Anton Quni: Kosova mos të rri “duarkryq” pas deklaratave luftënxitëse të Serbisë

Politika

Anton Quni: Kosova mos të rri “duarkryq” pas deklaratave luftënxitëse të Serbisë

Më: 29 janar 2017 Në ora: 16:25
Anton Quni

Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Anton Quni thotë se Serbia vazhdon t’i provokojë autoritetet e Kosovës, duke plasuar në të njejtën kohë edhe deklarata luftnxitëse.

Sipas Qunit, deklaratat e tilla janë në shpërputhje me realitetin që në një të ardhme të ketë konflikt konvencional në mes të dy shteteve.

“Serbia do të vazhdoj me provokime asimetrike (jo konvencionale) për ta destabilizuar Kosovën deri në plotëzimin e parakushteve për ndërhyrje konvencionale. Largimi i forcave dhe administratës serbe nga Kosova nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë nga territori i Kosovës apo një pjesë të sajë. Jemi dëshmitarë të ndërhyrjeve të ndryshme të Serbisë të cilat mund të cilësohen si minim i gjitha proceseve për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës si shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Quni, konsideron se edhe ngritja e murit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe rasti i trenit janë vazhdimësi e përjekjeve të pengimit të forcimit të shtetit të Kosovës.

“Kështu duhet ta kuptojmë edhe ngritjen e murit në pjesën veriore të Mitrovicës, rastin e trenit dhe deklaratat luftënxitëse, që do të thotë edhe një vazhdimësi e akteve në vazhden e përpjekjeve të pengimit të forcimit të shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Deputeti Quni thotë se institucionet e Kosovës duhet me urgjencë të ndërmarrin veprime të bashkërenditura mirë me partnerët strategjikë për ngritjen e kapaciteteve të plota mbrojtëse.

“Serbia llogarit se në një të ardhme të afërt mund të ndodhë një destabilizim global, fragmentalizim i NATO-s dhe BE dhe faktorin e Rusisë dhe aleateve të sajë, kështu që deri në plotësimin e këtyre kushteve ajo fuqishëm investon në destabilizimin politiko- ekonomik të Kosovës, i saboton të gjitha proceset integruese në organizatat ndërkombëtare, pengon fuqishëm ngritjen e kapaciteteve mbrojtësee e nxitë krimin dhe korrupsionin, i nxitë lëvizjet ekstreme dhe radikale, krijon incidente për të prodhuar tensione ndëretnike dhe shumë aktivitete të tjera të cilat përfundimisht së bashku mund të rezultojnë me kriza sociale, humbje të kredibilitetit të institucioneve të Republikës së Kosovës, komprometimin e institucioneve dhe shoqërisë para faktorit ndërkombëtar. Në arritjen e disa synimeve të saja, Serbia llogaritë edhe në rolin e Ushtrisë Serbe” , ka deklaruar ai.

Sipas tij, ushtria si komponente e sigurisë do të duhej sa më shpejt të jetë në agjendën e Qeverisë. Pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet integriteti dhe sovraniteti i vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat