I akuzuari për terrorizëm sërish deklarohet i pafajshëm - Bota Sot
I akuzuari për terrorizëm sërish deklarohet i pafajshëm

Peja

E mërkurë, 15 gusht 2018

I akuzuari për terrorizëm sërish deklarohet i pafajshëm

Më: 4 prill 2018 Në ora: 19:31
Gjykimi i Sokol Morinës për terrorizëm

Për herë të dytë Sokol Morina ka dalë para Gjykatës për t’u përballur me akuzat se i është bashkuar organizatës terroriste “Al-Nusra” në Siri.

Morina sërish është deklaruar i pafajshëm për akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Vitin e kaluar, Sokol Morina u dënua nga Gjykata Themelore e Pejës me tre vjet burgim me kusht, mirëpo pas ankesave rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

“Jo, nuk e pranoj fajësinë”, u përgjigj Morina kur u pyet nga kryetari i trupit gjykues.

Morina gjatë mbrojtjes së tij nuk e mohoi faktin se ka qenë në Siri. Mirëpo tha se gjatë qëndrimit të tij disamujor ka qenë pjesë e Ushtrisë së Lirë Siriane dhe shumicën e kohës ka qëndruar në spital për shkak të plagëve që kishte marrë.

Ai theksoi se mbetet në tërësi pranë mbrojtjes së dhënë në shqyrtimin e mëparshme gjyqësor.

Kryetari i trupi gjykues, Sylë Lokaj, e pyeti Sokol Morinën se a ka ndonjë provë me të cilën argumentohet se ishte pjesë e Ushtrisë së Lirë Siriane.

I akuzuari tha se në atë kohë ishte duke u trajtuar në spital dhe e kishte të pamundur të sillte ndonjë dokument për shkak të zhvillimeve luftarake në atë shtet.

Gjatë kësaj seance palët dhanë edhe fjalën përfundimtare, ku prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, tha se mbeten pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e mëparshëm, por ndër të tjera tha se duhet marrë parasysh edhe fakti i pohuar nga vetë i akuzuari se nuk ka prova se i ka takuar organizatës luftarake të cilën pretendon.

Edhe avokati i Sokol Morinës, Asdren Hoxha, tha se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë vitin e kaluar në shqyrtimin gjyqësor, por shtoi se duhet pasur parasysh se nuk ka asnjë provë të vetme nga aktakuza me të cilën vërtetohet se klienti i tij ka marrë pjesë në ndonjë nga organizatat terroriste që veprojnë në shtetin e Sirisë.

Gjatë kësaj seanca u bë edhe leximi i provave, ndërsa shpallja e aktgjykimit u caktua nga trupi gjykues të bëhet më 6 prill.

Prokuroria pretendonte se Sokol Morina e Alban Shala në mesin e vitit 2013 udhëtuan nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, prej ku më pas vazhduan rrugën për në qytetin Hataj, ku edhe kishin kaluar kufirin turko-sirian ilegalisht dhe kishin shkuar në kampin stërvitor të “Al Nusra”-s në qytetin e Alepos, ku edhe ishin rekrutuar.

Sipas aktakuzës, pas disa luftimesh në qytetin sirian Alepo, Morina ishte plagosur në gju dhe për këtë arsye ishte kthyer përkohësisht në Kosovë, për t’u shëruar. Është kjo kohë kur kishin lindur dyshimet e para të Prokurorisë për aktivitetin e tij./Kallxo.con/

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test