“Nuk mund të ndëshkohet Arben Mustafa, se ka babain kryeministër”

Politika

“Nuk mund të ndëshkohet Arben Mustafa, se ka babain kryeministër”

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 shtator 2016 Në ora: 16:31
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku

Sipas Ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhënia e licensës për  terminal të mallrave, djalit të kryeministrit Mustafa nuk përbën konflikt interesi. “Nuk përbën konflikt interesi sepse çdokush është i lirë të punoj. Nuk mundet që sot t`i bëhet dikujt, babai kryeministër apo ministër dhe ti thotë familjarëve të tij mbylli të gjitha bizneset sepse është babai kryeministër ose unë jam bërë ministër dhe t’ju them vëllezërve. Por që ligji duhet respektuar. Më vjen mirë që as qeveria e as kompania,  nuk kanë lidhje me njëra tjetrën pasi asnjë tender nuk e ka në Qeveri”, ka thënë Zharku.

Bota sot: A  ka kontraktuar Ministria ndonjë kompani për mbikëqyrjen e autostradës për Shkup?

Lufi Zharku: Segmentet që i lëshojmë në qarkullim natyrisht ato i mbikëqyrim. por jo edhe segmentet që nuk janë lëshuar ende në qarkullim. Aktualisht e mirëmbajmë vetëm segmentin që fillon prej kyçjes së dy autostradave deri në Veternik. Njëra është e mirëmbajtur, por pjesa tjetër e cila nuk është e kyçur, nuk është e mirëmbajtur natyrisht derisa nuk bëhet pranim-dorëzimi i një segmenti.

Bota sot: Përse ka vonesa në ndërtimin e rrugëve rajonale?

Lufi Zharku: Vonesat kryesisht shkaktohen për shkak të problemeve pronësore. Natyrisht duhet ta pranojmë se kemi probleme edhe një projektimin e rrugëve tona që bëhen nga kompanitë e ndryshme projektuese, por që ato zgjidhen gjatë punës. Ndërsa, problemet kryesore qëndrojnë tek shpronësimet dhe natyrisht plotësimit të kërkesave të ndryshme të banorëve nga kalon një rrugë. Por, jam i kënaqur pasi vitin e kaluar pas një kohe të gjatë e kemi kryer pjesën prej Milloshevës deri në Lummadh apo Stanovc. Kurse, sivjet po shpresojmë që përkundër vështirësive që i kemi pasur po e kryejmë edhe pjesën prej Kijevit deri në Gjurgjicë.

Bota sot: Cilat  janë planet tuaja, sa i përket çështjes së autoshkollave dhe patentshoferëve?

Lufi Zharku: Me ligjin e ri po mundohemi të kemi një transparencë shumë më të madhe me masat që i marrim në rritjen e transparencës dhe aftësimin shumë më kualitativ të kandidatëve për patentë shoferë në mënyrë që të kemi shoferë,  të cilët e japin provimin por natyrisht edhe që i plotësojnë të gjitha kushtet për të ngarë veturat. Kemi bërë një riorganizim të të gjithë departamentit për patentë shofer. Pastaj i kemi dhënë një rëndësi të posaçme ndarjes së Departamentit për patentë shoferë nga departamenti i automjeteve.  Pas kësaj ndarje në fillim të këtij viti kemi filluar edhe me aplikimin e sistemit të monitorimit nëpër qendrat ku mbahen provimet për patentë shofer dhe natyrisht sistemin e monitorimit me kamera në vetura apo gjatë pjesës praktike të dhënjes së provimit për patentë shofer. Jemi aktualisht në përfundim e sipër të projektit IShoferi i cili do të ketë një rëndësi të posaçme për autoshkolla, për shkak se tash do të kemi qasje online të Ministrisë së Infrastrukturës me të gjitha autoshkollat, për ta përcjellë punën e tyre, inspektimin apo mbikëqyrjen në mënyrë që ato të kryjnë sa më mirë punën e tyre.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Premtën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat