Tensione edhe pas takimit në Bruksel

Politika

Tensione edhe pas takimit në Bruksel

Më: 28 janar 2017 Në ora: 16:17
Takimi i dy palëve më 24 janar në Bruksel

Takimi i zhvilluar në Bruksel më 24 janar, ndërmjet përfaqësuesve të nivelit të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Zyrës së përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka synuar uljen e tensioneve ndërmjet dy vendeve, që u shpërfaqën javëve të fundit nëpërmjet një retorike të ashpër nga autoritetet e të dyja vendeve.

Por, pavarësisht takimit të së martës në Bruksel, retorika e ashpër nga të dyja palët ka vazhduar edhe më tej, duke ngritur pikëpyetje nëse dialogu i rinisur me nivel të lartë të përfaqësimit politik, do të mund t’i ulë tensionet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend, shqiptarë dhe serbë.

Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, duke folur për Rel, vlerëson se takimi në Bruksel, me nivelin e lartë të përfaqësimit të të dyja vendeve, nuk kishte të bënte me vlerësimin e objektivave të arritura drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por për të kundërtën e kësaj.

Shkasi imediat që u takuan liderët e institucioneve të larta të Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, ka të bëj me provokimet dhe rrezikun potencial të krijuar pas ngjarjeve të fundit, qoftë me murin në Mitrovicë të veriut, qoftë me trenin që ishte nisur për në këtë pjesë të Mitrovicës nga Beogradi.

“Realisht, duhet të konstatohet një gjendje, e cila ka të bëjë me qëllimin e kundërt karshi objektivave që janë parashtruar drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Pa e bërë një analizë të mirëfilltë se çfarë janë të arriturat dhe dështimi, nuk mund të ecim në drejtimin e duhur, pavarësisht se kush do të jetë në përfaqësimin eventual të ri, pavarësisht se çfarë platforme do të shtrohet eventualisht në vazhdimin e dialogut”, thekson Beqaj.

Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë se, pas takimit të fundit në Bruksel të autoriteteve të larta të të dyja vendeve, situata do të qetësohet. Sipas tij, Bashkimi Evropian ua ka bërë të qartë të dyja palëve obligimet që kanë në raport me marrëveshjet që i kanë arritur deri më tash në kuadër të dialogut.

“Pres që këto tensione të bien, para së gjithash për shkak se në mënyrë shumë të qartë u është bërë me dije Beogradit dhe Prishtinës, se duhet t’i vazhdojnë bisedimet dhe t’i zgjidhin problemet përmes bisedimeve, si dhe që duhet të dërgojnë porosi të tilla që nuk i ngritin tensionet. Unë jam gati se i bindur se e gjithë kjo do të zgjidhet, por se sa kjo do të bëhet shpejt, kjo është çështje e veçantë. Por, mendoj që në qoftë se janë afatizuar zgjidhjet e disa problemeve, atëherë ato probleme duhet të zgjidhen brenda afateve”, thotë Nojkiq.

Në anën tjetër, pas vazhdimit të retorikës së ashpër edhe pas takimit të fundit në Bruksel, zyra e Mogherinit ka reaguar duke kritikuar pjesëmarrësit e takimit se kanë dhënë deklarata publike për zhvillimet në takim, pavarësisht pajtimit që të mos e bëjnë këtë.

Profesor Beqaj thotë se mungesa e transparencës lidhur me zhvillimet në takimet në Bruksel, përfshirë edhe takimin e fundit, e bëjnë procesin e dialogut të përcillet me situata kundërthënëse. Sipas tij, vetë zyra e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duhet të sqarojë se çfarë ka ndodhur në takim.

“Mogherini nuk ka qenë e interesuar të bëhet transparent takimi i dy liderëve, ndonëse ky nuk ka qenë takim i shefave të shërbimeve sekrete. Pra, në vend se të korrigjohet si gabim që ka të bëjë me anën publike, kjo ka qenë çështje interne. Së dyti, a ka qenë e pakënaqur zyra, përkatësisht Mogherini, për shkak të deklaratave, të cilat janë dhënë në s’përputhje me atë çfarë janë biseduar temat në bisedat interne apo ndoshta për shkak se kanë thënë të pavërtetat publike? Pra, këto çështje e komplikojnë shumë situatën, në vend se ta thjeshtësojnë dhe ta qartësojnë atë”, vlerëson ai.

Sido që të jetë, Nojkiq vlerëson se retorika e ashpër duhet të ndërpritet, pavarësisht që sipas tij, ajo më tepër shërben, siç thotë ai, për konsum të brendshëm.

“Një situatë e tillë mund të nxisë pasoja të padëshirueshme, por unë mendoj që e gjithë kjo, para së gjithash ishte vetëm një retorikë dhe tërheqje e vëmendjes. Mendoj se kjo është një fushatë parazgjedhore, e cila ishte e drejtuar edhe nga ana e Prishtinës, por edhe nga ana e Beogradit”, thekson Nojkiq.

Ai shprehmendimin se edhe çështja e murit të ngritur në Mitrovicë të veriut, për të cilin autoritetet e Kosovës kanë thënë se do ta shembin, nuk do të jetë shkas për dështim të dialogut, ndonëse sipas tij, ndërtimi i murit është veprim i gabuar nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut. Sipas tij, këtë problem tashmë e kanë vënë në dukje përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ata do ta imponojnë edhe zgjidhjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat