Kthehet në rigjykim rasti i inspektorit të KPMM-së

Peja

Kthehet në rigjykim rasti i inspektorit të KPMM-së

Më: 12 tetor 2016 Në ora: 22:51
Gjykata e Pejës

Gjykata e Pejës e kishte shpallur të pafajshëm Lulzim Çitakun, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar. Gjykata e Apelit e ka anuluar këtë aktgjykim dhe ka kërkuar rigjykim.

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e inspektorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Lulzim Çitaku, i cili akuzohet për veprën penale marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Çitaku akuzohet së në nëntor të vitit 2013 në cilësi të inspektorit të KPMM-së në fshatin Gremnik të Klinës, në bashkëpunim me inspektorin tjetër tanimë të dënuar, Nuredin Bislimi, i kanë kërkuar 1,000 euro mitë Bedri Elezajt, pronar i kompanisë “Elezaj ShPK” për të mos i shqiptuar gjobë për eksploatim të zhavorrit pa licencë.

Më 23 shtator 2015 Gjykata Themelore në Pejë të akuzuarin  Çitaku e kishte liruar nga akuzat që rëndonin kundër tij.

E pakënaqur me këtë vendim të Gjykatës Themelore, Prokuroria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila më 20 shtator 2016 ka marrë aktvendim me të cilin e anulon aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe rastin e kthen në rigjykim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat