policia e Kosovës është në gjumë dimëror. Mbi 20% të territorit të Kosovës e kontrollon Serbia, ndërsa Shpend Maxhuni lavdërohet”, është shprehur ai, derisa ka thënë se rreziku do të thellohet në të ardhmen.

“Situata do të keqësohet. Vendi i ynë do të goditet ashpër nga kriminelët serbomëdhenj”, ka paralajmëruar Muhamet Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat