Politika, të mos pengojë në transformimin e FSK-së

Politika

Politika, të mos pengojë në transformimin e FSK-së

Ridvan Emini Nga Ridvan Emini Më 4 gusht 2016 Në ora: 16:34
Ilustrim

Sipas analistit politik, Nexhmedin Mustafa, Qeveria e Kosovës, duhet të bëjë kujdes dhe jo vazhdimisht të dalë para opinionit se kemi trysni ndërkombëtare për tu zmbrapsur këtu apo atje. Prononcimet e tilla zyrtare nga zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës tregojnë qartë se sa shtet i brishtë jemi.

Transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës e kanë paralajmëruar shumë herë udhëheqësit e vendit, mirëpo një gjë e tillë duket se është shumë larg një realiteti të tillë. Të gjitha veprimet politike në vend, në dy vitet e fundit thuajse kanë shkuar në anën e kundërt. Mos stabiliteti politik në vend i ka kontribuar negativisht çështjes së themelimit të ushtrisë. Përçarja e thellë mes pozitës dhe opozitës dhe ‘zbulimi’ i disa problemeve të tjera, si ai i Demarkacionit dhe ai i Asociacionit e ka nxjerrë në harresë përshpejtimin e themelimit të ushtrisë. Kur dihet se Kosovës i duhet së pari të bëjë shkrirjen e FSK-së nga një forcë e sigurisë në një forcë ushtarake, pra në ushtri, duhet fillimisht që të bëhen edhe ndryshime kushtetuese, për të bërë këto ndryshime kushtetuese, nevojiten 2/3 e votave të përgjithshme, dhe 2/3 e votave të pakicave minoritare. Përçarja e thellë e pozitës dhe opozitës nuk do të thotë se nuk mund të jenë të bashkuar përballë themelimit të ushtrisë, mirëpo si problem mund të vije hezitimi i pakicave përkatësisht asaj serbe për të votuar ndryshimet kushtetuese lidhur me ushtrinë. Problemi nuk është krejtësisht këtu, ai duket më i madh, sidomos sa i përket sigurisë së vendit. Kosova me një ushtri me afërsisht 8 mijë trupa paraqet një  stabilitet në rajon, përkundër që Serbia mund të reagoj ashpër duke proklamuar se një gjë e tillë mund të paraqet kërcënim për rajonin. Kosova me një ushtri modeste do të kontribuoj në mbrojtjen kundër terrorizmit ndërkombëtarë.

Disa zëra janë munduar që në këtë situatë të thonë se Kosova nuk ka nevojë për ushtri, pasi që  NATO është prezent në Kosovë. Mirëpo, ekspertët e sigurisë në vend e thonë të kundërtën.  Gazeta “Bota Sot”, ka kontaktuar me njohës të çështjeve të sigurisë në vend. Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, deputeti nga radhët e LDK-së z.Anton Quni, është shprehur se është vonuar në këtë drejtim: “Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, i vetmi proces i pa përmbyllur mbetet ngritja e kapaciteteve të plota të sigurisë. Përkundër prezencës së NATO-s, është nevojë e kohës që edhe ky proces të përmbyllet me arritjen e kapaciteteve të plota ushtarake. Kjo nevojë del edhe si konkludim i arritur gjatë Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Krijimi dhe zhvillimi i Forcave të Armatosura ende nuk e kanë marrë dritën e gjelbërt nga institucionet e Kosovës, kjo për shkak të rrethanave tanimë të njohura dhe është fakt se jemi të vonuar. Sidoqoftë, autoritetet relevante shtetërore, besoj që këtë vonesë do ta kompensojnë me një dinamikë dhe intensitet më të lartë në bashkëpunim më të ngushtë me NATO-n, SHBA-të dhe të gjithë  përgjegjësit për siguri dhe paqe në Kosovë, rajon dhe me gjerë.”

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Premtën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat