Viti i ri akademik, “Nënë Tereza” nuk figuron askund

Maqedonia

E enjte, 28 mars 2024

Viti i ri akademik, “Nënë Tereza” nuk figuron askund

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 11:06
Ilustrim

Universitetet publike të Maqedonisë këtë javë hapin konkurset për regjistrimin e studentëve të viteve të para por në listën e tyre vazhdon të mungojë Universiteti “Nënë Tereza”. Për këtë universitet fillimisht u paralajmëruan gjithsej 1220 kuota të cilat tashmë vetëm disa javë para fillimit të vitit akademik, akoma nuk janë zyrtarizuar. Gjatë shpalljes së kuotave për universitetet tjera publike, në muajin qershor, ministri arsimit dhe shkencës Pishtar Lutfiu, miratimi i tyre do të bëhet në seancën e ardhshme të qeverisë.

“Duke pasur parasysh faktin që ky është një universiteti i ri, Komisionet amë i kanë shqyrtuar kuotat, i kanë përpunuar dhe kanë rënë në një konstatim dhe në seancën e radhës të Qeverisë do të kalojnë edhe kuotat e universitetit “Nënë Tereza” është formuar edhe një grup punues për të marrë përsipër të gjithë lokacionin dhe besoj që së shpejti do të rregullohen zyrat dhe studentët do të mund të drejtohen aty për regjistrimin në vitin e parë”, tha Pishtar Lutfiu, ministër i arsimit.

Tani që kanë kaluar disa javë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë që për vendimet rreth kuotave të universitetit të ri do të prononcohen ditët në vazhdim.  Që nga publikimi i vendimit për Universitetin “Nënë Tereza”, ka pasur vonesa në formimin e komisioneve amë, në fillimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri si dhe në gjetjen e një lokacioni për zhvillimin e përkohshëm të procesit mësimor. Ndërkohë, objekti i ri, nuk do të jetë gati për të paktën dy vitet e ardhshme. Javë më parë, Qeveria vendosi që t’i rikthejë Universitetit të Tetovës fakultetet dhe degët studimore për të cilat fillimisht u vendos që të funksionojnë vetëm në Universitetin “Nënë Tereza”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat