Përpjekjet e Lidhjes së dytë të Prizrenit për jetësimin e aspiratave jetike të kombit shqiptar

Opinione

Përpjekjet e Lidhjes së dytë të Prizrenit për jetësimin e aspiratave jetike të kombit shqiptar

Nga: Prof. dr. Muhamet Shatri Më: 16 shtator 2018 Në ora: 11:57
Prof. dr. Muhamet Shatri

Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte oganizata më e rëndësishme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo u organizua sipas shembullit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u angazhua deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët.

Kjo organizatë i vuri themelet e saj në shtator të vitit 1943 me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës.

Ajo u formua jo rastësisht në qytetin historik të Prizrenit për të jetësuar amanetin e drejtuesve të Lidhjes së Parë Shqiptare të Prizrenit. Ideatorë të kësaj organizate, në themel me aspiratë fisnike kombëtare, ishin Xhafer Deva dhe Asllan Boletini, biri i Isa Boletinit të madh etj.

Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të organizatës me 7 veta: kryetar Rexhep Mitrovicën; nënkryetar Musa Shehzade; Tahir Zajmi, Asllan Boletini, Kol Margjini, Sheh Hasani, Qazim Bllaca, anëtarë. Ai miratoi edhe procedurën e zgjedhjes së delegatëve që do të përfaqësonin Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare në Asamblenë Kombëtare, që do të thirrej në Tiranë më 16 tetor 1943 dhe shtroi nevojën e hartimit të Statutit të organizatës. Kuvendi autorizoi Xafer Devën, Aqif Blytën dhe Ibrahim Lutfiun për të koordinuar punën e Lidhjes me atë të Qeverisë Shqiptare për çështjen e Kosovës.

Me propozimin e Tahir Zajmit, Kuvendi Themelues proklamoi bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saj dhe kërkoi bashkimin me të edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit. Me këtë rast, delegati i Gjilanit, av. Esat Berisha, kërkoi nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarinë, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Sali Rama, delegat i Rugovës, theksoi domosdonë e përfshirjes brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që i kishin mbetur Malit të Zi. Në Kuvend u trajtua edhe çështja e organizimit politik dhe ushtarak, marrja e masave mbrojtëse kundër depërtimit në këto treva, si të forcave çetnike edhe të atyre partizane nga Mali i Zi dhe Serbia.

Kuvendi i Dytë i Lidhjes që u mbajt në janar të vitit 1944 zgjeroi KQ të organizatës në 14 anëtarë, zgjodhi kryetar Bedri Pejanin, sepse R. Mitrovica u ngarkua me formimin e qeverisë në Tiranë. Ai miratoi Statutin e organizatës, i cili iu dërgua për dekretim Qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Në bazë të Statutit, organizata do të punonte për mbrojtjen e “tokave të çliruara”, formoi komitetet e nënprefekturave, të komunave dhe të fshatrave, ndërsa organin më të lartë të saj do ta përbënte kuvendi, ku do të bënte pjesë një përfaqësues nga secili rreth. Tubimi reprezentativ kërkoi nga Qeveria që të angazhohej rreth çështjes së Sanxhakut, të ndërmirrte hapa diplomatike për të siguruar largimin e trupave bullgare nga Prespa e Shën Naumi, të ndërhynte tek autoritetet gjermane për bashkimin e qarkut të Mitrovicës me Shqipërinë, të forconte administratën e saj në krahinën e Plavës dhe të Gucisë dhe përgjithësisht të merrte masa të ngutshme organizative dhe ushtarake në të gjitha trevat shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë.[8] Organizata kishte organin e saj “Lidhja e Prizrenit”, të cilin e  botonte  Komiteti i Intelektualëve Shqiptarë, i përbërë nga Kudret Kokoshi, Selman Riza, Ibrahim Fehmiu, Durmish Celina etj. Në faqet e gazetës u sulmuan:  komunistët shqiptarë që u cilësuan si agjentë të Serbisë e të  Rusisë;  Lëvizja Nacionalçlirimtare në Jugosllavi, sepse luftonte për ruajtjen e kufijve të atij shteti, të caktuara me dhunë e pa marrë parasysh të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar; u propagandua Shqipëria etnike dhe domosdoshmëria e luftës për mbrojtjen e saj; u dënua dhuna sistematike e ushtruar në të kaluarën nga pushtuesit serbë e malazez. Lidhja e Dyte e Prizrenit në mënyrë të veçantë u angazhua për organizimin e forcës mbrojtëse-ushtrisë dhe formacioneve vullnetare të saj. Për këtë qëlllim Komiteti Qendror i Lidhjes, në bashkëpunin me komandën e Sektorit Kosova të Ushtrisë Shqiptare, organizoi konferencën në Rogovë të Hasit (15-17 mars 1944) në të cilën u mor vendimi për riorganizimin dhe forcimin e forcave mbrojtëse të Kosovës. Lidhja shpresonte që në formacionet e saj të përfshiheshin të gjithë mëshkujt shqiptarë, nga mosha 20-50 vjeç. Në këtë kuadër rezultoi kërkesa strategjike kryetarit të KQ të Lidhjes Dytë të Prizrenit, Bedri Pejanit, drejtuar Hitlerit për krijmin e një armate shqiptare prej 150 mijë burrash, e cila do të luftonte deri në fund kundër çetnikëve dhe partizanëve serbo-malazeze. Ai mendonte dhe shpresonte se kjo armatë do të ishte e aftë t'u dilte zot tokave etnike shqiptare dhe të mbronte bashkimin e tyre me Shqipërinë, me qëllim që Konferenca e Paqës që do të mblidhej pas mbarimit të luftës për të vendosur për kufijtë e shteteve të vihej përpara faktit të kryer. Komanda gjermane edhe pse nuk e miratoi këtë propozim, lejoi formimin e një divizioni me emrin “Skëndërbeg”, efektivi i  të cilit, për shkak të mospranimit të të rinjve shqiptarë për t’u përfshirë në radhët e tij, nuk u plotësua as me rekrutë dhe as me kuadrin komandues. Për këtë arsye dhe të dezertimeve, në tetor 1944, divizioni u shndërrua në Grup luftarak. Komanda ushtarake gjermane kërkonte që këto forca t’i përdorte, ashtu si të gjitha forcat antikomuniste të kombeve të tjerë të Ballkanit, për të siguruar tërheqjen e trupave të saj nga gadishulli. Por këto synime të komandës gjermane binin ndesh me objektivin  themelor të Lidhjes, që ishte bashkimi i trojeve etnike shqiptare dhe pavarësia e Shqipërisë.

Kuvendi III i Lidhjes së Dytë të Prizrenit që u mbajt në qershor të vitit 1944 shkarkoi Bedri Pejanin nga detyra e kryetarit të Komitetit Qendror të organizatës dhe në vend të tij zgjodhi Xhafer Devën. Ky i fundit njëherazi ishte edhe ministër i Brendshëm në Qeverinë e Tiranës.

Aty u analizua angazhimi i Lidhjes dhe i Komitetit Qendror të saj për mbrojtjen e Kolashinit dhe të sektorëve të tjerë që rrezikoheshin nga depertimi i forcave çetniko-partizane serbo-malazeze. Kuvendi konstatoi se Lidhja kishte ndërmarrë hapa konkrete për forcimin e bashkëpunimit dhe për koordinimin e përpjekjeve me krahinat e tjera të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçante me Malësinë e Mbishkodrës, të Mirditës, të Dibrës dhe të Matit drejtuesit nacionalistë të të cilave luftonin për Shqipërinë etnike, me çka ishin vënë në shërbim të drejtpërdrejtë edhe të çështjes së Kosovës.

Kuvendi shtroi nevojën e armatimit të mëtejshëm të popullit të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare. Ai vuri si detyrë, që krahas regjimentit të Pejës dhe të Prishtinës, të formoheshin edhe regjimentet me qendër në Tetovë dhe në Dibër, si dhe të vazhdohej me krijimin e formacioneve "kreshnike" e vullnetare, që do të vepronin në rastet kur rrezikoheshin rajone të veçanta.

Me nismën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit në shtator të vitit 1944 u themelua Komiteti i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar. Në krye të saj ishte atdhetari i devotshëm Adem Gllavica. Ajo i shtroi detyrë vetes mobilizimin e rinisë për mbrojtjen e kufijve të shtetit shqiptar dhe ishte forca goditëse në luftë kundër armiqve të atdheut. Adv. Idriz Shahmani paraqiti referatin mbi rrezikun që paraqiste komunizmi për Shqipërinë Etnike. Mbi këtë bazë u aprovua Programin politik-ushtarak, ”Disiplinari i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar” dhe u zgjodh KQ i  Rinisë Nacionaliste i  përbërë prej  9 vetash. Në radhët e Komitetit bënin pjesë Adem  (Selimi) Gllavica (kryetar), Sali Vala-Siçani, Luan Gashi, Avdyl Henci, Shahsivar Aliu, Fuat Muharremi, anëtarë.

Për drejtimin e formacioneve ushtarake të vullnetarëve të rinj shqiptarë u formua Komanda e përgjithshme e Rinisë për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar, që kryesohej nga Shahsivar Aliu. Kjo komandë organizoi katër zona operative, e para në sektorin Ferizaj-Kaçanik-Gjilan, e dyta në atë Prishtinë-Lypjan-Podjevë, e treta në rajonin Mitrovicë Vushtrri-Skenderaj, kurse zona e katërt përfshinte Rrafshin e Dukagjinit.

Faza kulmore e veprimtarisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit arriti në vjeshtën e vitit 1944, kur ajo mobilizoi forcat adhetare për mbrojen e trojeve etnike shqiptare nga ushtritë e bashkuara komuniste bullgare, maqedone, serbe e malazeze, të cilave u shkuan në ndihmë edhe brigadat partizane të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në këto përpjekje forcat e djalërisë shqiptare, të rreshtura në batalionet heroike "Hasan Prishtina", "Nazim Gafurri", "Zija Gashi", të Drenicës, të Llapit dhe të Sanxhakut, zhvilluan luftime të përgjakshme, përgjatë vijës mbrojtëse të Kosovës, veçanërisht në sektorët: Ferizaj- Kaçanik- Gjilan; Prishtinë- Lypjan- Podujevë; Mitrovicë- Vushtri- Skënderaj. 

Në këto rrethana mjaft dramatike KQ i Rinisë për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar  nxori dy proklamata (më 18 dhe më 26 tetor 1944) të hartuara nga adv. Idriz Shahmani dhe që iu drejtuan popullit shqiptar e popujve të tjerë si dhe ushtrisë bullgare. Në këto proklamata, popullit shqiptar i bëhej thirrje për t’u bashkuar dhe për mobilizimin e përgjithshëm në luftë kundër ushtrive të fqinjëve grabitqarë. Ndërkaq ushtrisë bullgare i tërhiqej vërejtja për të mos ndihmuar ushtrinë serbe në përpjekjet për ripushtimin e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, për faktin se këto vise ishin shqiptare. Në njërën prej proklamatave, drejtuar shqiptarëve dhe tërë botës së qytetëruar, theksohej se shqiptarët po luftonin kundër reparteve jo të rregullta të fqinjëve të tyre për të ruajtur e për të shpëtuar Shqipërinë Etnike. Shqiptarëve në këto treva dhe sidomos atyre që ishin mobilizuar në njësitë e ushtrisë partizane jugosllave, iu kërkohej që të largoheshin nga rruga e gabuar dhe të bashkoheshin me batalionet e vullnetarëve shqiptarë që po luftonin me guxim të pashoq kundër njësive të Divizionit të 22-të, të 24-të dhe të 46-të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ) dhe kundër Brigadës IV dhe V kosovare dhe trupave të  Armatës II Bullgare.

Luftime të ashpra ndërmjet tyre dhe forcave serbe, malazeze e maqedonase e bullgare u zhvilluan gjatë gjithë vijës se frontit lindor shqiptar që nga Prespa, Pollogu, Shkupi e deri në Preshevë e Bujanoc. Mirëpo, raporti i forcave, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ishte i disfavorshem për forcat atdhetare shqiptare. Kjo pati si rrjedhojë që në fund të nëntorit 1944 këto forca të thyheshin nga ushtritë e përmendura, pakrahasueshëm me epërsi në numër e teknikë të luftës. Kështu Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare ranë edhe një herë padrejtësisht nën sundimin jugosllav. Me këtë mori fund edhe veprimtaria e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Veprimtarë të organizatës që mbetën në Kosovë ose që kaluan në Shqipëri, e ndërmjet tyre, Bedri Pejani, Kolë Margjini, Musa Shehzade, kolonel Qazim Komoni, kolonel Fuat Dibra, Bedri Gjinaj, Aqif Blyta, vëllezërit Begolli, Asllan Boletini, Shaqir Curri, mulla Nuredin Haliti, av.Esat Berisha, Faik Okllapi, Shemsi Ferri,  Jahja Fusha, Sali Rama, Halim Spahija, Is’han Taniku e shumë të tjerë, patën një fund tragjik si rrjedhojë e terrorit gjakatar të pushtetit okupues serbo-komunist në bashkëveprim të ngushtë me vazalët e tyre shqiptarë.

Mund të përfundohet se aspiratat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, përkundër masave të egra që ushtroi pushteti okupues komunist jugosllav nuk u shuan kurrë. Përkundrazi, atdhetarët shqiptarë gjetën forca të vazhdonin luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar prej ripushtimit të Kosovës më 1944 e deri në organizimin e Luftës çlirimtare të viteve 1998-2001 në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

Në vazhdim të këtij studimi po japim disa të dhëna me interes për veprimtarët më të shquar të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Vendi që u është dhënë atyre ka të bëjë me sasinë e të dhënave që kanë mundur të sigurohen.

Mulla Nuredin (Halit) Gjinovci, (1895-1954) ishte kryetar i Komunës së Therandës dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941). Në vitin 1943 u zgjodh kryetar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet i Therandës në Kuvendin e Shqipërisë (1943-1944). Mbas vitit 1944 ishte veprimtar i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH)-së dhe kryetar i Komitetit të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH)-së të Therandës. U arrestua më 1947 dhe u dënua më 7 vjet burgim. E mbyti UDB-a  në burgun e Nishit (1954) 6 muaj para afatit të lirimit.

Prof. dr. Rexhep Krasniqi u lind me 1906  në Gjakovë. Studimet e larta i kreu në Vjenë, ku u laurua më 1939 doktor i historisë me temën “Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipërisë”. Mentor i tij ishte prof. dr. Carl Patch. Pas kthimit në Shqipëri punoi si profesor dhe kreu detyra të ndryshme në fushë të arsimit. Më 1941 u kthye në Kosovë, në detyrën e Komisarit të lartë të shkollave shqipe dhe  të drejtorit të shkollës normale-gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës. Më 1943 u zgjodh Minister i Arsimit, dhe nënkryetar i Kuvendit, ku morën pjesë deputetë të zgjedhur nga të gjitha viset shqiptare dhe ku u shpall bashkimi i trojeve etnike. Mbas Luftës së Dytë Botërore u detyrua të mërgonte dhe së fundi u vendos në SHBA, ku drejtoi Komitetin  “Shqipëria e Lirë” dhe u bë njëri nga drejtuesit e organizatës Lidhja e Dytë e Prizrenit. Shkroi shumë në periodikun shqiptar dhe në shtypin e huaj për problemet e pazgjidhura të kombit. Vdiq në Neë York më 1999.

Tahir (Shaban) Zajmi (1897-1971). Pjesëmarrës aktiv ne përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për t’u çliruar nga zgjedha serbe. Rrjedh nga një familje gjakovare, e cila detyrohet të shpërngulet në Shqipëri. Një kohë qendruan në Kukës dhe në Krumë e pastaj në Shkodër. Bashkëpunëtor i Bajram Currit dhe  veprimtar i shquar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitin 1941 kthehet në Kosovë dhe angazhohet për jetësimin e Shqipërisë Etnike. Ishte njëri ndër drejtuesit e  Lidhjes së Dytë të Prizrenit.  Nga fund i vitit 1944 sikurse edhe shumë atdhetarë të shquar detyrohet të marrë rrugën e egzilit politik. Kalon në Austri, Gjermani, Itali dhe vendoset në Izmir të Turqisë ku disa vite bëri jetë të mjerueshme duke punuar si punëtor i materialit ndëertimor në një shtëpi prej balte. Disa vite më vonë kaloi në Belgjikë ku pati kushte më të mira dhe mundësi për kontakte me bashkëveprimtarët në këtë vend dhe në vendet e tjera pertëndimore. Vdiq në vitin 1971. Ideal ii tij ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Eshtë autor i veprës së njohur „Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”, Bruxelles, 1964 dhe “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, Bruxelles, 1970.

Ismail (Halim) Gorani u lind në fshatin Davidovc të Shtimës më 1903. Ishte kryetar i Komunës së Shtimjes, veprimtar i Komitetit të Kosovës; bashkëpunoi më Ramë Bllacën, Ahmet Shtimjen, Iljaz Agushin dhe me veprimtarë tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U dëshmua si arsimdashës duke dërguar me mjetet e veta shumë rinj në Shqipëri për të mësuar për ushtarakë dhe kuadro të tjera që i duheshin aq shumë Kosovës; ndihmoi materialisht studentët shqiptarë që studjonin në Universitetin e Beogradit e të Zagrebit. Gjatë viteve 1941-1943 ishte nënprefekt i Ferizajt, veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe komandant i vullnetarëve të Shtimjes që luftoi për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare. Pas vitit 1944 kaloi në ilegalitet, ndërsa në nëntor të vitit 1945 emigroi në Greqi e pastaj u vendos në Damask ku edhe vdiq më 1974.

Hoxhë Visoka alias Shaqir (Halil) Visoka (1881-1945).  Intelektual dhe atdhetar i shquar. U lind dhe jetoi në fshatin Ballovc të  Podjevës. Kreu mejtepin dhe vazhdoi sudimet në Stamboll dhe në Kajro por nuk u bë hoxhë. U ndoq dhe u arrestua nga organet e pushtetit okupues serb (më 1914, 1935, 1939-1941) në kazamatët e këtij pushtuesi. Ishte i vetmi deputet shqiptar në parlamentin e Mbretërisë jugosllave më 1934. Në një seancë parlamentare kishte deklaruar: “Unë dhe populli im nuk jemi turq. Ne në pazar nuk ka mundur të na qes  Evropa e lere më Bogolub Jeftiqi”. Organet e pushtetit serb penguan rizgjedhjen e tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 1935. Krahas aktivitetit politik legal, ilegalisht ishte veprimtar i Komitetit të Kosovës Më 21 prill të vitit 1941 mori pjesë në takimin e krerëve shqiptarë të Mitrovicës, Podjevës, Vushtrrisë, Pazarit të Ri, Drenicës dhe të Podgurit me komandantin gjerman të Divizionit 60-t të këmbësorisë, Fridrih Gregor Eberhard. U zgjodh nënprefekt i Podjevës (1941-1943) dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë edhepse Podujeva ishte jashtë kufijve politik të shtetit shqiptar, e cila i takonte zonës gjermane të pushtimit. Anëtar i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve (Islihatit) për Nënprefekturën e Podjevës. U angazhua për shkollën shqipe duke sjellur rreth 50-60 mësues nga Shqipëria. Veprimtar dhe delegat në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe komandant i zonës verilindore të kufirit etnik shqiptar me Serbinë. Mbas vitit 1944 mbeti në Podjevë, por në janar të vitit 1945 OZN-a* e arrestoi dhe e mbyti pa gjurmë të varrit.

*OZN-a-Odeljenje za zastitu naroda-Dega e Mbrojtjes së Popullit (Sigurimi i Shtetit ) u formua më 14 maj 1944. Ajo veproi në kuadrin e Seksionit të Mbrojtjes Popullore të Këshillit Antifshasist Nacionalçlirimtar të Juhgosllavisë (KANÇJ), e cila kishte të drejtat dhe detyrat e Qeverisë. OZN-a ishte e organizuar në parime ushtarake. Pas formimit të të ashtuquajturës Qeveri e Jugosllavisë Demokratike, në mars të vitit 1945, OZN-a hyri në përbërjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse më 1946 u shndërrua në UDB-a (Uprava drzavne bezbednosti-Drejtoria e Sigurimit të Shtetit), që tani quhet DB (Drzavna bezbednost-Sigurimi i Shtetit ). OZN-a qe dhe mbeti një mekanizëm monstruoz për luftimin e veprimtarëve liridashës të të gjithë popujve të Jugosllavisë pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë kundër atyre shqiptarë.

Hafiz Imeri Shemsiu (1893-1945). U Lind në Sllakovc të Muhaxherëve. Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, anëtar i ”Xhemietit” (Bashkimit),  përkrahës i Lëvizjes çlirimtare dhe sekretar i Organizatës së Rinisë “Drita”. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore ishte nëpunës në Talinoc; ndihmoi për hapjen e një shkollës në gjuhën shqipe. Me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit u zgjodh anëtar i Komitetit Qarkor të Ferizajt dhe organizoi mobilizimin e vullnetarëve për mbrojtjen e trevave etnike të rrezikuara nga ripushtimi serbo-komunist. Për shkak të veprimtarisë atdhetare u ndoq dhe u persekutua vazhdimisht. Ishte njohës i disa gjuhëve të huaja. Shkroi mbi 30 këngë me motive fetare e atdhetare.

Rexhep Mitrovica (1888-1960). U lind në Mitrovicë në një familje të njohur atdhetare. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dytë të Manastirit, më 1910, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 1912 dhe në politikë në vitet 1920-1924; anëtar i Komitetit të Kosovës në Degën e Durrësit. Në vitet 1925-1939 veproi në emigracion.  U zgjodh kryetar i KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit  në shtator 1943, ndërsa nga nëntori i vitit  1943 deri në qershor të vitit 1944 ishte Kryeminister i Shqipërisë.  Mbas nëntorit të vitit 1944 emigroi në Austri dhe më pas u vendos në Turqi ku edhe vdiq në vitin 1960.

Shaqir Curri, pasardhës i familjes së njohur Curri nga Gjakova. Prej viteve 20-të ishte anëtar i Komitetit të Kosovës, kurse gjatë viteve 1943-1944 prefekt i Prizrenit. U dënua më 20 vjet burg. Pas daljes nga burgu emigroi në Shqipëri.

Aqif Blyta-Haxhiahmeti (1887-1945). Politikani më i shquar i Sanxhakut  prej vitit 1918 deri në vitin 1945, udhëheqës dhe organizator i mbrojtjes së Pazarit  të Ri (1941-1944) nga sulmet çetniko-partizane. U lind në Pazarin e Ri të krahinës së Sanxhakut. Pas mbarimit të shkollimit fillor në vendlindje vijoi Gjimnazin e Izmirit dhe Akademinë Ushtarake në Stamboll. Deri në vitin 1912 shërbeu me gradën toger në njësi të ndryshme të ushtrisë osmane. Gjatë Luftës së Parë Botërore me graden kapiten luftoi në kuadrin e ushtrisë turke në frontin e lindjes kundër ushtrisë ruse. Mbas vitit 1918 u rikthye në Pazrin e Ri dhe u aktivizua në mbrojtje të interesave kombëtare. Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë Sanxhakut treve, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavis (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ndihmoi në ngritjen  e administratës shqiptare në Qarkun e Mitrovicës dhe sidomos në Sanxhak, organizoi dhe udhëhoqi me sukses mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe të të viseve të tjera të Sanxhakut nga mësyemjet e çetnikëve dhe të partizanëve (1941-1944); ishte veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Mbas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e çuan në Pazarin e Ri. Mbas torturave  mizore,  u pushkatua në janar 1945 nga OZN-a jugosllave.

Xhevat Begolli veprimtar i Komitetit të Kosovës bashkë me vëllezërit Rifatin dhe Qerimin. U lind në Pejë në vitin 1902. Shkollën fillore e kreu në Pejë, kurse shkollën e mesme në Vjenë. Njihte disa gjuhë të huaja . Mori pjesë në takimin në Mitrovicë me gjeneralin gjerman Eberhad (21. IV. 1941). Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte prefekt i Prefekturës së Pejës. Bashkëpunoi me Xhafer Devën dhe Aqif Blytën për organizimin e administratës shqiptare dhe për mbrojtjen e Kosovës nga sulmet çetniko-partizane 1941-1944. Mbas ripushtimit të Pejës nga forcat serbo-komuniste u arratis në Rugovë pastaj kaloi në  Drenicë dhe së fundi në rrethinat e Pejës. U zu nga repartet e OZN-as, në fshatin Lipë afër Pejës, bashkë me nipin Skënderin. U denua me vdekje. dhe ditën që do të ekzekutohej vdiq si pasojë e torturave mizore që ushtruan ndaj tij xhelatët e OZN-as. Fat të ngjashëm patën edhe vëllezërit e tij Qerimi dhe Rifati (Tiranë) dhe Sefedini (Pejë) që u likujduan gjithashtu nga Sigurimi Shqiptar dhe OZN-a.

 

Adem Selimi-Gllavica, (1916-2001) një nga personalitetet e shquara të Kosovës të nviteve 50-të. Lindi në fshatin Gllavicë të Lypjanit. Pasi kreu Medresenë e Madhe në Shkup, vazhdoi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Zagrebit. Aty u pranua anëtar i organizatës  "Besa", që ishte formuar më 1935 nga studentët shqiptarë që vijonin Universitetin e Beogradit dhe të Zagrebit. Në vitet e luftës, shërbeu si nënprefekt i Ferizajt, mësimdhënës në normalen "Sami Frashëri" në Prishtinës, ndërsa në shtator të vitit 1944, u zgjodh kryetar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste Shqiptare  të Mbrojtjes së Kosovës, dhe më 1 dhjetor komandant i Shtabit Suprem të Kosovës. Më 2-3 dhjetor 1944, ishte ndër drejtuesit kryesorë të sulmit për çlirimin e Ferizajt. Mbas largimit nga Kosova jetoi dhe veproi në Australi. Vdiq në qytetin Perth të Australisë.  

Xhafer (Ibrahim) Deva (1904-1978), lindi në Mitrovicë, Politikan dhe burrë shteti. U shkollua në Stamboll dhe në vjenë, ku u diplomua në degën e inxhenjerisë. Pas kapitullimit të Mbretërisë së Jugosllavisë në vitin 1941, punoi për organizimin e pushtetit në rajonin Mitrovicë-Podjevë-Vushtrri, pra në atë pjesë të Kosovës që ishte nën pushtimin gjerman. Në vitin 1943 ishte ndër nismëtarët kryesorë për krijimin e organizatës Lidhja e Dytë e Prizrenit, ndërsa në vitin 1944 u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Tiranës. Nga gjysma e dytë e vitit 1944 dhe deri në mbarim të luftës ishte kryetar i organizatës Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe drejtoi qendresën për të penguar futjen e trupave partizane jugosllave në Kosovë. Pas mbarimit të luftës shkoi në Austri, Egjipt etj dhe më së fundi u vendos në Kaliforni të SHBA. Aty u bë ndër organizatorët kryesorë të emigracionit antikomunist dhe sidomos të shqiptarëve nga Kosova që jetonin në Amerikë. Aty në vitin 1966 rikrijoi organizatën „Lidhja e Dytë e Prizrenit“, që propagandoi çlirimin e Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Vdiq në vitin 1978.

Sali Vala Siçani, anëtar i Komitetit Qendror të Komitetit të Rinisë Nacionaliste për Mbrojtjen e Kosovës dhe Komandant i batalionit "Nazim Gafurri"  që ra dëshmor për Kosovën dhe për Shqipërinë etnike.

Luan Gashi lindi në vitin 1922 në Elbasan. Ishte i biri i Ahmet Gashit, intelektualit të njohur dhe shumë të respektuar në të gjitha trojet shqiptare. Nacionalist me vizion të qartë dhe në radhët e rinisë u shqua si  njëri nga bashkëpunëtorët më të afërm të Mithat Frashërit. Më 1941 u rikthye në Prishtinë, ku së bashku me Vasil Andonin drejtuan  organizatën e Ballit në gjimnazin-normalën “Sami Frashëri”. Luftoi me armë për mbrojtjen e trojeve etnike  në Gjilan, Prishtinë, Prapashticë e gjetiu, punoi për mobilizimin në luftë të rinisë shqiptare. U bashkua me forca atdhetare të Shaban Polluzhës, dhe punoi e veproi edhe në kuadrin e LNDSH-së, si këshilltar i ONDSH-së të Shkupit. U detyrua të largohej jashtë vendit, por veprimtarinë atdhetare nuk e ndërpreu për asnjë çast.

Ibrahim (Hazër) Lutfiu (1912-1950). Lindi në Prizren. Ndërmjet dy luftërave ishte sekretar i përgjithshëm  i Institutit të Lartë Islamik të Bosnjës në Sarajevë dhe gjatë Luftës II Botërore prefekt i Mitrovicës. Në nëntor të vitit 1944 u arrestua nga OZN-a por rrugës për në Prishtinë e liruan luftëtarët shqiptarë që më 2 dhjetor kishin rrethuar Ferizajn.  Pasi kaloi në ilegalitet, veproi në vise të ndryshme të Kosovës, u lidh me KQ të ONDSH-së me qendër në Shkup; i bashkërëndoi aksionet politike me Shtabin Suprem të Kosovës dhe me organizatën „Besa Kombëtare“ të Ymer Berishës. Në vitin 1946 mori pjesë në Kongresin e Lypovicës, dhe bashkëpunoi me udhëheqës të LNDSH-së dhe të njësiteve guerile në Drenicë, Shalë, Llap, Moravë etj. Vetëm në shkurt të vitit 1950, raportet e UDB-es, arritën të zbulonin vendin ku strehohej, por I. Lutfiu për të ruajtur pjesëtarët e familjes që e kishte strehuar dhe për të mos u dorëzuar i gjallë u detyrua të vriste veten.

Avdyl Henci një nga themeluesit e Komitetit të Rinisë Nacionaliste për Mbrojtjen e Kosovës, u u ngarkua me detyrën e kryetarit të Seksionit të tij Ushtarak. Udhëhoqi luftimet në Prapashticë dhe në pjesët me të rrezikuara të trojeve etnike. Pas mbarimit të luftës u detyrua ta lërë vendlindjen, por veprimtarinë atdhetare e vijoi në diasporë, në kuadrin e ”Lidhjes Kosovare”.

Kolonel Qazim Komoni (1895-1951), lindi në Gjakovë. Pasi mbaroi shkollën ushtarake në Itali, shërbeu në ushtrinë shqiptare. Mbas pushimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste u internua në Itali.  Nga shkurti deri në maj të vitit 1944 ishte komandant i Sektorit Kosova të Ushtrisë Shqiptare me gradën kolonelit. U shqua si drejtues i luftimeve kundër sulmit të reparteve  çetniko-partizane serbe dhe organizator i formacioneve vullnetare. Hartoi projektin për mobilizimin dhe formimin e reparteve ”kreshnikë” dhe vullnetare,  i cili u miratua edhe në tubimin që u mbajt në Rogovë të Hasit me përfaqësues të prefekturave, të Komiteteve Qarkore dhe Komitetit Qendror të Lidhjës së Dytë Prizrenit. Pas suprimimit të Sektorit Kosova  të Ushtrisë Shqiptare u kthye në Tiranë dhe mbeti në dispozicion të Komandës së Ushtrisë në Tiranë. U arrestua nga regjimi  komunist në Shqipëri dhe në fillim të vitit 1945, ju dorëzua autoriteteve jugosllave. Vdiq nga torturat dhe kushtet e rënda në burgun e Mitrovicës së Sremit.

Kolonel Fuat Dibra (1895-1946), lindi në Dibër të Madhe. Pasi mbaroi kursin e oficerëve në Tiranë, shërbeu në Ushtrinë Shqiptare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore  shërbeu si oficer në shumë rajone të vendit, ndërsa  në fillim të vitit 1944, u caktua komandant i Regjimentit IV të Sektorit Kosova me seli në Prishtinë. Me këtë detyrë mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e trojeve etnike nga formacionet çetnike e partizane serbe e bullgare. Më 14 nëntor 1944, u shoqërua nga në forcat e Brigadës V të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë (UNÇSH)-së për në Tiranë ku u arrestua dhe ju dorëzua autoriteteve jugosllave. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në Prizren, më 9 tetor 1946. 

Shefqet Shkupi, prokuror i Gjyqit të Qarkut në Prishtinë. U arrestua nga repartet e Brigadës V të UNÇSH-së, të komanduar nga Shefqet Peçi dhe u pushkatua në afërsi të Prizrenit.

Prof. Ibrahim (Osman) Kelmendi (16. IV. 1916- 24. I. 1979). Rrjedh nga një familje intelektuale nga Presheva. Pasi kreu Medresenë e Madhe në Shkup dhe Fakultetin Filozofik – Degën e Historisë në Zagreb, në vitet 1943-1944  shërbeu si profesor në gjimnazin ”Sami Frashëri” të Prishtinës. Në fund të vitit 1944 ju bashkua qëndresës shqiptare, ndihmoi për mobilizimin në luftë të rinisë dhe mori pjesë pothuaj në të gjitha përleshjet me partizano-çetnikët në Moravë, Preshevë, Drenicë, Ferizaj etj. Më 1945 u detyrua të emigrojë në Greqi, Gjermani dhe në fund, në Melburn të Australisë. Drejtoi organet e shtypit në emigracion ”Flamuri”, ”Albania” (Boston) ”Shqipnija e lirë”, ”Besa” (Stamboll), ”Përpjekja jonë” (Nju-York) etj. dhe si historian i mirëfilltë shpalosi idetë e tij atdhetare.

Prof. Ymer (Shaban) Berisha (1912-1946), lindi në  fshatin Gjurgjevik i Madh. Pasi kreu Shkollën Normale në Elbasan, arsimin e lartë, në degën histori-gjeografi dhe kursin ushtarak në Romë, shërbeu arsimtar në fshatrat e Krujës, Tropojës, Kukësit, Peshkopisë, Lushnjës, Beratit, dhe të Shkodrës, ndërsa në vitet 1941-1944, në normalen ”Sami Frashëri” të Prishtinës. Nga nëntori i vitit 1944 doli në ilegalitet, formoi organizatën ”Besa kombëtare” dhe u shqua si ideolog i qëndresës së armatosur për mbrojtjen e kufijve dhe bashkimin e trojeve shqiptare. U vra më 11 korrik të vitit 1946, në Hereç të Gjakovës, në përpjekje me forcat e të ashtuquajturës Mbrojtje Popullore dhe të milicisë.

Av. Idriz Shahmani (1910-1944) lindi në Plavë. Kreu Medresenë e Madhe të Shkupit dhe   Shkollën e Lartë të Sheriatit në Sarajevë. U shqua si anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe organizator i Komitetit të Rinisë Nacionaliste  për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar. Për shkak të pikpamjeve dhe të veprimtarisë së tij antifashiste u arrestua nga Gestapoja dhe u dërgua në Shkodër. Atu u helmua nga komunistët më 27/28 nëntor të vitit 1944, natën e fundit, para se Shkodra të binte nën pushtetin komunist.

Ajet Gërguri (1906-1947) lindi në Dolak të Vushtrrisë. Familja, që ishte shpërngulur në Shqipëri, më 1942 u rikthye në Kosovë. Bashkëpunoi me Lëvizjen Nacionalçlirimtare (LNÇ) e Kosovës dhe mbajti lidhje me Brigadën V të UNÇSH-së. Në nëntor të vitit 1944 u emërua nëpunës në Seksionin e Bujqësisë pranë Këshillit Ekzekutiv  të Rrethit të Podjevës. Gjatë vitit 1945 kur u vendos plotësisht sistemi okupues jugosllav në Kosovë, u bë nga udhëheqësit e qëndresës shqiptare dhe u shqua si organizator i Kongresit të Lypovicës. U arrestua nga UDB-ja  me 3 shkurt 1947, në fshatin Okrashticë.  

Qazim Sefë Llugaxhia (1910-1985) nga fshati Llugaxhi. Kryetar komune në Babush gjatë vitit 1941-1942, kryetar i Komitetit Qarkor të  Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Lypjan (1943-1944). Në fund të vitit 1944 kaloi në ilegalitet dhe mori pjesë në luftimet për çlirimin e Ferizajt. Në shtator të vitit 1945 u largua jashtë vendit, por pa e ndërprerë veprimtarinë në dobi të çështjes kombëtare.

Bedri (Abdi) Pejani (1885-1946, publicist, diplomat dhe atdhetar i shquar. Shkollën e Mesme e kreu në Robert Kolezh dhe studimet e larta në Degën e Historisë në Universitetin e Stambollit. Delegat në Kongresin e Manastirit (1908), dhe sekretar i Komitetit i Komitetit të Kosovës” (1918-1924). Gjithë jetën e vuri në shërbim të kombit e të atdheut dhe për këtë qëllim bashkëpunoi edhe me Kominternin dhe me LNÇ. Nga janari deri në mes të qershorit 1944 ishte kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit . Më 1945 u arrestua nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar, dhe ju dorëzua autoriteteve jugosllave që e dënuan me vdekje. ”Vdiq” në spitalin e Prizrenit, më 6 korrik 1946).

Halim (Shaqir) Spahia (1897-1946), lindi në Gjakovë, në një familje me tradita atdhetare. Atdhetar që gjithë jetën e pasurinë e vuri në shërbim të çështjes kombëtare. Ndihmoi materialisht LNÇ, u zgjodh kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar (KNÇ) të Rrethit të Prizrenit dhe anëtar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar  të Kosovës. Duke mos pasur besim në forcat komuniste, Halim Spahia se bashku më Selman Rizën, Ejup Binakun, Tahir Dedën themeluan më 1943 në Gjakovë ONDSH. Në Konferencën e Këshillave Popullore të Rretheve të Kosovës që u zhvillua më 19-24 mars 1945 në Prishtinë, ju kundërvu energjikisht aneksimit të Kosovës në kuadrin e Federatës Jugosllave dhe kthimit të kolonëve serbo-malazezë në Kosovë. Ishte anëtar ë delegacionit e të shqiptarëve të Kosovë, i cili më 4 prill 1945 shkoi në Beograd për t’u takuar me Josip Broz Titon. Në takim kundërshtoi hapur aneksimin e Kosovës nga Serbia federale dhe kërkoi bashkimin e saj me Shqipërinë. Pas arsyetimit të Titos se ishte marrë vesh me Enver Hoxhën që Kosova të mbetej edhe për një kohë në përbërje të Jugosllavisë. Halim Spahia parashtroi kërkesën për konstituimin e një republike të veçantë të shqiptarëve në Jugosllavi.  Për këtë ai kërkoi edhe përkrahjen e Enver Hoxhës në takimin që pati me të në Tiranë, por pa dobi. Edhepse ishte shtetas i Shqipërisë, Halim Spahia u ekstradua nga shteti shqiptar, dhe iu dorëzuan oficerëve të OZN-as Çedo Mijoviqit dhe Nazmi Kursanit.  U dënua me vdekje nga Gjyqi i Qarkut në Priren, dhe u pushkatua më 16 shkurt 1946 në  Taukbashqe të Prishtinë.

Sadik (Mehmet) Peçani (1893-1964). Në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte nëpunës në komunën e Therandës, kurse në vitin 1943 u zgjodh anëtar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mbas luftës, ishte midis nismëtarëve që formuan komitetin e ONDSH-së në Therandë dhe anëtar ë tij. U arrestua më 1944 e më 1945 dhe u dënua me 7 vjet burg.

Halim Shuku, me prejardhje nga Gjakova. Në prill të vitit 1941 u emërua kryetar Bashkisë së Ferizajt. Veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit,  kurse mbas luftës ishte kryetar i Komitetit të ONDSH-së të Ferizajt.

Stak Mark Shkorreti, argjendar i njohur dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare. Për shkak të veprimtarisë atdhetare është ndjekur dhe persekutuar vazhdimisht nga pushtuesit serbë, bullgarë e jugosllavë. U likujdua nga OZN-a në fund të nëntorit të vitit 1944 së bashku me shumë burra të shquar të Prishtinës dhe të rrethinës. Mbas tij u egzekutuan edhe tre djemtë, Marku sepse  më 20 nëntor 1944, në Janjevë, kishte hequr flamurin jugosllav dhe kishte vendosur atë shqiptar, Luzi dhe Mikeli si dhe nipi (djali i Markut, Staka II).

Aqif  (Ismail) Tetova, atdhetar i flaktë dhe deputet në kohën e Jugosllavisë së Vjetër. Në vitin 1941 organizoi administraten shqiptare në Nënprefekturën e Gjilanit, më 1943 ishte përfaqësues i Gjilanit në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë (1943-1944). Në nëntor 1944 u arrestua dhe u likuidua nga OZN-a, ndërsa në dhjetor kolonët serbë ë vranë të birin 15 vjeçar.  

Shaban Polluzha (1871-1945), lindi në fshatin Polluzhë, në një familje me tradita atdhetare. Pjesëmarrës në kryengritjen antiosmane të vitit 1912 dhe në luftën kundër pushtuesve serbë (1912) dhe atyre bullgarë (1916-1917). Ndërmjet dy luftërave botërore kryetar komune në Drenicë. Gjatë viteve 1941-1943 ishte komandant i vullnetarëve të Drenicës në luftë për mbrojtjen e trojeve etnike në kufi me Serbinë dhe Malin e Zi. U angazhua edhe kundër pushtuesve italianë dhe për këtë arsye  e arrestuan dhe së bashku me familjen e burgosën në Pejë. Mbas nëntorit të vitit 1944 u angazhua për formimin e Ushtrisë Kombëtare dhe për Mbrojtjen e Kosovës. Këtë proces e penguan njësitë e OZN-ës dhe repartet ushtarake jugosllave, të cilat filluan  të zbatonin në Kosovë fushatën e dhunës dhe të terrorit. Në këto rrethana, Brigada u detyrua të rikthehej në Drenicë për të mbrojtur familjet dhe njerëzit e saj. Udhëhoqi Luftën e Drenicës dhe ra heroikisht më 21 shkurt 1945)

Miftar  Bajraktari (1888-1945), lindi në Llaushë. Me iniciativën e tij, në vitin 1941, u formua Këshilli i Pajtimeve në Nënprefekturën e Skenderajt, ndërsa gjatë viteve 1941-1944 udhëhoqi njësive vullnetare në luftimet për mbrojtjen e trojeve etnike nga sulmet çetniko-partizane. Veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kurse në Luftën e Drenicës ishte zëvendës komandantit të brigadës. Vdiq nga zemra, më 14 shkurt 1945.

Azem (Aruq) Gjinovci (1887-1955), lindi në fshatin Makermal të Drenicës. Pjesëmarrës i kryengritjes antiosmane të vitit 1912, i çetës së Azem Bejtës (1916-1924) në luftë kundër pushtuesve bullgarë, dhe ushtrisë serbe. Në vitet 1941-1944 ishte anëtar i Këshillit të pajtimeve për Nënprefekturën e Vushtrrisë; mori pjesë në luftimet për mbrojtjen Pazarit të Ri, në krye të një grupi vullnetarësh, komandant batalioni në Brigadën e Drenicës. Më pas vazhdoi qendresën e armatosur deri në shtator të vitit 1945, kur u hapën nga Brigada VIII e UNÇSH-së.

Mulla Iljaz (Hysen) Broja (1892-1946), lindi në fshatin Kastriot. Kreu medresenë në Gjakovë dhe shërbeu imam në Brojë dhe në disa vende tjera të Drenicës. Veprimtar i ”Xhemietit” (Bashkimit) dhe i Lëvizjes çlirimtare, u angazhua për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Gjatë viteve 1941-1944 mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e trojeve etnike nga sulmet çetnike, ishte veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet i kuvendit të Shqipërisë në Tiranë (1943-1944). Në nëntor të vitit 1944, bashkëpunoi për ngritjen e këshillave në Skenderaj e më gjerë dhe u inkuadrua në Brigadën e Drenicës. Pas përfundimit të Luftës së Drenicës, u përfshi në qëndresën kundër zgjedhjes jugosllave. U arrestua më 1946 dhe u egzekutua në Zllokuqan të Klinës.

Bedri Gjinaj (Mitrovicë, (1912-1944), lindi në një familje të njohur atdhetare. Pasi mbaroi shkollën teknike në Tiranë, punoi si mësues në Shqipëri, ndërsa më 1941 u kthye në Mitrovicë dhe kontribuoi shumë për përhapjen e shkollave shqipe në zonën gjermane të pushtimit. Mori pjesë në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe u zgjodh sekretar i saj. Në vjeshtë të vitit 1944 formoi organizatën dhe Batalionin e Rinisë për Mbrojtjen e Kosovës në Qarkun e Mitrovicës, ndërsa nga fundi i vitit 1944 u bashkua me Brigadën e Drenicës. U arrestua dhe u likujdua nga OZN-a në rrethana të panjohura.

Hamdi (Hazir) Mramori (1895-1944), lindi në Mramor, Prishtinë. Mbante lidhje me veprimtarët dhe liderët e Xhemjetit, Ferat Dragën, Nazim Gafurrin e të tjerë dhe në vitet e luftës ju bashkua lëvizjes për mbrojtjen e trojeve etnike. Deri në nëntor 1944 ishte komandant ë një njësie vullnetare në frontin e Prapashticës, ndërsa në dhjetor ishte anëtar ë Shtabit të forcave që morën pjesë në sulmin për çlirimin e Ferizajt. U vra në këto luftime më 2 dhjetor 1944.  U shqua në luftimet e zhvilluara në vendin e quajtur Bllata e Sllovisë afër Gadimës. 

Tahir Kolgjini (1903-1988), lindi në fshatin Lusën të Lumës. Arsimin e mesëm e kreu në Turqi, ndërsa në Shqipëri ushtroi detyra të ndryshme. Gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi në Prizren, dhe më pas u emërua prefekt në Gjirokastër, Prishtinë e Shkodër. Mbas luftës u vendos për fundimisht në Stamboll. Shkroi shumë artikuj kulturorë e Gjuhësorë, që ë botoi në ”Shejzat”, ”Koha jonë”etj.

Musa (Jahë) Govori nga fshati Prapashticë. Veprimtar ë Lidhjes së Dytë të Prizrenit, deputet ë Prishtinës në Kuvendin e Shqipërisë, në vitet 1943-1944. Në vitin 1956- gjatë aksionit të armëve u shpërngul në Shkup, kurse familja në Turqi.

Bajrush (Ali) Xhakli (1904-1990), lindi në fshatin Kishnapole. Veprimtar ë shquar ë lëvizjes kombëtare. U detyrua të shpërngulej nga Kosova dhe aty u rikthye në vitin 1942 dhe shërbeu me gradën kapiten në xhandarmërinë shqiptare. Pas luftës veproi në ilegalitet, ndërsa nga fundi ë nëntorit të vitit 1945, u largua jashtë vendit. U vendos përfundimisht në Boston të SHBA-ve, ku punoi te bashkatdhetari Antoni Athanas deri sa vdiq.

Abedin (Selman) Braha (1892-1961), i njohur si Din Hoxha, lindi në Kaçanikun e Vjetër. Në vitin 1941 kundërshtoi pushtimin bullgar dhe kërkoi që zona bullgare e pushtimit t’ë bashkohej Shqipërisë. Mbas viti 1944 mbeti në arrati në krye të një grupi të fuqishëm të armatosur, ndërsa mbledhja e krerëve të këtyre grupeve që u mbajt në Malin e Verbanit, e zgjodhi zëvendëskomandant të lëvizjes për rrethin e Gjilanit, Kaçanikut, Neredimjes (Ferizaj) dhe të Shkupit. Në vitin 1947 u gjykua dhe u dënua me 12 vjet burg.

Mulla Januz Abazi-Lubishta (1885-1951), lindi dhe ishte imam në fshatin Lubishtë të Vitisë. Në kohën e Luftës ë Botërore u keqtrajtua dhe u ndoq nga forcat bullgare të cilat e mbanin të okupuar këtë pjesë të Moravës, ndërsa gjatë viteve 1941-1944 u angazhua për bashkimin e këtyre viseve me Shqipërinë dhe për mbrojtjen e kufirit etnik në Karadak e në Kozjak dhe në sektorët e tjera.

Tahir (Halim) Lubishtani (1900-1976), lindi në Sllatinën e Poshtme të Vitisë. Ishte ë njohur si pleqnar dhe njeri me autoritet. Gjatë luftës së Dytë Botërore luftoi me pushkë në dorë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare. U shqua sidomos gjatë luftimeve të zhvilluara në verë e vjeshtë 1944 në Kitkë dhe në Bujanovc të Kosovës Lindore.

Hysen (Sahit) Cakaj i njohur si Hysen Tërpeza, lindi më 1908 në fshatin Tërpezë të Vitisë. Kryetar komune në Pozharan dhe pjesëmarrës ë lëvizjes antifashiste. Pasi kuptoi mashtrimin serbokomunist, luftoi kundër pushtuesve dhe u shqua si njeri nga organizatorët e sulmit shqiptar në Ferizaj në dhjetor të 1944-ës. Deri në nëntor të vitit 1945 u shqua si luftëtar dhe drejtues ë luftës guerile. Më pas u largua në Evropë e SHBA, por pa e ndërprerë veprimtarinë atdhetare. Në vitin 1999, pas 54 vjetëve qendrimi në ekzil, u rikthye në Kosovën e lirë, ku vdiq më 24 qershor 2002.

Rifat (Abdurrahman) Krasniqi, lindi në vitin 1917 në fshatin Mamushë të Rahovecit. Me profesion jurist dhe shërbeu si gjykatës në Kukës, në Rahovec, në Istog dhe në Prizren. Veprimtar dhe për disa kohë sekretar ë KQ të ONDSH-së të Prizrenit.

Halim (Qerim) Miskiqi (1890-1944). U lind në Shakovicë të Podujevës. Ishte burrë trim dhe i vendosur, kryeplak i fshatit në ndërmjet dy luftërave botërore, kurse gjatë viteve 1941-1944 kryetar i Komunës së Bakshisë. Veprimrar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe luftëtar i vendosur për mbrojtjen e trojeve etnike. Likujdohet nga OZN-a në fund të vitit 1944.  

Xhelal Mitrovica (1916-1957). Publicisti më i shquar që pati Kosova dhe Shqipëria në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Përfaqësues i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë. Vdiq në ekzil në SHBA. Nëna e tij jetoi dhe vdiq në Tiranë, e torturuar dhe e tërhequr në një kasollë të shkretë, më 1953.

Kajtaz Ramadani- me pseudonimin ”Leka”, djali i Ramadan Shabanit, veprimtarit të njohur të Lëvizjes Kombëtare. Lindi më 1890 në fshatin Kijevë dhe u zgjodh kryetar i Komitetit Qarkor të ONDSH-së të Rahovecit).

Marie (Mark) Shllaku, lindi në Shkodër më 1922. Për një periudhë kohe punoi ndihmëse në Qelën e Fishtës, ndërsa më pas vazhdoi studimet në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Romës. Gjatë luftës ishte sekretare e Iljaz Agushit dhe e Xhafer Devës. Me mbarimin e luftës ju përkushtua çështjes së bashkimit të forcave të qëndresës shqiptare. Mori pjesë aktivisht në Kuvendin e Drenicës dhe luftoi bashkë me burrat më në zë të Kosovës derisa u plagos dhe u zu rob nga repartet jugosllave të ndjekjes.

At Bernard (Filip) Llupi, famullitar i kishës katolike shqiptare në Pejë. Lindi në Shkodër më 1886. Kishte kryer dy fakultete, të teologjisë dhe të farmacisë. Fliste anglishten, italishten, spanishten, serbishten. U shqua si një nga atdhetarët më të devotshëm të asaj kohe, që u përpoq me të gjitha forcat  për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës dhe të Çamërisë me Shqipërinë.

Kolë (Tomë) Parubi, lindi në Shkodër më 1905. Shërbeu si klerik dhe njëherazi edhe si profesor ë gjuhës shqipe në gjimnazin e Prishtinës dhe të Pejës. Gjatë Krishtlindjeve të vitit 1945, sipas udhëzimeve të at Bernard Llupit, formoi Komitetin e ONDSH-së në Prizren).

Gjergj (Martin) Martini (1917-1946), lindi  në Hot të Shkodrës.  Punoi mësues në Perlat e në Rubik, të Mirditës, në Kukës, në Prizren, në Mitrovicë dhe në Gjakovë, ku ushtroi edhe detyrën e drejtorit të shkollës. Ishte veprimtar i shquar i LNDSH-së).

Haki Taib Salihu (Mulla Haki ef. Sermaxhaj) (1916-1948) nga  Hogoshti. Myderriz dhe drejtor i Medresesë Atik të Gjilanit. Organizator i mbrojtjes së kufirit të Kosovës Lindore, anëtar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Nënprefekturën e Gjilanit, kryetar i Komitetit Qarkor të ONDSH-së të po kësaj nënprefekture dhe anëtar i KQ të ONDSH-së në Shkup.

Idriz (Qerim) Quza, mbiemri i vërtetë Maliqi (1907-1972), lindi në fshatin Rahovicë. Luftoi për bashkimin e trojeve etnike me Shqipërinë. Në vitin 1944 nën komandën Mulla Idrizit, mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Hogosht, Kitkë, Velegllavë dhe në sektorët tjerë më të rrezikura nga forcat serbo-bullgare. Pas vitit 1944 mbeti në arrati dhe iu bashkua grupit të Ahmet Hajdinit. Në vitin 1951, Idrizi u arrestua në Mqedoni dhe u dënua me 8 vjet burgim.

Limon (Asllan) Staneci (1923-1991). U lind në fshatin Stanec të Preshevës. Studjoi në Fakultetin Juridik të Beogradit. Sekretar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Nënprefekturën e Gjilanit. Ishte gazetar i talentuar dhe ushtarak që raportonte nga vijat e para të frontit për luftimet për mbrojtën e trojeve etnike në Kosovën Lindore në gazetën “Lidhja e Dytë e Prizrenit”. Me 13. IX. kur u hoq pushteti okupues bullgar u zgjodh nënprefekt i Preshevës. Ishte edhe sekretar i Idriz Gjilanit, gjykatës, kryeshef i Rethit të Gjilanit. Në maj të vitit 1948 arrestohet dhe denohet me 15 vjet burg.

Ramadan (Jusuf) Berisha (1920-1989)  nga Bardhi i Madh. Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare, dhe që njihet për përpjekjet për përhapjen e librit shqip në Kosovë. Në fillim të vitit 1945 u inkuadrua në LNDSH, ishte nga veprimtarët  më të shquar organizatës dhe të Shtabit rajonal, mbajti lidhje me Ajet Gërgurin, Gjon Serreqin, Azem Jashanicën etj. U  arrestua më 13 gusht 1946. Gjatë hetuesisë e keqtrajtuan mizorisht, ndërsa gjyqi ushtarak i Divizionit të Prishtinës, më 1947 e dënoi më 20 vjet burg.

Ismail Dragusha (1922-1947),  lindi në fshatin Rufc i Vjetër, në afërsi të Lypjanit. Luftëtar për mbrojtjen e trojeve etnike.  Pas vitit 1944 mbeti në arrati dhe  vazhdoi luftën kundër pushtuesve serbo-jugosllavë. Pjesëmarrës në Kongresin e Lypovicës  ku përkrahu pikpamjen që luftëtarët e qëndresës nuk duhet të braktisnin  Kosovën. Si pjesëtar i grupit të Gjon Serreqit bashkë me të shoqen Fatime Kelmendi-Dragusha  u shqua  në përleshjen e këtij grupi me repartet e ushtrisë, në gusht të vitit 1946, në Bilushë, afër Hoçës së Qytetit, mbi Prizren. U vra nga OZN-a dhe bashkëpunëtorët  e saj.

Fetije (Qazim) Kelmendi,  lindi në fshatin Ribar i Vogël. Kur i shoqi u  bashkua  më LNDSH-re dhe njësitet  armatosura ajo ë qëndroi pranë me të deri në vdekje. U vra në vitin 1947 së basku me burrin dhe djalin disamuajsh nga repartet e UDB-së në jugosllave.  

Hasan (Ibrahim) Kabashi nga fshati Kabash i Vitisë,  lindi në vitin 1902. Më 1913 serbët vranë 64 burra të Kabashit, duke përfshirë këtu edhe axhën e tij, gjë që i la mbresa të thella. Së bashku

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat