Përfundimi i mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, do ishte ndryshimi i Rezolutës 1244

Politika

Përfundimi i mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, do ishte ndryshimi i Rezolutës 1244

Nga: D. B. Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 21:02
Rexhep Elezaj

Mënyra më e duhur për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, do ishte ndryshimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së për Kosovën.

Kështu ka vlerësuar publicisti Rexhep Elezaj, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se mënyra më e duhur për përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, do ishte ndryshimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së për Kosovën.

Sipas tij, gjasat për ndryshim të kësaj rezolute janë ende të vogla, sepse kjo administratë ka ardhur në vendin tonë në rrethana specifike, pra në Kosovën e dalë nga lufta shkatërrimtare e shkaktuar nga regjimi kriminal i Serbisë.

“Kosova kishte mbetur pa administratën e saj shtetërore, meqë OESB-ja nuk mund ta luante një rol të tillë, kështu që Kosova që duhej të futej nën administrim të OKB-së, si mision i përkohshëm i njohur si UNMIK. Mirëpo, kjo administratë gjatë punës dhe misionit të saj deri në pavarësimin e Kosovës me 17 shkurt 2008, lirisht mund të thuhet se më shumë e ka dëmtuar shtet ndërtimin e Kosovës, se sa e ka ndihmuar atë, për shkak se kjo administratë kryesisht përbëhej nga ekspert shumë të dobët në fushën administrative, ishte jo profesionale sa duhet, ajo përbëhej nga njerëz që kishin ardhur nga shumë vende të pazhvilluara të botës, të cilët bënin shumë gabime, zhagitje, ishte jo efektive në punë, tregonte mos interesim të duhur, bile më vonë u korruptua, ngriti në Kosovë një sistem administrativ me plotë defekte, etj, të cilat Kosovës sot e kësaj dite i kanë kushtuar tej mase”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

Ai ka thënë se, pas pavarësimit të Kosovës, administrata e UNMIK-ut u zvogëlua dukshëm, dhe mbeti me një zyrë pothuaj të parëndësishme.

“Si e tillë kjo zyre doli gjithherë hapur në anën e serbëve të Kosovës dhe Beogradit zyrtar, të cilët në të gjitha takimet me karakter ndërkombëtar mbrojtën dhe favorizuan interesat serbe, sidomos në seancat e rregullta të KS të OKB-së, e që në masë të madhe e ka dëmtuar prezantimin e drejtë të përfaqësuesve të vendit tonë në tubimet ndërkombëtare, qoftë në Bruksel, Washington, Berlin apo gjetiu”, ka thënë publicisti Elezaj.

Sipas tij, UNMIK-u është krejtësisht i panevojshëm në Kosovën, shtet i pavarur mbi 11 vite, sepse është treguar shumë i njëanshëm, nuk ka arritur të zgjedh gati asnjë problem social, ka investuar fare pak në digjitalizimin dhe aftësimin e sistemit arsimor, të shëndetësisë, etj., madje ishte i dëmshëm për Kosovën edhe politikisht.

“Kështu që, unë besoj se me ardhjen në krye të qeverisë së re me z. Albin Kurti, kryeministër, administrata e UNMIK-ut gradualisht do të zvogëlohet dhe mundësisht do gjenden format juridike që ajo ta përfundon misionin e saj në Kosovë. Madje, sipas vlerësimeve të shumë instituteve dhe ekspertëve ndërkombëtarë, misioni i UNMIK-ut në Kosovë është vlerësuar ndër administratat më të dobëta të OKB-së në botë”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat