Zogaj tregon a e cenon miqësinë me Amerikën taksa ndaj Serbisë

Politika

Zogaj tregon a e cenon miqësinë me Amerikën taksa ndaj Serbisë

Nga: G.B Më: 16 janar 2019 Në ora: 22:06
Skënder Zogaj

Taksa për produktet serbe dhe ato të Bosnjës nuk është hequr ende, pavarësisht kërkesave që ajo të hiqet. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ajo nuk do të hiqet, derisa Serbia ta njohë Kosovën, derisa heqjen e taksës e kanë kërkuar edhe SHBA.

Se a duhet dhe a do të hiqet taksa, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Zoti dhe SHBA-janë shpëtimtarët e Kosovës dhe ne duhet të jemi mirënjohës ndaj tyre, duke mos i lënë që tu shkojë mundi huq.

“SHBA-të në tokë dhe Zoti në qiell janë shpëtimtarët e popullit shqiptarë të Kosovës dhe, ne, pa asnjë mëdyshje duhet t’u jemi mirënjohës të përjetshëm! Dhe, mirënjohja jonë më e madhe, për Zotin dhe Amerikën unë mendoj se është që të mos e lëmë që të shkojë huq mundi dhe ndihma çlirimtare e SHBA-ve e kurorëzuar me shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës”, është shprehur Zogaj.

Sipas tij, Haradinaj taksën e ka bërë nga halli dhe nuk mendon se e cenon miqësinë amerikane.

“Sa i përket taksës, që Kryeministri Haradinaj e ka bërë nga halli, sado që duket se e ka shqetësuar, nuk mendoj se e cenon miqësinë amerikane, përkundrazi, është një çështje për të cilën Qeveria e Kosovës ka rastin të kërkojë ndihmën e miqve amerikanë, duke ua sqaruar rastin dhe arsyen e Taksës”, ka vlerësuar ai.

Zogaj mendon se taksa nuk duhet të hiqet, derisa shton se me taksë, Haradinaj ka dëshmuar diçka.

“Unë mendoj se Taksa duhet të qëndrojë, e nëse hiqet, atëherë duhet të tregohet tradita: mikut i falet edhe gjaku i djalit! Ramush Haradinaj me taksën ka sinjalizuar se Kosova nuk është “livadh i shkretë ku mund të kullosin kuajt e verbër!”! Haradinaj nuk është duke e kundërshtuar mikun, por po ia tregon hallin që ka Kosova”, ka deklaruar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat