Shumëkatëshet ‘ngjiten’ më lart se lejet në Pejë

Peja

Shumëkatëshet ‘ngjiten’ më lart se lejet në Pejë

Më: 8 tetor 2016 Në ora: 14:31
Ilustrim

Objektet banesore që po ndërtohen në Komunën e Pejës janë duke tejkaluar lejet e ndërtimit.

Për ndërtimet pa leje në Pejë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbajti konferencë për gazetarë.

Në konferencë zyrtari i AAK-së Albert Haxhijaj tha se këto ndërtime mund të mos shihen vetëm nëse zyrtarët e ulin kokën.

“Objekti përballë QKMF-së, objekti në udhëkryq afër shkollës fillore ‘Lidhja e Prizrenit’, objekti te fakulteti i biznesit, objekti në afërsi të Radio-Pejës, etj. Të gjitha këto ndërtime pa leje në zonën e parë të qytetit nuk kanë mundur pa u parë nga policia dhe nga prokuroria, ngase janë ndërtime të larta dhe vlerëlarta dhe vetëm nëse dikush ul kokën mund të mos i shohë,” tha Haxhijaj.

Ai akuzoi udhëheqësit e lartë të komunës që përmes ndërmjetësve po marrin para nga ndërtuesit për t’ua lejuar atyre ndërtimet pa leje.

“Ndërtimet në këto objekte janë ndalur nga inspektorati dhe kjo në disa raste është bërë edhe me media. Flitet së këta inspektorë shfrytëzohen  si ‘masha’ duke i ndalur ndërtimet, ndërsa që më pastaj zyrtarët e lartë të komunës përmes sekserëve goditen me ndërtuesit për shumën që thuhet së është 10 mijë euro për një kat,” tha Haxhijaj i AAK-së.

Drejtori i Inspektoratit Demë Dashi mohoi ndërtimet pa leje në Pejë kur foli për KALLXO  por pranoi se ka tejkalime të lejeve të ndërtimit.

“ Jo ndërtime pa leje nuk ka, ka tejkalime dhe në këtë gjendje kemi do edhe shumë më herët se do na dalë prej kontrolle dhe ka me ndodhë. Kemi pasur presion të jashtëzakonshëm prej ndërtuesve, bile kohën e fundit kanë përdorë një farë lloj slogani ‘Edhe ne jemi Kosovë’,” arsyetohet Dashi.

Ai tregoi se disa herë janë bërë rrënime të shtesave pa leje të objekteve, por ato përsëri kanë vazhduar.

Drejtori i Inspektoratit tha së do ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të gjithë ata që kanë bërë  ndërtime të kateve pa leje.

“Sigurisht, unë dje i kam dërguar disa kallëzime penale edhe sot dhe do të vazhdoj. Unë i paralajmëroj këta ndërtues që do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë ligjore edhe ma në fund edhe ato dënimet e mëhershme do i mbledh të gjitha bashkë dhe do ankohem edhe në shkallën e dytë,” tha kryesinspektori i Komunës së Pejës.

Dashi bëri të ditur se Drejtoria e Inspektoratit ka bërë deri tash 80 rrënime të ndërtimeve pa leje, ndërsa sipas tij në kohën kur Peja qeverisej nga AAK-ja, 93 kate të ndërtimeve kishin tejkaluar lejen. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat