Tensionet me Serbinë, marrëveshje për mbrojtje ushtarake Kosovë-Shqipëri?

Politika

Tensionet me Serbinë, marrëveshje për mbrojtje ushtarake Kosovë-Shqipëri?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 shkurt 2017 Në ora: 08:28
Ushtria shqiptare

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, thuhet se MFSK dhe FSK, kanë bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Mbrojtjes  Shqiptare dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), por nuk është specifikuar ndonjë plan i afërt.

Ndërtimi i murit në Mitrovicë, ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë dhe provokimi i fundit më trenin serbo-rus, kanë bërë që tensionet mes Kosovës dhe Serbisë të rriten 'dukshëm, ku nga udhëheqësit serb u paralajmërua ‘lufta’ për Kosovën.

Analistë politikë, njohës të sigurisë e ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për gazetën “Bota sot” thonë se në një situatë të tillë Kosova do të duhej të merrte mbështetje ushtarake nga Shqipëria, ku sipas tyre ajo që duhet bërë së pari është nënshkrimi i një marrëveshjeje për mbrojtje ushtarake reciproke në rast lufte a agresioni.

MFSK –ja, nuk flet për marrëveshje reciproke

Por, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk kanë treguar nëse një marrëveshje e tillë është në planet e institucioneve të Kosovës. Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, thuhet se MFSK dhe FSK, kanë bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Mbrojtjes  Shqiptare dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), por nuk është specifikuar ndonjë plan i afërt. 

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me MM dhe FARSH të bindur, se bashkëpunimi i deri sotëm ndërmjet MFSK/FSK-së dhe MM/FARSH-it ka qenë mjaft aktiv dhe ka prodhuar rezultate të mira, ashtu siç kanë sjellë rezultate të mira edhe bashkëpunimet bilaterale edhe me 12 shtete tjera, në mesin e tyre partnerë strategjik dhe vende anëtare të NATO-s, si: SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Turqia, pastaj edhe shumë vende tjera të rajonit dhe me gjerë”, thuhet në përgjigjen e MFSK. 

Si rezultat i këtij bashkëpunimi të MFSK/FSK me MMRSH dhe FARSH, MSFK thotë, se janë arritur disa marrëveshje si Memorandumi i Mirëkuptimit midis MFSK-së dhe MMRSH, Marrëveshja e Statusit të Forcave (SOFA), Protokolli mbi bashkëpunimin dhe asistencën në fushën e integrimit euro-atlantik dhe rajonal, si dhe Protokolli mbi bashkëpunimin në fushën e arsimimit dhe trajnimit ushtarak.

Ndihma e Shqipërisë varet nga vendimi i NATO-s

Lidhur me këtë çështje, njohësi i sigurisë Fadil Kajtazi, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë në një gjendje, e cila de juro është e formalizuar me njohje reciproke të shtetësisë së dy vendeve, dhe e cila është pjesë e rendit juridik ndërkombëtar. Por, ai ka thënë se në anën tjetër, kemi një situatë e cila de fakto, ka bazën e vet emocionale pasi që jemi një komb dhe se kur bëhet fjalë për Serbinë, kjo gjendje prodhon efektin psikologjik të mobilizimit gjithëkombëtar.

Sipas Kajtazit, në rast të atakimit ushtarak të Kosovës nga Serbia, politikës së shtetit shqiptar, nuk i mbetet shumë për të formuluar marrëveshje dhe për t’u hedhur në veprim. 

“Hipotetikisht do të dukej kështu, por praktikisht varet shumë nga rrethanat. Kjo për shumë arsye determinuese do të jetë në rrethanat politiko-ushtarake të rajonit, Evropës dhe më gjerë në momentin, në të cilin do të ndodh ndonjë sulm eventual. Shkallën e reagimit të shtetit shqiptar do ta rrisin ose zvogëlojnë interferencat që do të ketë NATO me konfliktin dhe kjo do të varet shumë nga vendimet politike që do t’i marr kjo aleancë”, ka thënë Kajtazi, duke shtuar se kjo poashtu varet edhe nga qëllimet politike që mund të ketë politika shqiptare që rastisë të jetë në pushtet, kur do të mund të ndodhte konflikti eventual. 

Tutje eksperti Kajtazi ka theksuar se politika shqiptare ishte tejet e papërgjegjshme në raport me Kosovën në luftën e fundit 1998-99, duke e shndërruar luftën e Kosovës në qëllim biznesi. 

“Klasa politike, e cila ishte në udhëheqje të proceseve politike dhe ushtarake në Kosovë dhe kishte legjitimitet nga populli e ndërkombëtar, në vend se të konsultohej edhe më tepër nga shteti shqiptar, ajo gjatë gjithë kohës ishte e sulmuar njëjtë sikur nga Serbia. Kjo kulmon me vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Tiranë”, është shprehur Fadil Kajtazi. 

Rreziku që i kanoset tani Kosovës nga Serbia, sipas tij, “është rrezik i prodhuar nga politika e Tiranës e viteve 1998-99, pasi ata dhunshëm instaluan klasën politike injorante, e cila qe 16 vite instaloi kulturën e vrasjeve politike, krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjë që bëri që të venitet përkrahja e aleatëve perëndimorë për shqiptarët e Kosovës dhe krijimi i institucioneve të dobëta”. 

Marrëveshja të rregullohet me ligj

Driton Tali, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, për “Bota sot” ka thënë se marrëveshja reciproke për mbrojtje është domosdoshmëri, meqë nëse njëri shtet involvohet në ndonjë luftë, edhe tjetri është në luftë.  

“Kjo sepse po të fillojë ndonjë luftë në këtë pjesë të botës, ne do të jemi të kyçur nëse njëra palë kyçet. Pra, nëse Shqipëria involvohet në ndonjë luftë automatikisht, edhe Kosova është në luftë, patëm e s’patëm marrëveshje reciproke. Prandaj, duhet të kemi marrëveshje për ta rregulluar këtë punë me ligj, ashtu që të mos na ndodh ajo që na ndodhi në 1997-99 ku nuk merrej vesh se "kush po han e kush po paguan"”.

Për nënshkrimin e marrëveshjes së tillë, ka komentuar edhe ish-ushtari britanik i UÇK-së Jon Harrison, i cili ka thënë se ajo duhet të nënshkruhet sa më parë që të jetë e mundur.

“Forcat shqiptare dhe ato të Kosovës kanë artileri të rëndë dhe tanke, kështu që ato duhet të nisin trajnimet dhe t’i shfrytëzojnë këto asete. Trajnimet do të ndihmojnë FASH që janë NATO, dhe do të ndihmojnë edhe FSK-në, për anëtarësim më të shpejtë në NATO”, ka thënë Harrison për gazetën “Bota sot”. 

Ai ka shtuar, se FASH do të duhej të trajnoheshin në Kosovë, për të mësuar më mirë terrenin dhe për të bërë përgatitjet e pozicioneve përpara operacioneve luftarake.  “Të gjithë shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria, duhet të mbrojnë njëri-tjetrin nën një ombrellë. Dy vende, dy ushtritë, një popull, një mbrojtje”, ka shtuar Jon Harrison.

Miftari: Kosova duhet të armatoset urgjent

Edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së /TMK-së, Naim Miftari, është deklaruar pro mbrojtjes reciproke përmes marrëveshjes ushtarake Kosovë-Shqipëri. Por, ai ka thënë se një marrëveshje të tillë, Kosova duhet ta nënshkruajë edhe me Republikën e Kroacisë, e cila ka një popull dhe ushtri homogjene, dhe është kundërshtari i vetëm anti-serb dhe anti-rus. 

“Populli shqiptar dhe kroat janë aleat strategjik, plus shqiptarët kontribuan shumë në çlirimin e Kroacisë nga thembra serbo ortodokse sllave. Kosova duhet të ketë raporte të mira edhe me Amerikën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe”, ka thënë Miftari për “Bota sot”. 

Por, sipas tij, Kosova për këtë duhet të ketë një ushtri e jo forcë të sigurisë apo emra tjerë qesharak, meqë detyra e luftës së armatosur i takon vetëm ushtrisë. “Kosova duhet të armatoset urgjent, pasi janë kohëra me rrezikshmëri të lartë dhe paqartësi globale. Duhet të jemi të përgatitur për luftë apo mbrojtje pa ndihmën e askujt”, ka shtuar Miftari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat