Përkujtesa, si një borxh ndaj bijve të historisë

Opinione

Përkujtesa, si një borxh ndaj bijve të historisë

Nga: Ndue Dedaj Më: 12 tetor 2018 Në ora: 11:14
Ndue Dedaj

Nuk është se nuk zhvillohen veprimtari përkujtimore, por problemi është se kush përkujtohet dhe kush përkujton. Nëse kemi disa figura madhore të kombit për të cilët përfshihemi të gjithë, njerëz dhe institucione, siç është kremtimi këtë vit i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ndodh dhe tjetra, harresa e jo pak personaliteteve të rëndësishme, të cilët qëllon që na i shtien ndërmend pasardhësit e tyre që t’i përkujtojmë e nderojmë. Në këto 30 vite, për shkak të paragjykimeve të natyrave të ndryshme të tipit “fashist”, “ballist”, “komunist”, nuk dimë të ketë pasur ndonjë akademi parkujtimore, siç e quajnë në Kosovë, kushtuar disa figurave të shquara të kulturës dhe letërsisë shqiptare, si Mitat Frashëri, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Sejfulla Malëshova, Gjergj Kokoshi, Arshi Pipa, Nonda Bulka, Bilal Xhaferri e shumë të tjerë, ndërkohë që përkujtohen jo pak individë të vonë, që nuk kanë pasur ndonjë meritë të veçantë, por që kanë rreth familjar e shoqëror të lidhur me qarqet politike dhe elitat e sotme të Tiranës etj. Mendonim kështu, një ditë vere, kur morëm ftesën për të qenë të pranishëm në një ceremoni nderimi në Rrëshen të dëshmorit nga Kosova, Kol Mirdita, të cilin kësaj here e nderonte Mirdita, jo thjeshtë se mbante për mbiemër emrin e kësaj krahine. Ishte vetëm 22 vjeç, kur u vra njëzet vite më parë në Luftën e Kosovës. Ama, a keni dëgjuar gjithë këto vite të përkujtohet ndonjë hero i Luftës së Dytë Botërore, qoftë dhe Vojo Kushi i Kodrës së Kuqe të Tiranës?... Por kjo është vetëm sa ta cekësh këtë temë kaq delikate, ndërkohë që tribunët e Atdheut që ranë për një ideal, cilido qoftë ideali i tyre, lypet të nderohen “pa dallim krahine, feje dhe ideje”.

          ***

Herë pas here ndodhin ngjarje që i thërrasin kujtesës së një krahine apo një tjetre, në këtë rast, Mirditës së rrënjëve, nga bedenat e kështjellave skënderbegiane e abacitë e moçme. Ata që dikur kishin ikur, duke e marrë me vete emrin e krahinës së tyre, do të vinte një ditë që do ta “kthenin” atë, me po aq dinjitet sa e kishin marrë. Imzot Rrok Mirdita erdhi jo vetëm në katedralën e re mirditore, por dhe për të marrë titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Rrëshenit, që ishte qendra e Mirditës, ku foli dhe për rrënjët e të parëve të tij nga kjo trevë, para se ata të shpërnguleshin për në anët e Ulqinit. Akademiku Zef Mirdita, edhe pse nuk mundi të vinte asnjëherë në trojet e të parëve të tij mirditas, nga familja e njohur Jaku e Gojanit, nuk mungoi të vinte në konferenca shkencore në Tiranë, ku dhe patëm rastin të shiheshim me të, të shkruante parathënien e librit tonë “Toka e Katedraleve”, të jepte intervista për Mirditën etj. Shkurt, gjithë jetën Mirdita e kishte ndjekur nga pas si një vazhdë drite dhe ai i kishte shkuar pas trevës së origjinës. Në këtë kuptim, emri “Mirditë” është si një borxh që një ditë duhet ta kthesh aty ku e ke marrë, se vetëm kështu ai nuk soset kurrë si ai diamanti i rrallë i kujtesës që fle në çdo njeri e brezni. Por dëshmori i ri Kolë Mirdita nga Ranoci i Klinës, e tejkaloi këtë “borxh”, duke rënë në fushën e luftës për çlirimin e Kosovës, kështu që vuri në “borxh” krejt botën shqiptare para tij, rrjedhimisht dhe Mirditën e rrënjëve, për t’i bërë nderimet si hero. Është një ravë e paepur qendresëtarësh, me Zefin e Vogël, Pjetër Çelin, Ndue Përlleshin etj.

Teksa shkruajmë këto radhë për njërin nga të rënët më të rinj të këtij kombi, na vjen ndërmend Luftës e Kosovës (1999), bash kur po hynte shekulli XXI, një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur. Atëherë gjerat do të kishin qenë ndryshe. Ne nuk do të venim te memoriali i Kolës në Zllakuqan, por ai do të ishte mes nesh i gjallë, rinor, një dhëndër i hijshëm i Lugut të Drinit, në dasmën e të cilit nuk do të mungonte flamuri kombëtar, që prin të gjitha karvanet e kryshqve në Kosovë qysh nga koha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Mirëpo fati kishte punuar mbrapsht. E jo vetëm fati, por dhe historia e shqiptarëve të Kosovës, boshnjakëve e të tjerë popujve të ish-federatës jugosllave, nën regjimin mizor të Millosheviçit.

Në familjen tonë, në Mirditë e Tiranë, ruajmë si kujtim të rrallë nga ajo kohë një radio lufte, të vetmen gjë që kishin mund të merrnin me vete vëllezërit tanë të shpërngulur, familja Begaj nga Malisheva, me të cilën bashkërisht dëgjonim në Rrëshen lajmet e luftës së Kosovës. Na bëhej se ajo radio përcillte gjithë jehonat e asaj lufte nëpër malet e përgjakura, drejtpërdrejt nga frontet e luftimeve. Zëri i saj shumë herë na gëzoi e disa herë të tjera në trishtoi, kur dëgjonim se ishte vrarë ky apo ai luftëtar në Drenicë, Lugun e Drinit, Grykën e Cernalevës, të Kaçanikut etj. Emra që na dhembnin, si kosovarëve që i njihnin një pjesë të tyre, si ne të tjerëve që nuk i njihnim nga afër, por që i ndjenim në shpirt. Kemi dëgjuar ato ditë, javë e muaj për masakrën e përbindshme serbe të Reçakut, Adem Jasharin dhe familjen e tij të martirizuar në Prekaz, të rënët e familjes Berisha në Suharekë, të familjes Lleshi në Gjakovë, për dëshmorët e heronjtë Zahir Pajaziti (Podujevë), Agim Ramadani (Gjilan), Sali Çeku (Deçan), Pal Paluca (Gjakovë), Gjergj Krasniqi (Lugu i Baranit) e deri Anton Çunin, heroin e gjallë të asaj Lufte, sot deputet i Kuvendit të Kosovës… Përmes atyre valëve të nxehta të radios, që herë i iknin dhe herë i vinin, me siguri kemi dëgjuar se diku, mbi një plis të bardhë të kësaj toke, ra dëshmori Kol Mirdita, 22-vjeçar! Atëherë nuk kanë qarë vetëm nënat e Kosovës martire, por dhe kori i grave vajtimore të Mirditës, që mes toneve elegjiake i kishte përcjellë gjithëhere dëshmorët.

Ndërsa këngën për dëshmorin fisnik, dheu i origjinës së të parëve të tij do ta ruante për dhjetë vite më vonë, në një manifestim kulturor të pazakontë, në Rrëshen, në fillim të korrikut 2018, kronika e të cilit paraqitet dhe në një botim dinjitoz. Ishte një tubim që do të mbahet mend gjatë, pasi me atë rast vinte jo vetëm Kola djaloshar i panteonit të lirisë, por dhe ajo pjesë Mirdite që motmoteve kishte shtegtuar matanë Qafës së Morinit, Qafës së Prushit etj., që të gjitha ishin Qafa Dielli të shqiptarëve, në rrugëtimin e tyre historik, të pandalshëm për te njëri-tjetri. Ishin ndaluar pesëdhjetë, njëqind vjet… por do të vinte një ditë që nuk do të kishte më kufij mes tyre. Veçse, dihet, ribashkime të tilla të mëdha donin çmimin e shenjtë të gjakut, më sublimin e kësaj toke. Ndaj dhe Kola ynë i ri, do të kthehej në bronz! Si një bir i Përjetësisë.

***

Ngjarja përkujtimore e mësipërme nuk ishte thjeshtë lokale, vetëm e një Bashkie, asaj të Mirditës, që ishte organizatorja e veprimtarisë, por e përbashkët me Tiranën, Prishtinën e Klinën, nga ku njerëzit kishin ardhur jo me dy a tri vetura, por me autobusë - mes tyre dhe këngëtari i njohur Ilir Shaqiri, i cili me këngën kushtuar dëshmorit të ri, do ta çonte peshë sheshin “Abat Doçi” të Rrëshenit. E kishin pleqnuar këtë punë një grup elitar: gjeneral Sandër Lleshi, kryetari i Bashkisë së Mirditës Ndrec Dedaj, duke ftuar për bashkëpunim dhe vëllain e dëshmorit, Vilson Mirdita, ish - ambasador i Kosovës në Gjermani, për t’u përfshirë pastaj dhe të tjerë intelektualë, si drejtuesi kulturor Gjergj Marku, studiuesit Mikel Gojani e Pal Canaj, piktori Refki Gollopeni etj. E denjë do të ishte që në mbarë hapësirën shqiptare të rikthehej praktika e dikurshme e peligrinazheve të të rinjve, në vendet ku kanë rënë heronjtë e këtij kombi të çdo kohe dhe jo të humbasë mes ferrave lapidari i Shote Galicës në Fushë-Krujë. Ngado që kemi shkuar kohët e fundit, në përmbushje të një cikli reportazhesh nëpër vendet e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, kemi vënë re se ndër gjerat më të rrënuara të tranzicionit ishin lapidarët e dëshmorëve dhe pllakat përkujtimore të Luftës së Dytë, për të cilët rrallë ndonjë bashki kujdeset. Edhe pse është një detyrim moral e ligjor yni karshi trashëgimisë kulturore e historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat