Flasin të dyshuarit për plagosjen e katërfishtë në Pejë

Peja

Flasin të dyshuarit për plagosjen e katërfishtë në Pejë

Më: 9 qershor 2017 Në ora: 22:04
ilustrim

Tre të dyshuarit për plagosjen e pardjeshme me armë zjarri të katër personave në qendër të Pejës, treguan në gjykatë versionin e tyre të ngjarjes.

Gzim Hoxha bashkë me dy djemtë e tij, Rrezonin dhe Rrethimin, kanë dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake, të dyshuar për plagosjen e katër personave pardje në qendër të Pejës.

Gzim Hoxha kur foli në gjykatë për atë që ndodhi të mërkurën, tha se  ditën kritike qëllimi ishte të zhvilloheshin bisedime dhe jo të sulmoheshin personat me inicialet N. K e B. K.

Për këto bisedime ai tha se u ftua përmes telefonit nga B. K.

“Mua me ka thirrë përmes telefonit të takohemi me folë, njëfarë mënyre me forcë. Më ka thirrë B. K. duke me thënë eja në Pejë se kam punë me ty dhe me ka thënë mos më fol si kurvat me atë zo në telefon, po eja shpejt”, tha Gzim Hoxha.

Hoxha më tutje tregoi se nga B. K. ishte ftuar për të biseduar rreth një prone që tha se ishte në pronësi të tij.

Ai bëri të ditur se në këtë pronë ka një lokal, ndërsa u ankua se që 17 vjet kishte pasur provokime nga B. K. E N. K.

“Kanë pirë pa paguar, kanë thyer, kanë ba zullum. Jam ankuar te prindi i tyre përpara, po me ka thanë fëmija nuk me dëgjojnë”, tha Gzim Hoxha në gjykatë.

Ai deklaroi se për të biseduar me B. K. e N. K. i kishte marrë me vete edhe babanë e tij dhe djemtë dhe sipas Hoxhës sikur të kishte qëllim vrasjen e tyre, do të shkonte pa të bijtë dhe prindin.

“Po të kisha dashtë mi sulmuar, nuk i kisha marrë djemtë me veti edhe plakun. Fjalën e parë i ka thanë babës ta shti me hangër… (ofenduar), unë jam larguar prej tavoline. Tamon jam shkuar tek kerri e kom pa ma kanë rrethuar djalin (Rrezonin). Po të isha vonuar edhe një minutë,ma kishin therur djalin”, tha Gezim Hoxha në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Rrezon Hoxha, i dyshuari tjetër për plagosjet në Pejë që tha se me profesion është avokat, deklaroi se ndjen keqardhje për atë që ndodhi.

Ai megjithatë veten e konsideroi më të rrezikuarin në ditën kur ndodhën plagosjet.

“Ne kemi bërë përpjekje ditën kritike përmes gjyshit tonë i cili është një njeri i matur, me gjetë mirëkuptim, me biseduar, po kanë qenë rrethana të pashmangshme dhe në atë ditë kritike unë kam qenë më i rrezikuari, sepse me kanë shti si në senduiq, po këto do shpjegohen me vonë”, tha Rrezon Hoxha.

Prokurorja Sahide Gashi në seancë kërkoi paraburgim për të dyshuarit, me arsyetimin se po të ndodhen në liri ekziston mundësia e ikjes së tyre, ndërsa tregoi se prokuroria ka nisur hetimet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurores Gashi, vrasja në tentativë e B. K. Dhe N. K. ndodhi pardje në Pejë në orën 15 e 05 minuta.

“Në rrugën ‘Lekë Dukagjini’ si bashkëkryes me dashje kanë tentuar t’i privojnë nga jeta, këtu të dëmtuarit N. K. dhe B. K. dhe me dashje vejnë në rrezik jetën e dy personave tjerë dhe atë të dëmtuarve të miturit B.R dhe B.L”, tha prokurorja Gashi.

Ajo tregoi se si ndodhi ngjarja, pasi të dyshuarit shkuan për të biseduar me B. K. Dhe N. K.

“Të pandehurit pasi kanë shkuar në vendin e lartcekur për të biseduar me të dëmtuarit rreth një kontesti pronësor fillon kacafytja, ku i pandehuri Gzim nxjerr armën AK47, sikurse edhe të pandehurit Rrethim e Rrezon me revole kanë shtënë në drejtim të viktimave të cilët i plagosin rëndë në pjesë të ndryshme të trupit dhe si pasojë e këtyre gjuajtjeve plagosen edhe dy kalimtarët, këtu të dëmtuarit B.R dhe B.L”, tha Gashi.

Arben Kelmendi, avokat mbrojtës i Gzim Hoxhës kërkoi që të mbrojturit të tij t’i caktohet arresti shtëpiak, pasi tha se Hoxha ka bashkëpunuar me policinë pas ngjarjes së ndodhur në Pejë.

“I njëjti (Gzimi) vetë është dorëzuar, ka bashkëpunuar me policinë dhe caktimi i masës të arrestit shtëpiak pasi që adresa e banimit e tij është në Prishtinë dhe vendi ku ka ndodhur ngjarja është distancë e largët dhe masa e arrestit shtëpiak barazohet me masën e caktimit të paraburgimit”, tha avokati Kelmendi.

Avokatja Aurora Mulhaxha që sipas detyrës zyrtare mbronte Rrethim Hoxhën, kundërshtoi massën e paraburgimit të propozuar nga prokurorja Gashi, me arsyetimin se i mbrojturi i saj nuk ka dashur ta vrasë askënd.

“Municioni i gjetur në armën e konfiskuar tregon se nuk ka dashur ta përfundojë veprën penale”, tha ajo.

Edhe Ramë Dreshaj, avokati i Rrezon Hoxhës, kundërshtoi caktimin e masës së paraburgimit.

Caktim të arrestit shtëpiak dhe jo paraburgim për Rrezon Hoxhën, kërkoi edhe babai i tij Gzim Hoxha, me fjalët se familja ka mbetur pa përkujdesje.

Më pas gjatë ditës në një komunikatë të lëshuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejës Selvane Bukleta, u bë e ditur se njërit nga të dyshuarit i është caktuar paraburgimi e dy të tjerëve arresti shtëpiak.

“Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës, duke caktuar masën e paraburgimit ndaj te pandehurit G. H., ndërsa masën e arrestit shtëpiak ndaj dy të pandehurve te tjerë Rr. H. dhe Rr.H. në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Pejë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat