Qytetarët e Pejës: Mos e votoni demarkacionin

Peja

Qytetarët e Pejës: Mos e votoni demarkacionin

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 13:23
Pejë

(E plotësuar) - Qindra qytetarë kanë dalë sot tek sheshi i qytetit në Pejë, për të mbajtur një protestë paqësore me qëllim të kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi .

Protestuesit kanë thënë se do të kundërshtojnë faljen e tokave të Kosovës. Me pankarta në duar, ata kanë përcjellë mesazhe të kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes   e cila planifikohet të diskutohet me një shtator në Kuvendin e Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit për organizimin e kësaj proteste Ali Lajçi, tha se  qytetarët e Kosovës duhet të ngrenë zërin për shkak se sipas tij, nuk po flasim për kufij administrativë e komunalë, por po bëhet fjalë për kufijtë e një shteti, e që sipas tij Kosova do të humb 12 mijë hektarë tokë me ratifikimin e kësaj marrëveshje. Lajqi ka shtuar se faktet shkencore të nxjerra së fundmi, kanë treguar se Kosovës i cenohet territori.

Lajçi: Vija kufitare te cilën e ka propozuar kuvendi është cenim i territorit

 “Te gjithë si qytetarë të Republikës së Kosovës flasim, sepse e kemi fjalinë për kufij shtetërorë, nuk e kemi fjalën për kufij administrativë, komunalë, e njësi të cilat nuk japin kufirin e tërësi territoriale, por duke ditur se kufiri kombëtar, integriteti kombëtar jep kufij nacional dhe kufijtë nacional japin sipërfaqen e tërësishme të Republikës së Kosovës, por jo pronat private. Jemi sot këtu dhe e kemi të qartë që Kosova ka bërë qasje të ndryshme shkencore, analiza shkence, gjeografike dhe etnike, politike, juridike e të gjitha sferat e saj kanë marrë një mesazh të fuqishëm se vija kufitare e cila i ka propozuar kuvendit komisioni shtetëror, është cenim i territorit të Republikës së Kosovës, është cenim i integritetit dhe sovranitetit të saj” ,tha Lajçi.

Ata gjithashtu bënë thirrje tek deputetët e Kuvendit të Kosovës që  me mesazhin përkushtues, me zërin e tyre, dhe dinjitetin, të votojnë kundër këtij versioni të marrëveshjes.

Përfaqësuesi i Grupit të Intelektualeve Rugova, Mujë Rugova tha se  qëllimi i protestës është ti themi jo komisionit shtetëror dhe institucioneve më të larta shtetërore . Rugova më tej tha  se demarkacioni është në favor të Malit të Zi, gjë që sipas tij është e papranueshme  dhe e pa drejt.

Rugova: Ne flasim me emocione, sepse duam te përmirësojmë padrejtësinë historike

 “Jemi mbledhur sot ti themi JO komisioni shtetëror dhe institucioneve më të larta shtetërore, nuk pranojmë, në asnjë mënyrë këtë komision dhe këtë propozim të komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi. Komisioni Evropian në vitin 1992 ka marrë vendim që kufijtë e jashtëm të Republikave dhe Krahinave Autonome të përfshira Kosovën janë të paprekshëm . Prandaj lëvizja e kufirit me Malin e Zi në dëm të Kosovës dhe në favor të Malit të Zi është jo i drejt dhe i papranueshëm..... Ne flasim me emocione dhe nostalgji sepse ne duam që të përmirësohen dhe të riparohen padrejtësitë historike “, tha Rugova

Rugova gjithashtu tha se edhe miqtë e Kosovës nuk po e pranojnë demarkacionin. Sipas tij këtë version të  marrëveshjes për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, nuk e do as nënpresidenti amerikan Joe Biden , as ambasadori amerikan Greg Delaëie, e as ish presidenti Bill Clinton.

Kryesuesi i Kuvendit komunal në Pejë Islam Husaj  tha se Kuvendi komunal i  Pejës përkrah  formimin e Komisionit Ndërkombëtar për rishqyrtimin e të gjithë procesit të demarkacionit të kufirit në mes Kosovës  dhe Malit të Zi..

Husaj: Duhet të merren parasysh të dhënat shtetërore dhe të dhënat e komunës së Pejës    

 “Kuvendi i komunës beson që ky komision do të punoj me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në mënyrë të paanshme. Kërkohet nga institucionet  që me  rastin e rishqyrtimit të dokumentacionit lidhur me shënimin e vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi të merren  në shqyrtim të gjitha faktet dhe dokumentacionet relevante dhe çështja të trajtohet konform kushtetues. Kërkohet nga komisioni ndërkombëtar që gjatë procesit të demarkacionit të kufirit të merren parasysh të gjitha të dhënët shtetërore dhe arkivole kadastrale si dhe të dhënat që ka komuna e Pejës dhe qytetarët të saj ”, tha Husaj

Ai gjithashtu tha se Kuvendi komunal kërkon që gjatë procesit të demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, duhet të merren parasysh shqetësimet e qytetarëve, faktet historike e gjeografike, sipas të cilave dëshmohet se pika kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi është Qafa  e Çakorrit dhe Kulla e Zhlebit.

Organizatorët bënë thirrje që edhe me një shtator të dalin në protestën e organizuar në Prishtinë,  për të kundërshtuar këto marrëveshje të dëmshme. Në fund të protestës,  protestuesit u shpërndanë të qetë dhe pa ndonjë incident. 

***

Një numër i qytetarëve të komunës së Pejës, të shtunën kanë mbajtur një protestë duke kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ata u kanë bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë demarkacionin në seancën e një shtatorit në Kuvendin e Kosovës.

Ali Lajçi, përfaqësues i banorëve të fshatrave të brezit kufitar me Malin e Zi, ka thënë se deputetët nuk duhet të bien nën ndikimin e zyrtarëve të partitive politike në pushtet.

“Nëse ai version kalon në Kuvend dhe bëhet legjitim, deputetë, mendoni se Kosova do të ketë tensione, do të krizë politike, do të ketë rezistencën e llojeve dhe formave të ndryshme, sepse nuk paraqet vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk paraqet sovranitet. Dhe, ne do ta zhbëjmë në të gjitha format e mundshme institucionale dhe vijave tjera rezistencës”, ka thënë Lajçi.

Në protestë kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të partive opozitare në Pejë.

Kuvendi i Kosovës, pritet që të votojë projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, më 1 shtator, pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme të partive politike opozitare.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, pati shkaktuar një valë reagimesh të partive politike opozitare, përmes përdorimit të gazit në Kuvendin e Kosovës, duke penguar votimin e ratifikimit të saj.

Opozita thotë se Kosova po humb territor të saj me marrëveshjen e arritur në vitin 2015, por partitë në pushtet kanë thënë se demarkacioni është kryer mbi dokumentet valide të Kosovës dhe ato ndërkombëtare.

Partitë në opozitë kanë paralajmëruar kundërshtime të forta edhe më 1 shtator kur pritet të votohet demarkacioni në Kuvend.

Përfaqësues ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë në Kosovë që ta votojnë demarkacionin duke respektuar obligimet ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat