Tranzicioni në Kosovë

Opinione

Tranzicioni në Kosovë

Nga: Dr. Artan Haziri Më: 7 tetor 2018 Në ora: 13:27
Dr. Artan Haziri

Problemet e adresuara nga ana e qytetarëve dhe ekspertëve kërkojnë një menaxhim të mirë dhe vënie si prioritet për qeverinë, e cila duhet të fillojë të hartojë dhe menaxhojë, së pari, me resurset njerëzore e materiale në dispozicion, duke i harmonizuar me buxhetin shtetëror, në mënyrë që t’i jepej një kah i dëshiruar zhvillimit shoqëror dhe ekonomik në bazë të prioriteteve të qëndrueshme zhvillimore.

Tranzicioni në Kosovë ka zgjat më shumë se në vendet tjera dhe kjo po reflektohet ndjeshëm në jetën e përditshme të qytetarëve. Politika joadekuate dhe e tej zgjatur e privatizimit, e cila nuk ka qenë në funksion të zhvillimit të shpejtuar ekonomik, ka treguar efekte negative në jetën e përditshme ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Kosova ka mungesë të theksuar të aktivitetit ekonomik, sepse shumica e kapaciteteve ekonomike, e që dikur ishte aktive, tash ndodhet jashtë funksionit, në kërkim të titullarëve dhe investuesve të rinj.

Me një ekonomi të paqëndrueshme, Kosova ballafaqohet me një bilanc tregtar të pavolitshëm me botën. Shumëçka blen në botën e jashtme e pak shet. E njëjta ndodh edhe me bilancin e pagesave, i cili shënon një deficit mbi 1.7 miliardë euro. Deficiti kaq i lartë i pagesave i ekonomisë kosovare, ka bërë që Kosova të stagnojë në zhvillimin ekonomik, sepse ajo kishte mungesë të parasë për investime zhvillimore. Kur shikojmë strukturën e importit, vërejmë se shteti i Kosovës shumicën e atyre prodhimeve do të mund t’i prodhonte vetë, po të kishte pasur një politikë ekonomike më largpamëse dhe më aktive.

Papunësia më e larta në rajon është një nga sfidat më të mëdha të ekonomisë kosovare, për zgjidhjen e të cilës ekonomia kosovare nuk ka ndonjë vizion, as mundësi zgjidhjeje afatmesme. Duke iu referuar trendeve të deritashme të punësimit dhe kontigjentëve të të rinjve të aftë për punë çdo vit, ky problem do ta përcjellë shoqërinë kosovare edhe në dekadën e ardhshme. Papunësia e lartë ka ndikuar që të shtohet presioni mbi fondet sociale, që paraqet barrë për zhvillimin ekonomik të Kosovës në shumë aspekte. Kjo shkallë e lartë e papunësisë ka pasur ndikim negativ mbi rritjen e konsumit. Konsumi i ulët ka ndikuar që edhe prodhimi vendor të jetë i ulët, që në një të ardhme të afërt pamundëson zgjerimin e kapaciteteve ekonomike, pos nëse atë prodhim do të mund ta plasonte në tregun e jashtëm. Kjo dhe shumë faktorë të tjerë determinues, kanë ndikuar që Kosova edhe më tutje të mbetët pas vendeve të rajonit për shumë parametra. Me këtë rast, do u referoheshim prodhimin për kokë banori si dhe GDP që në Kosovë janë më të ulëtat në rajon.

Përparësitë komporative që disponon shteti i Kosovës, në mungesë të politikave të mirëfillta ekonomike dhe të investimeve të mjaftueshme, nuk ka arritur t’i materializojë me trende të larta zhvillimi. Kosova ka mungesë të kapitalit financiar për investime të reja për ngjalljen e aktivitetit ekonomik. Kjo mungesë parash për investime rrjedh nga deficiti i lartë i pagesave i ekonomisë kosovare, sepse Kosova është e detyruar të eksportojë para për të blerë mallra në tregun ndërkombëtar. Në Kosovë veprojnë shumë banka të jashtme, por ato nuk disponojnë me kapital të madh. Në Kosovë aplikojnë politika kreditore jo të favorshme për ekonominë. Kjo politikë e pafavorshme kreditore mund të shihet në kamatat e larta që përfitojnë ato nga kreditë e tyre dhënë biznesit kosovar, krahasuar me kamatat që aplikojnë në vendet nga ato vijnë. Kjo është logjikë e ekonomisë së tregut, që ka përqafuar Kosova, logjikë e ofertës e kërkesës për mjete monetare, si kudo në botë. Shumica e bankave në Kosovë janë me kapital themelues të jashtëm, por ato operojnë me depozitat e shumta të qytetarëve të Kosovës, duke paguar kamata të ulëta për depozita dhe duke inkasuar të hyra të majme nga kamatat në kredidhënie. Por, deri më tani ka munguar intervenimi i Bankës Qendrore për të zbritur normën e lartë të kamatës për bankat komerciale, në mënyrë që ato të kenë leverdi t’i kreditojnë bizneset kosovare me norma më të arsyeshme dhe më të përballueshme për bizneset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat