Vdekja e dyshimtë e gjermanit në Pejë, që e la amanet ta varrosin në Kosovë

Peja

Vdekja e dyshimtë e gjermanit në Pejë, që e la amanet ta varrosin në Kosovë

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

Vitet e fundit të jetës së tij, shtetasi i Gjermanisë Elmar Richard Arnold i kaloi në Kosovë. Ky burrë 70-vjeç u familjarizua shumë me shqiptarët dhe për rreth katër vjet jetoi në Pejë. Shoku i tij i ngushtë u bë Naim Gjevukaj, pronari i shtëpisë në të cilën Arnold jetonte me qira. Gjermani kishte probleme me astmën, e cila mund të ketë qenë shkaktare e vdekjes, por aktualisht policia po e cilëson si vdekje të dyshimtë. Trupi i tij është gjetur nga fqinjët, të clët rrëfejnë se ka qenë me gjysmën e trupit brenda dhomës e gjysmën e trupit dhe kokën jashtë dritares.

Media ka qëndruar sot në Pejë, ku pronari i shtëpisë ku Arnold banonte me qira, Naim Gjevukaj, tregon për kontaktin e fundit me Arnoldin, shoqërinë, dhe kërkesën që ky gjerman e kishte për t’u varrosur në Kosovë.

Arnoldi e thërriste Gjevukajn vëlla. Ndërsa ky e përshkruan gjermanin si njeri të mirë, të dashur dhe të urtë.

Natën e fundit para se të vdiste, gjermani kishte kërkuar nga Gjevukaj bukë të shtëpisë dhe i kishte thënë se e ka shumë për zemër.

Ky ishte kontakti i fundit me Gjevukajn:

“Në mbrëmje më tha ‘bruder’ (vëlla), se unë foli gjermanisht, ‘të kam shumë për zemër’. Ja qita dorën i thash e di edhe unë ty, tha s’jam mirë s’po mundem me marrë frymë, i thashë hajt se të kalon se edhe unë kur po ndërron koha frymë s’po mundem me marrë”.

Kishin qenë këto fjalët e fundit që shokët e ngushtë i shkëmbyen.

Sidoqoftë, Gjevukaj ata natë përveç dy kuleçve me bukë thotë se i kishte dhënë edhe para Arnoldit për ta blerë një medikament për frymëmarrje, por i njëjti të nesërmen u gjet pa shenja jete.

“Shumë njeri i mirë ka qenë. Me frymëmarrje ka pasur problem. Dje në mëngjes në dritare, u ra përmbys. E ka lëshuar shpirti në dritare. Ka pasur plot shokë, qe katër vjet ka qenë këtu, krejt Peja e ka njohur”, rrëfen Gjevukaj për Express.

Ai tregon se kohë më parë në Kosovë ka ndërruar jetë edhe gruaja dhe djali i gruas së këtij shtetasi nga Gjermania. I njëjti kishte lënë amanet që ta varrosnin në Pejë, pranë ish-gruas.

“Kur të vdes me më shti në dhe te gruaja. I thashë nuk mundem me ta dhënë këtë premtim, ti je shtetas i huaj dhe duhet me lajmëru policinë, ta bëjnë obduksionin. Nëse famija jote duan të të marrin është e drejta e tyre”, rrëfën Gjevukaj një nga bisedaet e përditshme që kishte pasur me Arnoldin.

Mëngjesin e djeshëm ai u gjet pa shenja jete. Aktualisht ky rast po cilësohet si “vdekje e dyshimtë”. Këtë e ka konfirmuar, Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës.

“Dje në orën 11:00, një mashkull kosovar ka lajmëru se në shtëpinë të cilën e ka lëshuar me qira ka gjetur pa shenja jete një shtetas të huaj. Policia ka dalë ne vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit trupi i tij është dërguar për obduksion. Momentalisht rasti u cilësu si vdekje e dyshimtë”, tha Krasniqi.

Media mëson se pranë të ndjerit ishte gjetur aparati (pompa) i cili shërben për lehtësimin e frymëmarrjes. Ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e tij, ndërsa në trup nuk janë vërejtur shenja dhune.

Mësohet se ky shtetas gjerman ishte familjarizuar me shqiptarët, ndërsa nuk mbante kontakte me familjarët e tij nga Gjermania. Pronari i shtëpisë tha se ai kishte prejardhje nga qyteti Shtuttgart i Gjermanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat