Dhurata Hoxha nominohet për ministre të Drejtësisë

Politika

Dhurata Hoxha nominohet për ministre të Drejtësisë

Më: 11 korrik 2016 Në ora: 12:18
Pamje nga konferenca

Partia Demokratike e Kosovës, ka prezantuar të nominuaren për Ministre të Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Këtë nominim e bëri publik nënkryetari iI PDK-së, aktualisht ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi i cili e cilësoi këtë ngjarje si lajm të mirë për Drejtësinë në Kosovë.

Kuçi: Hoxha, ndër kuadrot më të përgatitura në Kosovë

“Është një lajm i mirë për drejtësinë e Kosovës, për Qeverinë e Kosovës, një lajm i mirë edhe për PDK-në dhe rendin e ligjin në vendin tonë. Kandidatja e nominuar, e prej tash ministre e drejtësisë, është ndër kuadrot më të përgatitura në Kosovë”, ka thënë Kuçi.

Kuçi tha se znj. Hoxha, me përvojën që ka, premton shumë për të ardhmen e drejtësisë në vend, sidomos në ngritjen e perceptimit për sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.

Nga ana tjetër, duke falënderuar partinë për nominimin e saj, Dhurata Hoxha tha se do të punoj shumë për të vazhduar proceset e lëna nga paraardhësi i saj.

Hoxha: Do të vazhdoj reformat në drejtësi

“Unë besoj që përvoja ime e kaluar dhe arsimimi im amerikanë do të më ndihmojë që të vazhdoj me reformat në drejtësinë në vend dhe do të qoj tutje proceset për këtë fazë ku ndodhet vendi…Dua të shpreh përkushtimin tim personal që të forcojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar duke sforcuar më tutje parimin se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit”, tha Hoxha.

Përndryshe, Dhurata Hoxha deri javën e kaluar ishe është Këshilltare Politike e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më herët ka qenë Këshilltare e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën pozitë është emëruar që nga marsi 2011 – Dhjetor 2015. Përgjegjësitë e saj kryesore kanë qenë në fushën e sigurisë kombëtare si dhe sundimit të ligjit.

Hoxha ka qenë në pozitën e këshilltares edhe më MPB. Ajo ka përfunduar studimet master në departamentin e Studimeve të Sigurisë, me koncentrim në sigurinë ndërkombëtare, në Georgetown University në Washington DC. Znj. Hoxha ka përfunduar studimet e saj universitare në Graceland University, ku ajo diplomoi në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike me nderime të larta.

Hoxha është anëtare e Kryesisë qendrore të PDK-së, si dhe e Kryesisë së PDK-së dega Prishtinë. Në zgjedhjet e fundit, si anëtare e PDK-së, Dhurata kandidoi për deputete të Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2008, Hoxha është gjithashtu profesor jo i rregullt në kolegjin ESLG dhe Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat