"Traktati i paqes" Kosovë-Serbi, arrihet me përmbushjen e dy kërkesave

Politika

"Traktati i paqes" Kosovë-Serbi, arrihet me përmbushjen e dy kërkesave

Nga: Ridvan Emini Më: 29 janar 2017 Në ora: 11:31
Bruksel, 24 janar

Pas tensioneve të fundit, të shkaktuara nga provokimet e Serbisë, duke nisur nga ndërtimi i murit në Mitrovicë, arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë me urdhër serb dhe tentimi për futjen e trenit në territorin e Kosovës, është shtruar kërkresa që dialogu në Bruksel të ndryshojë format.

Sipas analistëve politik, Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë deri tek nënshkrimi i një teksti të cilin quajtur "Traktat të paqes", me të cilin do të normalizoheshin marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Haxhimehmeti: Formati i dialogut duhet të ndryshojë

 Duke folur për këtë çështje për gazetën “Bota sot”, politologu Gjenis Haxhimehmeti është shprehur se me përfaqësimin në dialog nga ana e EditaTahirit-ministre për dialog, u pa se nuk kishim ndonjë rezultat në zbatimin e marrëveshjeve.

Prandaj, sipas tij me ndryshimet e formatit të ekipit dialogues mund të arrihet deri te një fazë e nxehtë të dialogut, që mund të jap ndonjë rezultat sa i përket të ardhmes së vendit.

“Kur u arrit marrëveshja e famshme në prill 2013 në mes të Thaçit dhe Daçiq u mendua që ngadalë dialogut Kosovë-Serbi po i vie fundi dhe duhet pritur vetëm konkretizimin e marrëveshjeve dhe zbatimin e tyre. Pasi që dialogu po zgjat përtej parashikimeve dhe me opozitën e cila deri tani e ka kundërshtuar këtë dialog si të dëmshëm, rishtazi gjithherë edhe më shumë kemi zëra nga pozita, madje edhe nga protagonistët e dialogut në krye me EditaTahirin që ky dialog në këtë formë nuk po ka kuptim”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se duhet ndryshuar situata me ndërmjetësimin e BE-së, meqë nga moszbatimi i marrëveshjeve të deritashme paraqiten thirrje për negocim dhe kompromis të marrëveshjeve të cilat në esencë kanë qenë negocim dhe kompromis.

“Andaj, ngritja e nivelit të pjesëmarrjes me Presidentin dhe Kryeministrin, përveç që mund të lexohet si tentim për protagonizëm të brendshëm, mund të merret edhe si tentim për ç’bllokim të dialogut dhe futje në një fazë të nxehtë të saj e cila mund të jep një tablo të qartë për të ardhmen e vendit në tërësi”, ka përfunduar ai.

Traktati i paqes mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet në Bruksel

Ndërsa, analisti i çështjeve politike Halil Matoshi, është i mendimit se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë deri tek nënshkrimi i një teksti të cilin mund ta quajmë edhe Traktat të paqes, pasi që deri më tani nuk kanë bërë një gjë të tillë.

Ai ka thënë se Serbia në vitin 1999 kishte nënshkruar një marrëveshje me NATO-n, por jo edhe me Kosovën, gjë që tani më është mëse e nevojshme të kenë një marrëveshje këto dy vende.

Sipas tij, pa përfundimin edhe zyrtarisht të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka përse të dialogohet, sepse armiqësitë vetëm sapo rriten.

“Për çështjet e mirëqenies së serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës, për energjinë, të pagjeturit, pensionet e plaçkitura të kosovarëve nga fashizmi i Millosheviqit, dhe aspektet tjera bilaterale mund të bisedohet pasi të arrihet paqja, e cila Serbisë ia mundëson përmbushjen e detyrave aspak të lehta që burojnë nga Kapitulli 35 i negociatave me BE-në, kurse Kosovës ia mundëson marrjen e ulëses në OKB, pasi që ende është një vend i pambaruar. Sigurisht që këtë e ka propozuar Brukseli, sepse heshtja dhe topitja e Brukselit zyrtar po reflekton rikthim të viteve ’90 në Ballkan, duke i quar duart nga kryeqyteti evropian ballkanasit me shumë probleme po mendojnë t’i rikthehen dhunës, gjë që do të ishte katastrofë për të gjithë”, është shprehur Matoshi.

Për rezultate, sipas Matoshit, ndonëse mund të ndodh mrekullia, është herët të flitet, mirëpo dialogu po ecën drejt fundit.

Ai ka theksuar se për pajtimin e palëve, Serbia duhet të bëjë dy gjëra: Së pari ta heq Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj dhe së dyti t’i anulojë fletarrestet në Interpol, për pjesëtarët e ish gueriles UÇK.

“Natyrisht se Presidenti pos fuqisë politike (duhet) ka dhe një autoritet moral dhe ai duhet të reflektojë më shumë mirëbesim dhe më shumë angazhim për arritjen e paqes me Serbinë. E për arritje të paqes, shtetet përkatëse duhet të zotohen se do t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tash dhe do ta përgatisin publikun që t’ia shtrijnë dorën njëra-tjetrës për ta ndihmuar në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Përndryshe dialogu i përhershëm për të njëjtat tema s'ka kuptim. Tensionet e fundit duhet t’i  inkurajojnë palët, që të dëshmojnë se janë kombe me kurriz dhe që i kontribuojnë paqes në rajon dhe më gjerë”, ka përfunduar ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat