Ta pastrojmë mjedisin dhe skenën politike të Kosovës

Opinione

Ta pastrojmë mjedisin dhe skenën politike të Kosovës

Nga: Dr. Sadik Elshani Më: 17 shtator 2018 Në ora: 07:45
Dr.Sadik Elshani

Ta pastrojmë mjedisin

Këto ditë ka filluar një nismë e mirë në Kosovë: Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat e hedhura, plehërat. Kjo është një nismë që duhet përkrahur dhe që ka qenë dashtë të fillojë shumë vite më parë, por më mirë vonë se kurrë. Në të gjitha vendet e përparuara, të kulturuara, të qytëteruar, mbrojtjes së mjedisit i kushtohet një vëmendje, rëndësi te madhe, sepse është mjedisi ku veprojmë, jetojmë e rrisim familjet tona. Per fat të keq, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare mbrojtjes, ruajtjes së mjedisit nuk i kushtohet rëndësi e madhe, ne ende nuk e kemi zhvilluar vetëdijen për një veprimtari të tillë me rëndësi jetike. Kjo nismë, ky aksion nuk duhet të jetë vetëm një veprim që zgjat për një kohë të caktuar, por duhet të jetë një kujdes, mision i përhershëm, një angazhim i të gjithëve – bashkëveprim e bashkërendim i punëve të organeve komunale – shtetërore dhe qytetarëve. Duhen siguruar pajisjet, caktuar plehërishtet (landfill) dhe duhet organizuar mbledhjen e rregullt të plehërave në të gjitha vendbanimet. Është mirë që të vetëdijësohen dhe të edukohen njerëzit për rëndësinë e ruajtjes seëmjedisit, sepse në mjedise të pastërta, në mjedise të shëndosha jeta e njeriut është më cileëore, më e lumtur. Mjedisi i ndotur jo vetëm që e shëmton pamjen e vendit, por edhe e rrezikon shëndetin e qytetarëve. Duhet patur parasysh edhe riciklimin e materialeve të ndryshme: metale, qelq, plastikë, letër, etj. Ky proces jo vetëm që ndikon në zvogëlimin (redukimin) e vëllimit të mbeturinave, por edhe mundëson ripërdorimin e tyre në forma të ndryshme dhe punëson njerëz – të gjithë janë fitues.

Ta pastrojmë skenën politike

Sikurse mjedisi në Kosovë që ka nevojë për pastrim, ashtu edhe politika, jeta shoqërore – politike, institucionet kanë nëe nevojë të përngutshme e të domosdoshme për pastrim e ndryshim. Skena politike në Kosovë ka kohë që është në një gjendje të trazuar e kaotike, në një gjendje të tensionuar e me plot nerva, shkaktuar nga indiferenca, mungesa e përkushtimit, seriozitetit te faktorit politikë, partive politike te paprofilizuara mirë, që më fort u ngjajnë klaneve e grupimeve të ngushta shoqërore sesa partive që duhet të mbajnë përgjegjësinë, barrën e zhvillimit të shoqërisë kosovare. Kemi nevojë për një politikë të ndershme, të tejdukshme (transparente) me platformë e programe kombëtare. Korrupsioni i lartë, papunësia e madhe, krimi i organizuar, mosfunksionimi i duhur i institucioneve shtetërore, akademike, amullia, mungesa e perspektivës, shpresës për një të ardhme të ndritur, janë vetëm disa nga problemet e shumte me të cilat po ballafaqohet Kosova. Përgjegjësinë më të madhe e mbajnë politikanët dhe drejtuesit e korruptuar të shtetit të Kosovës, të cilët interesat, përfitimet personale i kanë vënë mbi ato kombëtare, madje janë në gjendje edhe ta copëtojnë vendin.  Me politikanë të tillë që më shumë shahen e rrahen në mes vete sesa t’i kryejnë detyrimet e tyre kushtetuese, Kosova nuk mund të ecën përpara, nuk mund të gëzojë përkrahje, mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Prandaj, është koha që të gjithë të mendojnë se kjo rrugë nuk na shpie askund, vetëm na çon drejt greminës. Sikurse mbeturinat që duhen mbledhur e hedhur ne plehërishtë, edhe skena politike e Kosovës mund të pastrohet me largimin nga skena e politikanëve të paaftë e të korruptuar, arrogantë, mashtrues e genjeshtarë.

E di që ky nuk është një proces fare i lehtë, sepse keto dukuri negative jene grumbulluar me dhjetëvjecarë (dekada) të tërë, por megjithatë duhet filluar nga diku. Qytetarët duhet të vetëdijësohen dhe të mos i votojnë këta politikanë të korruptuar, të kompromituar dhe në vend të tyre të votojnë njerëz të rinj e të aftë, të përgatitur mire profesionalisht, njerëz që e duan vendin, popullin e tyre, njerëz që kanë orientim e vizion përerndimor, njerëz që rrezatojnë vlera dhe në jetë udhëhiqen nga parime të larta njerëzore.

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i   bashkësisë shqiptaro – amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat