Dëshmorët, udhërrëfyes për ndërtimin e shtetit - Bota Sot
Dëshmorët, udhërrëfyes për ndërtimin e shtetit

Peja

E enjte, 20 shtator 2018

Dëshmorët, udhërrëfyes për ndërtimin e shtetit

Më: 16 prill 2018 Në ora: 19:27
Hashim Thaçi

Në Pejë është mbajtur një akademi përkujtimore në të cilën janë përkujtuar heronjtë e Kosovës, Shkëlzen Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij, në 19 vjetorin e rënies heroike në luftën për liri.

Në këtë akademi u tha se  sakrifica e tyre do të jetë shembull për ndërtimin e një shteti të fortë, ashtu sikurse e kishin ëndërruar ata.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se vendi është krenar me emrin dhe veprën e dëshmorëve dhe sot Kosova është shtet i lirë dhe sovran falë tyre.

Duke folur për dëshmorët që u përkujtuan sot, presidenti përmendi edhe djemtë e vajzat tjera që i ishin bashkuar luftës për liri, duke thënë se ata bartën me nder uniformën e UÇK-së dhe se nuk u dorëzuan asnjëherë që ëndrrën për liri ta bëjnë realitet.

Ai ka kujtuar dëshmorin Shkëlzen Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij, duke vlerësuar lart kontributin e tyre të paçmueshëm në luftën për lirinë e vendit.

Thaçi: Rënia për liri është sakrifica më supreme

 "Kur sheh biografinë e dëshmorëve të cilët i kujtojmë sot, del qartë një fill i pashkëputur i veprimtarisë patriotike të familjeve të tyre. Shkëlzen Haradinaj ishte ndër pjesëtarët e hershëm të UÇ?-së që me energji të pashtershme ndihmuan në lëvizjen e ushtarëve në territorin e Kosovës që furnizoheshin me armatim. Gjithmonë besnik, vigjilent dhe i palodhshëm. Luan Haradinaj kishte rënë dëshmor në luftën e kufirit, në përpjekje që sa më parë, që në maj të vitit 1997. Shkëlzeni, Famiri, Hasimi e të tjerët me kontributin e tyre u dëshmuan sidomos në periudhat e para të UCK-së. Këta ushtarë, komandantë e drejtues të luftës në zonën e Dukagjinit dhe më gjerë, që nga beteja e 24 marsit 1998 në Gllogjan, e deri tek rezistenca e 16 prillit të vitit 1999 mbajtën me nder uniformën e UÇK-së”, tha presidenti Thaci.

Sipas tij Kosova për të cilën sakrifikuan këta dëshmorë është rrëfim i suksesshëm të çlirimit dhe i paqes, duke dëshmuar të arritura përgjatë këtyre 19 vjetëve.

Gafurr Elshani ka kujtuar disa nga momentet dhe veprimet e heronjve që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës çlirimtare. Derisa ka përmendur edhe kontributin e kryeministrit Ramush Haradinaj në luftën për liri, dhe ndikimin e tij në formimin politik dhe ushtarak tek vëllai i tij, Shkëlzen Haradinaj.

Ai krahas dëshmorëve të Gllogjanit, kujtoi edhe 1000 dëshmorët e tjerë të Zonës Operative të Dukagjinit, të rënë në luftën për liri.

Elshani: Sot po nderohen të gjithë luftëtarët e Dukagjinit

"Ramush Haradinaj punoi në shtrirjen e strukturës ushtarake në Kosovë, i cili kishte dhënë shembullin personal të sakrificës. Së pari i organizoi vëllezërit e tij Shkëlzenin, Dautin e Luanin, pastaj të gjithë ata që ishin të gatshëm të luftonin për lirinë e vendit... i tërë fshati Gllogjan, që dha 27 dëshmorë, ishte angazhuar në rezistencën e armatosur që nga embrioni i saj. Ky fshat u bë qendër e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë e cila u shqua në luftën çlirimtare, e ne sot nderojmë edhe kontributin dhe flijimin për liri të rreh 1000 dëshmorëve të cilët luftuan në kuadër të kësaj zone shumë të rëndësishme për rezistencën dhe luftën për liri", u shpreh Elshani.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, tha se për dëshmorët flet vepra e atyre që kanë rënë dhe rruga nëpër të cilën kanë kaluar për të ardhur deri tek liria.

Ai tha se më e pakta që mund të bëhet sot, është rikujtimi i atyre që kanë rënë në luftën e lirisë. Derisa shtoi se nderimi më i mirë është realizimi i amanetit të tyre për të jetuar të drejtën historike si një komb i bashkuar.

Jashari: Nderimi më i mirë për dëshmorët është realizimi i amanetit të tyre

"Besoj se për të shkruar historinë reale edhe të Haradinajve dhe të gjithë atyre që kanë rënë në Epopenë e lavdishme të UCK-së, jo vetëm në luftë, ne i kujtojmë këta viganë tonë. Padyshim se kujtojmë gjithë ecjen tonë në rrugën e lirisë", u shpreh ai.

 Bashkëluftëtari i të rënëve, eprori i UÇK-së, Ibrahim Selmanaj, tha se çmimi i lirisë është gjithmonë i lartë. Duke rrëfyer pjesë të historisë së luftës së fundit në Kosovë, ai ka përmendur edhe vrasjen e Enver Haradinaj, vrasje kjo që kishte ndodhur 6 vjet te pas luftës, duke u bërë një dhimbje tjetër për familjen e Hilmi Haradinajt.

Selmanaj:  Familja Haradinaj mbajti  një barrë të rëndë edhe pas luftës

"I kujtojmë këto familje të mëdha të Dukagjinit, që historikisht ecën drejt kauzës shqiptare. E familja e Hilmi Haradinajt, barti një barrë të rëndë edhe pas luftës. Janë 6 vite pas luftës kur edhe një mashkull i Hilmisë vritet tinëzisht. Vritet në rrethana ende të pasqaruara, eprori i lartë, invalid i luftës, student shembullor në Universitetin e Prishtinës. Sot mungojnë shumë ushtarë e dëshmorë të cilët duhet t'i kujtojmë e nderojmë. Por sot në këtë datë, bashkë po i nderojmë heronjtë e Dukagjinit, Shkëlzenin, Dautin, Hasimin e Luanin e Fatmirin. Lavdi e përjetshme", tha ai.

Në akademi para të pranishmëve ka folur Luan Haradinaj i riu, djali i dëshmorit  Shkëlzen Haradinaj.

Ai tha se shembulli i të rënëve në luftën për liri, do të jetë gjithmonë udhërrëfyes për brezat e ri.

Haradinaj: Ne duhet të punojmë për një shtet të fortë ashtu siç deshën dëshmorët

"Shembulli i dëshmorëve të kombit do të jetë gjithmonë udhërrëfyes për ne. Në rrugën e ndërtimit të një shteti të fortë, ashtu siç e deshën dhe e ëndërruan ata. Lavdi të gjithë dëshmorëve", tha ai.

Të pranishëm në këtë akademi ishin përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,  kryeministri Ramush Haradinaj, ministra, zëvendësministra, deputetë familjarë të të dëshmorëve, si dhe përfaqësues të tjerë. Ndërkaq në nderim të jetës dhe kontributit të tyre në luftën për liri, sot janë vënë kurora lulesh tek busti i Shkëlzen Haradinajt dhe pllaka me emrat e dëshmorëve.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test