Policia jep detaje për rastin e 1089 kilogramëve të mishit të prishur

Peja

Policia jep detaje për rastin e 1089 kilogramëve të mishit të prishur

Më: 17 janar 2019 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Në Pejë Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar pasi atyre iu është gjetur mish i dyshimtë për konsum.

“Pas një informate të pranuar se personat e dyshuar M. B., R. Sh. dhe S. Sh. kishin bërë shitblerje të një kafshe (lopë) të ngordhur dhe të njëjtën e kanë bërë gati për treg, Njësiti i Hetimeve i SP Pejë fillimisht e ka marrë njërin nga të dyshuarit që pretendohej që kishte therur dhe kishte transportuar kafshën me targa vendore deri tek shtëpia e personit tjetër të dyshuar, të cilin nuk e ka hasur në shtëpi”.

“Njësitet policore kanë shkuar tek shtëpia e të dyshuarit dhe prapa shtëpisë është vërejtur se në dy objekte kishte mish të kafshëve të therura por në gjendje shumë të keqe pa mirëmbajtje dhe pa prejardhje”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga Policia e Kosovës.

Gjithashtu në vendngjarje janë gjetur nëntë frigoriferë të mëdhenj të mbushur me mish të prishur të llojllojshëm, të gjithë pa mirëmbajtje dhe po ashtu në gjendje të rëndë sanitare dhe me kundërmim të rëndë.

“Në vendngjarje me kërkesë të Policisë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit kanë dalë edhe inspektorët e veterinarisë, të cilët bazuar në gjendjen faktike kanë vendosur që e gjithë sasia e mishit të shkatërrohet”, thuhet më tej në komunikatën e dërguar nga Policia e Kosovës.

Sasia e përgjithshme e mishit që është gjetur ishte 1089 kg.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tre të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat