AAK: Komuna e Pejës, kampione e punësimeve partiake

Peja

AAK: Komuna e Pejës, kampione e punësimeve partiake

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 13:47
Komuna e Pejës

Komuna e Pejës është kampione e punësimeve partiake, të cilat kryesisht fshihen nën ombrellën e kontratave në vepër. Kështu ka deklaruar, zëdhënësi i AAK-së, dega në Pejë, Albert Haxhijaj, sipas të cilit, militantët partiak kanë mbushur zyret e Komunës së Pejës.

Në deklaratën e dërguar për media, thuhet se “militantët”, edhe pse nuk kanë fare përvojë pune, angazhohen në cilësinë e ekspertëve, kurse shërbyesit civil të komunës mënjanohen nga përgjegjësitë që kanë.

“Këtyre të angazhuarve në punë ju jepet përgjegjësi në ndarjen e tenderëve, në mbikëqyrjen e tenderëve, në shpërndarjen e granteve e subvencioneve. Komuna e Pejës mbanë në kontrata të tilla, persona të angazhuar edhe me nga 2-3 vite, duke ditur se ligji këtë formë e ndalon pasi që kontrata në vepër është angazhim i një eksperti për një kohë të caktuar, ndërsa është për habi se si tolerohet nga Ministria e Administratës Publike dhe asaj të Financave që me kontrata në vepër, Komuna e Pejës, të mbajnë të punësuar me nga 3 vite. Pagesat për kontrata të tilla bëhen nga kategoria e mallrave e shërbimeve dhe rritja e shpenzimeve të tilla zvogëlon investimet kapitale të cilat këtë vit janë 4 milion e 400 mijë nga 5 milion e 800 mijë që kishte Komuna në vitin 2013”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas tyre, kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, gjatë fushatës kishte qenë kritik ndaj këtyre punësime, por Haxhijaj thotë se pikërisht i njëjti mbanë qindra persona në kontratë në vepër.

“Pasi që qeverisja komunale nuk mbanë fare përgjegjësi morale për veprimet që po i bënë me këto punësime dhe shkelje të hapura të ligjeve, atëherë i mbetet organeve të Drejtësisë dhe Rendit të nisin hetimet për shkeljet e ligjit me rastin e punësimeve të tilla me kontratë në vepër, ngase këto organe duhet t’i ndalojnë veprimet e shndërrimit të komunës në institucion privat, ku pushtetarët bëjnë punësime duke shkelur haptazi ligjin”, thuhet më tej në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat