“Ti je pjesë e atdheut” edhe në Komunën e Deçanit

Peja

“Ti je pjesë e atdheut” edhe në Komunën e Deçanit

Nga: Adem Lushaj Më: 22 korrik 2016 Në ora: 20:58
Panairi dy ditor në Komuna e Deçanit

Panairi dy ditor i organizuar nga Komuna e Deçanit dhe Ministria e Diasporës, ka ofruar mundësi për prezantimin dhe shitjen e produkteve vendore (deçanase). Ky aktivitet ishte vetëm njëri nga aktivitetet që do zhvillohen në Deçan, në vazhdën e aktiviteteve në respekt të bashkatdhetarëve tanë, me  moton “Edhe ti je pjese e atdheut”.

Në hapjen e këtij Panairi, (tashmë tradicional), pos kryetarit të Deçanit, Rasim Selmanaj, ishin edhe Valon Murati, ministër i Ministrisë së Diasporës dhe Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit.

Për, Rasim Selmanaj, kryetar i Deçanit, panairi i dy ditor do jetë mundësi e mirë e bizneseve që ti prezantojnë produktet e tyre, por edhe të krijojnë mundësi të sigurimit të tregut në të ardhmen, për produktet e prezantuara. “Kemi aktivitete të ndryshme të organizuara në Deçan, sikurse që është ky panair tashmë tradicional, ndaj bashkatdhetarët tanë janë dhe do mbesin pjesë e atdheut dhe vlerë a çmuar për pavarësinë dhe shtet ndërtimin tonë”, është deklaruar Selmanaj, i cili ka inkurajuar bizneset deçanase për rritje të kapaciteteve të tyre prodhuese. Edhe, Ministri, Valon Murati, është shprehur se kontributi i bashkatdhetarëve tanë nëpër vite, është i paharrueshëm dhe shumë i çmuar nga të gjithë, ndaj edhe kemi obligim moral që të organizojmë pritje për ta, duke iu thënë se janë pjesë e pandashme e atdheut.

“Aktivitete për pritje të bashkatdhetarëve tanë, do ketë në gjithë Kosovën”, ka thënë Murati, duke treguar se janë vendosur edhe qendra për regjistrim të atyre bashkatdhetarëve, që nuk janë regjistruar deri më tash. Ndërkaq, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, ka bërë thirrje deçanasve që të mësyjnë plazhet dhe hotelet e Komunës së tij, pasi që tradita është treguesi më i mirë për pritje dhe respektim të turistëve.

Bizneset të cilat ishin përgjigjur ftesës së kryetarit Selmanaj, për ta shfrytëzuar mundësinë e krijuar për promovim të produkteve të tyre, shprehën kryesisht të kënaqur me interesimin e qytetarëve. Shoqata Bletare "Aldi" nga Prejlepi i Deçanit, është njëra ndër to që kishte prezantuar prodhimet në këtë Panair, duke ofruar produkte të mjaltit, e që shprehën falënderues për qytetarët që kishin shpreh interesim për mjaltin e tyre. “Jemi mirënjohës edhe Komunës sonë, por mbi të gjithë qytetarëve, për interesimin dhe gatishmërinë për blerje të mjaltit tonë”, shprehët Jehona Dabiqaj, përfaqësues e kësaj Shoqate, e cila thotë se cilësia e mjaltit që ofrojnë bletarët e Deçanit, është e kualitetet më të lartë se ndokund tjetër. Mirëpo, integrimi i qytetarëve për librin e prezantuar në këtë panair, nuk ishte i kënaqshëm, pasi që kishte fond të varfër të titujve, të prezantuar nga Shtëpia Botuese, “Bota Shqiptare”. Valeriana Halilaj, ka thënë se, mos interesimi i qytetarëve për librin, ka të bëj me titujt e prezantuar, sikurse me çmimet e larta të ofruara. “Janë libra të letërsisë botërore dhe jo mjaftë të njohura”, sqaron Halilaj, për të cilën, ka interesim të lexuesve, por nuk ka shitje, pasi që janë çmime ndoshta të pa përballueshme për “xhepin” e deçanasve. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat