“LDK mund të vije përsëri në krye nëse zgjedh kryetarin e duhur”

Politika

“LDK mund të vije përsëri në krye nëse zgjedh kryetarin e duhur”

Nga: N.H Më: 19 mars 2019 Në ora: 21:43
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar me procesin e saj zgjedhor. Ndonëse ende nuk janë bërë zyrtare kandidaturat, disa emra po përfliten si kandidatë për të parin e LDK-së.

Deri më tani nëpër media po qarkullojnë disa emra të anëtarëve të LDK-së, të cilët janë përfolur që do të kandidojnë për të parin e partisë.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar zërat e fundit rreth kandidaturave për të parin e LDK-së.

Krasniqi ka thënë se është pozitive kur ka konkurrencë në një parti, shkruan gazeta “Bota sot”.

“Nëpër media po qarkullojnë shumë pretendente për pozitën e te parit të LDK-së. Mirë është kur ka konkurrencë. Në zgjedhjet e kaluara në LDK, kryetari Isa Mustafa u rizgjodh në mënyre arbitrare. Kjo u bë mënyrë që të eliminohen kandidatët e tjerë, respektivisht Vjosa Osmani e cila ishte kundërkandidatja e vetme e Mustafës. Për shkak të frikës së zonja Osmani do ia rrezikoj postin e kryetarit, në mënyrë arbitrare e eliminoi nga gara”, ka thënë Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në rast se përsëriten raste si ndodhi në Kuvendin e fundit, ka edhe mundësi që të ketë ndonjë eskalim të situatës.

Analisti politik nënvizon se partia më e madhe në vend mund të vije përsëri në krye të vendit nëse zgjedh kryetarin e duhur.

Image
Faik Krasniqi

“Të gjithëve u kujtohet nxjerrja zvarre e zonjës Donika Gervalla, nga bodigardet e LDK-së në sallën ku po mbahej votimi për të zgjedhur kryetarin. Në rast se përsëriten raste të tilla nga ndonjëri prej kandidatëve, ka mundësi që të ketë ndonjë eskalim”.

“LDK mund të vije përsëri në krye nëse zgjedh kryetarin e duhur, kryetarin që e do elektorati. Kryetarin që nuk është i afërt me PDK-në, dhe që ka qenë gjithmonë kundër koalicioneve me ketë parti. Në të kundërtën kjo parti do të këtë rënie të vazhdueshme”, ka thënë ndër tjerash ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat