Ali Berisha rikthehet në krye të AAK-së në Pejë

Peja

Ali Berisha rikthehet në krye të AAK-së në Pejë

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 15:09
Ali Berisha

Ndryshime kanë ndodhur në partinë e Ramush Haradinajt. Fatmir Gashi, kryetar i gjertanishëm i AAK-së në Pejë, ka hapur garën për këtë pozitë pa vënë emrin e tij në rikandidaturë, kështu që strukturat partiake të degës kanë kthyer në udhëheqje Ali Berishën, deri më tash sekretar organizativ i AAK-së në nivel qendror.

Ali Berisha, mjek me profesion, aktualisht zv/ministër i Shëndetësisë, një figurë shumë popullore në strukturat e partisë dhe në Pejë, ka qeverisur me këtë komunë nën logon e AAK-së për 5 vjet e 8 muaj.

Në deklaratën e parë pas rizgjedhjes Ali Berisha ka vënë pikat orjentuese të energjisë së veprimit. Berisha ka shfaqur një qëndrim të prerë për të gjithë lojtarët politik dhe mekanizmat tjerë në komunën e Pejës. Ka garantuar në rikthim të AAK-së në komunë.

“Është nderë i veçant për mua, të marrë këtë detyrë nga z.Fatmir Gashi, një model politikani e ekonomisti, një njeri i respektuar në punë, rast të cilin fatkeqësisht e humbëm bashkë me 22 tetor të vitit të shkuar, për ta vënë në krye të komunës së Pejës. Me Fatmirin do të vazhdojmë së punuari bashkë! Unë sot dua t’ju garantoj se do të punojmë bashkë, 24 orë për fitoren e Pejës. Dyert e partisë janë të hapura për të gjithë. Opozitarizimi ynë do të jetë konstruktiv dhe do karakterizohet në heqjen e maskës ndaj pushtetit aktual komunal. Nga sot ftoj mediat për korrektësi dhe vëmendje, lojë fer. Aleanca dhe unë do të sillemi me kartë reciproke ndaj të gjithëve. Ne nuk do të heshtim ndaj gjërave dhe dukurive negative nga kushdo qofshin. Jemi të interesuar të punojmë. Puna ekipore do të jetë maksimë për ne. Po fillojmë ripërtëritjen e kontratës me qytetarët. Peja do të ketë dinjitet”, ka deklaruar Berisha me të marrë detyrën e re.

Ndërsa Fatmir Gashi, kryetar i gjertanishëm i AAK-së në këtë qytet, ka shprehur bindjen e plotë se me Ali Berishën, AAK do të kthehet edhe në qeverisjen lokale.

Gashi një nga themeluesit e AAK-së në Pejë, ka ndarë fjalët më të mira për kryetarin e ri, përderisa ka kujtuar se këtij të fundit, pasuesit të tij i ka lënë të shkruar projektin ekonomik për Pejën.

“Kthimi i Dr. Ali Berishës në krye të degës do të thotë kthim i Aleancës në ri-marrjen e përgjegjësive në të ardhmen edhe në ekzekutivin komunal. Për mua ka qenë nderë i posaçëm rrugëtimi në këtë mandat në krye të një dege të AAK-së, siç është kjo e Pejës, degë themeluese e AAK-së në nivel vendi. Rrugëtimi im politik vazhdon në Qeverinë e Republikës së Kosovës, pranë kryeministrit Haradinaj, ndërsa këtë falënderim po e mbyllë për ju, me atë çfarë e kam thënë në fillim të fushatës: ‘Kur Peja flet për ekonomi, të tjerët duhet të mbajnë shënime’. Logjika ime ekonomike e hartuar për qeverisjen e ardhshme të Pejës, tashmë është në sirtarët e kryetarit të ri, Dr. Ali Berisha. Unë kam besim në Ali Berishën! Urime Pejë, Urime AAK.”- është shprehur Fatmir Gashi.

Kryetari i ri i degës së AAK-së në Pejë, brenda 60 ditësh obligohet të emërojë kryesinë e re në përbërje prej 30 anëtarësh dhe 3 nënkryetarësh. Në AAK-në e Pejës thonë se ndryshimet priten të jenë të mëdha, meqë Berisha është rikthyer me kartë dhe standard të ri.

Një falënderim për punën e sinqertë në periudhat drejtuese të degës, si nga Gashi dhe nga Berisha ka shkuar edhe për kryetarët e mëparshëm prof. Dr. Muhamet Mala dhe Naim Sahiti si dhe të gjitha strukturat, aktivistët, simpatizantët dhe votuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat