“Kosova e formoi ushtrinë, Evropës i iku treni”

Politika

“Kosova e formoi ushtrinë, Evropës i iku treni”

Nga: G.B Më: 23 janar 2019 Në ora: 23:59
Ilustrim

Parlamentari evropian Eduard Kukan i ka kërkuar BE-së që të bëjë më shumë punë dhe më pak fjalë ndaj Kosovës dhe t'ia rrahë tavolinën sa i përket taksës, pasi Kosova nuk po e heq atë dhe e formoi ushtrinë pavarësisht kundërshtimeve.

Lidhur me këtë analisti politik, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Evropës i ka ikur treni dhe se Kosova e ka formuar ushtrinë me përkrahjen e SHBA-së, ndërsa i përket thirrjeve që ta rrahin tavolinën për taksën, ai thotë se ata duhet ta dinë se Kosova ishte viktimë dhe jo Serbia.

"Kosova e formoi ushtrinë me përkrahje amerikane dhe Evropës i ka ikë treni për këtë punë, nuk është tagër i Evropës ushtria e Kosovës, dua të besoj unë. Ndërsa së i përket thirrjeve që Kosovës t'ia rrahin tavolinën, liderët e Evropës ta dëgjojnë më parë Kosovën dhe të mos harrojnë se Kosova ishte e është viktimë dhe jo Serbia edhe pse Serbia e luan perfekt rolin e viktimës. Unë jam shprehur edhe më parë dhe për mendimin tim Kosova nuk e ka dhënë më të mirën e mundshme të saj në bisedimet me Serbinë, nuk ka dërguar bisedues serioze dhe ka lejuar që të rinisin lojërat politike nga e para edhe pasi është njohur Kosova e pavarësia e saj nga mbi 100 shtete", është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Shahu vlerëson se formimi i ushtrisë nuk mund të zhbëhet dhe taksa është e negocueshme, por që sipas tij, Kosova do të duhej të bëhej trime dhe të bojkotonte dialogun me Serbinë dhe në Prishtinë të gjithë duhet të jenë njëzëri që të tregohet se Kosova është shtet serioz.

"Formimi i ushtrisë nuk zhbëhet ndërsa taksa ka qenë dhe është e negocueshme. Megjithatë sipas mendimit tim, përjashto lojërat e pista politike për pushtet në Prishtinë, do të duhej që klasa politike të bëhej bllok dhe të bëhej trime. Të bojkotonte bisedimet që ecin zvarrë pasi këto nuk janë bisedime por janë dhënie kohë Serbisë, nervozitet i Evropës dhe fajësim i Kosovës për vonesat. Politika në Prishtinë do të doja të ishte me një zë, nuk bisedojmë kështu nën presion, nuk bisedojmë për gjëra që janë kryer si liria e pavarësia, nuk bisedojmë pa kushte dhe pa garanci të një fuqie mike. Nuk bisedohet për ta mundur Kosovën kur ende nga Serbia vijnë kufoma shqiptarësh. Shqiptarët nuk fitojnë në bisedime pa një ndërmjetës të fortë një shtet mik dhe pa qenë qëndrestare. Nuk do të doja kurrë me bisedime farsë dhe nga individë që nuk përfaqësojnë institucionet sepse japim idenë se jemi jo shtet serioz", ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat