Nga znaçka e Veselit deri te pozicionimi krah Flora Brovinës, a është Milaim Zeka peng i dosjeve të SSH-së së viteve 70/80?

Politika

Nga znaçka e Veselit deri te pozicionimi krah Flora Brovinës, a është Milaim Zeka peng i dosjeve të SSH-së së viteve 70/80?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 22 maj 2019 Në ora: 07:58
Milaim Zeka

“Jam shumë mirë i informuar me dosje të bashkëpunëtoreve të SSH-së në vitet 70/80. Milaim Zeka e ka “mizën pas veshit”, prandaj, klithë shpesh pa lidhje dhe sulmon majtas e djathtas pa asnjë fakt”, është shprehur Rexhaj, për gazetën “Bota sot”.

Në gusht të vitit 2017, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, në vazhdimin e gjashtë të seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës, do të mbante një fjalim të ashpër para deputetëve.

Ndër të tjera, ai kishte pasur një replikë interesante me deputetin nga radhët e Nismës Socialdeomokrate.

“Milaim, ku e ke znaçkën se je prej Abrie”, i kishte thënë Veseli Zekës gjatë kësaj seance.

Deputeti Milaim Zeka, njihet si një ndër deputetët më të zëshëm të kësaj legjislature. Ai shpeshherë është bërë cak i mediave, për shkak të deklaratave të tij dhëna nga foltorja dhe nga holli i Kuvendit.

E tillë ishte edhe deklarata e fundit. Zeka për “çudi” kësaj radhe i doli në mbrojtje deputetes së PDK-së, Flora Brovina, për publikimin e fotografisë, për të cilën pretendonte se ishte shkrepur gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Madje, sikur nuk mjaftonte me kaq. Ai duke u ndjerë krenar me të kaluarën e Kadri Veselit, deklaroi se e mbështet iniciativën e kreut të PDK-së për krijimin e Tribunalit, por që nuk beson që do realizohet.

Gjithashtu ai ka kërkuar nga Veseli që të mos jetë modest me njerëz të caktuar. E sipas tij, janë edhe shqiptarët ata që kanë rrahur, fyer e poshtëruar kombin, prej kohës së Rankoviqit.

“Me kënd do të vazhdosh, me ata që na i kanë lënë nënat tona duke vajtuar për neve e na kanë përzënë në ekzil për 20 vjet, deri jemi kthyer në luftë, me ata që na kanë spiunuar 24 orë, me ata që na i kanë dhunuar nëpër dhomat e hetuesisë gratë tona, motrat tona? Me ata do të bëjnë koalicion e do të paraqitemi të civilizuar, jo kryetar. Prandaj, të lutem edhe njëherë, kur iu thua nganjëherë ‘kam me iu ngi SHIK’, mos guxofsh me i ngi, thirrëm unë i ngij, qetu dal në foltore”, tha ai.

Nga opozita shkurtimisht deputetin Milaim Zeka e kanë konsideruar si një “sharlatanë”, që nuk i rreh sakica me një vend.

Ndërsa, nga ana tjetër, shoqëria civile dhe njohësit e politikës në vend, qasjen e Zekës e quajnë si një “klithje” dhe sulm pa fakte.

Avdyli: Zeka “sharlatanë”, si rreh sakica me një vend

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, ka komentuar shkurtimisht deklaratën e deputetit Milaim Zeka.

Deputeti i LDK-së duke aluduar në Milaim Zekën, ka thënë se ky i fundit është një “sharlatanë”, që si rreh sakica me një vend.

Image
Haxhi Avdyli

“Reagimi ndaj disa sharlatanëve në Kuvend që s’ju rreh sakica me një vend, do të thoshte që po e marrim seriozisht dhe e bëjmë të rëndësishme mbllaçitjen e tyre”, ka deklaruar Haxhi Avdyli i LDK-së.

Rexhaj: Zeka “mizën pas veshit”

Veprimtari politik, Sali Rexhaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke folur për deklaratat e fundit të deputetit Milaim Zeka, ka thënë se ky i fundit e ka “mizën pas veshit”, prandaj, sipas tij, deputeti i Kuvendit të Kosovës, “klithë shpesh pa lidhje”.

Image
Sali Rexhaj

“Jam shumë mirë i informuar me dosje të bashkëpunëtoreve të SSH-së në vitet 70/80. Milaim Zeka e ka “mizën pas veshit”, prandaj, klithë shpesh pa lidhje dhe sulmon majtas e djathtas pa asnjë fakt”, është shprehur Rexhaj, për gazetën “Bota sot”.

Mes tjerash, Rexhaj ka potencuar se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), është një organizatë fantome, dhe se deri më tani nuk dihet se me çka është marrë, dhe se kujt i ka raportuar.

“SHIK-u më shumë është organizate fantome, deri sot nuk dihet se me çka është marrë, dhe kujt i ka raportuar, nga kush është financuar. Më shumë është spekuluar më të, dhe i ka shërbyer vetëm një klani të caktuar. Siç po quhet tani Klani Pronto”, ka thënë mes tjerash veprimtari Sali Rexhaj për gazetën “Bota sot”.

Miftari zbulon detaje të padëgjuara për SHIK-un

Eprori i lartë i G2 ish-UÇK-së dhe ish-pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari ka treguar për gazetën “Bota sot” disa detaje rreth mënyrës se si ka funksionuar ky shërbimin informativ.

Ai ka treguar edhe qëllimin kësaj organizate, për të cilat kjo e fundit do të përkujdesej me çdo kusht pas përfundimit të luftës.

Image
Naim Miftari

“SHIK-u kur është formuar është formuar me premtime se do mbronte me çdo kusht pasluftës interesin nacional dhe shtetit e Kosovës, pastaj dal ngadalë SHIK-u është formuar në shërbim sekret të Thaçit Halitit, Veselit dhe PDK-së”.

Miftari me tej është shprehur se SHIK-u ka ndërruar orientim dhe është shndërruar në organizatë propagandistike.

“Domonizimi i SHIK-ut është bërë nga Thaçi, Veseli, Haliti, Grabovci, Syla, me bandën e tyre përreth e quajtur Pronto. Dal ngadalë SHIK-u, ka ndërruar orientim dhe është shndërruar në organizatë propagandistike, që çdo kundërshtar apo ide tjetër apo konkurrentë të brendshëm të Thaçit dhe Veselit e kanë mbushur UNMIK-un dhe EULEX-in, por sidomos ambasadat e Qunitit, me informata të rreme, duke i shantazhuar dhe etiketuar kundërshtarët, herë si të korruptuar, dhe si pjesë e krimit të organizuar, e disa duke i etiketuar edhe si terroristë, sidomos te amerikanët, francezët, britanezët, gjithmonë duke u proklamuar se pa SHIK-un, nuk do të ketë kurrë qetësi publike, apo edhe qetësi multietnike”, është shprehur Miftari.

Ish pjesëtari i SHIK-ut ka zbuluar se viktima të dosjeve të kurdisura kanë qenë edhe Ramush Haradinaj, Anton Quni, Sami Lushtaku dhe disa të tjerë.

“Ju kujtohen 500 dosjet famoze, kinse që ju dha SHIK-u UNMIK-ut, mbi 90 për qind në ato dosje ishin të rreme false, dhe goditej sidomos stafit politik të LDK-së. Nuk është më rëndësi se çka thotë Zeka apo Kadria, por thasët e SHIK-ut dhe thesari i tyre me UDB-ashët e rehabilituar pasluftës në SHIK janë broçkulla, propaganda dhe etiketime të rrejshme. Mbi 90 për qind të tyre pasi të sakta i kanë vetëm emrat dhe mbiemrat dhe ditëlindjet e të targetuarëve të tyre politik, dhe kundërshtarët e jashtëm dhe të brendshëm. Viktimë të atyre dosjeve të kurdisura janë Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Syleman Selimi, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Anton Quni, Sami Lushtaku, Agim Çeku, Klani Hamiti, e disa qindra e mijëra persona tjerë”, ka shtuar Miftari.

Krejt në fund, Miftari ka theksuar se Shërbimi Informativ i Kosovës e cila udhëhiqej nga Kadri Veseli, ka amnistuar të gjitha krimet serbe të luftës në Kosovë.

“Të tregojnë se sa kriminel serb e krime të UDB-së janë kapur e dënuar gjer më tani me ndihmën e SHIK-ut. 14.000 vrasje, mijëra dhunime, mijëra kufoma të zhdukura, mbi 116.000 shtëpi të rrafshuara me tonë, një milion shqiptar të ndjekur. Sa nga këto krime janë ndjekur, janë kapur nga SHIK-u. Numri është zero, përkundrazi kanë bashkëpunuar dhe i kanë amnistuar të gjitha krimet serbe të luftës, edhe ato krimet e dhunimeve që dëshironte ti plasonte Vlora Brovina, me foto të rrejshme të SHIK-ut”, ka përfunduar Miftari.

Mehmeti: SHIK është shndërruar në sinonim të vëllavrasjeve, Zeka të ketë kujdes

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deputeti Zeka, vuan nga të qenurit gjithnjë protagonist.

Image
Faton Mehmeti

“Mendoi se Milaim Zeka ka sëmundje për tu shfaqur gjithnjë si protagonist, vuan nga të qenurit gjithnjë protagonist, andaj edhe bënë këso veprime. Përtej fjalëve të tija nuk më duket se Zeka ka potencial për të ndryshuar diçka, apo për të qenë ndryshe nga ata që ishin pjesë e SHIK-ut”, ka thënë analisti politik.

Sipas tij, Shërbimi Informativ i Kosovës është shndërruar në sinonim të vëllavrasjeve, prandaj, Zeka duhet të ketë kujdes kur flet gjera të tilla.

“Faktikisht nuk duhet të keqkuptohet se kush ka qenë në SHIK është kriminel, por duhet të hetohet dhe verifikohet se kush çfarë ka bërë. Gjithsesi, SHIK-u është shndërruar në sinonim të vëllavrasjeve, prandaj, Zeka duhet të ketë kujdes kur flet gjera të tilla, pasi shumë njeriut mund edhe t’i hapen plagët”, ka thënë Mehmeti.

Mes tjerash, ai ka nënvizuar se nuk duhet bërë propagandë me këtë shërbim, por duhet të matet kush flet dhe çfarë thotë.

“Duhet një komision ndërkombëtar të hetojë SHIK-un dhe të dihet kush çfarë ka bërë, dhe të merr dënimin e merituar. Prandaj, nuk duhet bërë propagandë me këtë shërbim, por duhet të matet kush flet dhe çfarë thotë. Zeka nuk duhet të merret seriozisht, megjithëse duhet pasur kujdes kur flitet për gjëra të tilla”, ka thënë mes tjerash, për gazetën “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat