As zoti nuk i pranon lutjet e mëkatarëve!

Opinione

As zoti nuk i pranon lutjet e mëkatarëve!

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 23 shtator 2018 Në ora: 15:21
Abdulla Mehmeti

Ka edhe shumë të pathëna mbi Marrëveshjen e Prespës, mes Maqedonisë dhe Greqisë për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit, por edhe në lidhje me Marrëveshjen për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, në raport me shqiptarët në Maqedoni, por, kur më rastis të lexoj analiza, vështrime, komente dhe qasje në lidhje me këto çështje nga disa analistë, gazetarë, opinionistë, studiues dhe „ekspertë“, ndalem dhe mendoj, sikur asgjë nuk paskemi mësuar nga e kaluara, sidomos nga historia dhe diplomacia!

Askush deri më sot nuk tha diçka më tepër për shqiptarët në Maqedoni seç ka thënë Qeveria e parë shqiptare përmes Memorandumit drejtuar Konferencës së Londrës më 1913. Askush deri më sot nuk tha diçka më tepër, më të dobishme dhe më vizionare seç thanë partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, përmes deklaratave dhe akteve të tjera drejtuar organeve të pushtetit në Maqedoni dhe kancelarive të Evropës dhe botës, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, përmes fjalëve, ideve dhe këshillave të akademikëve nga Prishtina dhe Tirana, se shqiptarët në Maqedoni në këtë fazë të zhvillimit të tyre duhet të jenë popull shtetformues në Maqedoni. Por, cila ka qenë strategjia e lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni për arritjen e këtyre objektivave? Asgjë! Me shkronja të mëdha: ASGJË serioze deri më sot!

Dhe, ndalem e mendoj, pasi i lexoj dhe analizoj shkrimet e këtyre „dijetarëve patriotë“, në mos vallë nuk i kuptojmë sa duhet dhe siç duhet, apo ka diçka tjetër mes rreshtave në këtë çështje. Pastaj, ulem dhe shfletoj shënime, emra, preudonime, dosje, të siguruara nga miqtë e shumtë. Më del që më të zëshëm kësaj radhe mes shqiptarëve kundër Marrëveshjes së Prespës dhe referendumit të 30 shtatorit në Maqedoni, janë pikërisht disa njerëz me të kaluar të dyshimtë; janë dora vetë, ose pasardhës të gjyshërve dhe baballarëve me dosje të trasha agjentësh të huaj, sidomos të regjimit ish jugosllav. Për më tej, as që ia vlen të analizohet e kaluara dhe e sotmja e tyre!

Pse o derëzi nuk lini hapësirë ndonjë personalitet me kredibilitet moral, kompetencë shkencore dhe profesionale të merret me këto çështje të rëndësishme për fatin e shqiptarëve në Maqedoni dhe të ardhmen e tyre? Pse pikërisht ju, dhe pse mu tani, gjeni kohë dhe argumente për t’u rreshtuar me forcat më antishqiptare proserbe dhe proruse në Maqedoni dhe jo vetëm? Këtë e bëni sa për lexueshmëri, vetëafirmim, apo keni arsye të tjera plotësuese? Por, si ta arsyetojmë të kaluarën tuaj të pistë, që nuk dua kësaj radhe t’ua përmendi, me plot fakte dhe argumente, me njerëz, data dhe raste konkrete. Jeni ju që ushqyet ideologjinë marksiste-leniniste në këto hapësira; ju që lehët sa mundët kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar gjatë viteteve të tetëdhjeta të shekullit të klauar; ju që keni qenë dorën e zgjatur, plumbi, litari dhe dajaku i ish regjimit komunist ndaj shqiptarëve; ju që ju dyshon edhe faktori ndërkombëtar për krimet e regjimit komunist, por edhe gjatë periudhës së demokracisë dhe tranzicionit, për korrupsion, kontrabandë dhe krime!

Jo që nuk ka asgjë të vërtetë në atë që thoni ju, shpeshherë, jo sipas mendje suaj, por nga ajo që lexoni dhe kopjoni nga të tjerët; jo që kanë më tepër të drejtë në këtë çështje disa nga drejtuesit e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët pa asnjë analizë futen në çdo aksion e ndërmarrje të pushtetit në këtë shtet, sepse ata edhe paguhen për këto shërbime; por, pse kaq të zëshëm dhe të shqetësuar ndjeheni ju, dhe pikërisht tani, kur po zbehet ndikimi sllav në rajon dhe ndikimit rus i vihet ndalesa nga Deti i Zi deri në Adriatik? Kur e gjithë bota demokratike, edhe aleatët e dëshmuar të popullit shqiptar janë në një anë, ndërsa ju kërkoni që shqiptarët në Maqedoni, dhe jo vetëm, të jenë në anën e kundërt, përkrah forcave më të errëta të kohës?!

Këtu dhe kësaj radhe, e vërteta mund të ketë edhe ndonjë bisht prapa; ky bisht edhe mund të shkurtohet në të ardhmen, por asnjë bisht në këtë çështje nuk mund t'u ngjitet shqiptarëve, sepse e drejta dhe e vërteta janë në anën tonë. Ne jemi në tokën tonë dhe nën hisen e diellit që na takon neve, për aq sa vetë ne nuk i bëjmë hije së vërtetës nga padija dhe injoranca! Armiqtë tradicionalë të shqiptarëve përherë kanë punuar që shqiptarët të jenë sa më të dobët, të varfër, të përçarë, të jenë sa më pak, të dezorientuar, të shantazhuar, të mashtruar dhe margjinalizuar. Dhe, këtë përherë e kanë realizuar më tepër përmes mercenarëve shqiptarë, se sa me dorën e tyre. Por, ne sot jemi më të zgjuar se kurrë, me më shumë përkrahje dhe aleatë në botë. Duhet të jemi bashkë në përpjekjet për t’u shndërruar në faktor të rëndësishëm në vend dhe rajon, që ta dëshmojmë orientimin tonë proevropian dhe properëndimor, jo vetëm për të mirën dhe interesin tonë, por edhe të popujve të tjerë që i ka lidhur fati historik dhe rrethanat të bashkëjetojnë me ne në këto hapësira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat