Pa ty Azem!

Opinione

Pa ty Azem!

Nga: Martin Dedaj Më: 11 shtator 2018 Në ora: 18:41
Martin Dedaj

 Plot dy dekada, kanë kaluar nga 12 Shtatori i vitit 1998, nga dita kur u ndave nga ne, në mënyrë të mistershme, studenti liberator i Dhjetorit 90, kryetari i parë i PDSH, deputeti i katër legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë, njeriu simbol i shqiptarizmës, miku dhe njeriu ynë i dashur Azem Hajdari. Në këtë ditë përvjetor familjes i mungon bashkëshorti dhe kryefamiljari, të afërmve të tij njeriu më i shtrenjtë, studentëve të Dhjetorit 90 prijësi i tyre, PDSH kryetari i parë dhe njëri prej drejtuesëve kryesor dhe vital të saj, Kuvendit të Shqipërisë i mungon oratori i fjalës së lirë, argumentimit dhe interpretimit të saj, kërkuesi konseguent i zgjidhjes së problemeve të elektoratit që e kishte votuar, por dhe atij në mbarë Shqipërisë.

Azemi i mungon vendlindjes së tij Tropojës, i mungon Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Lezhës, Kurbinit, Gjirokastrës, Mirditës, Korçës, Dibrës, Kukësit, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Beratit, dhe mbarë Shqipërisë. U mungon bashkëatëdhetarëve tanë kudo ato janë në mbarë globin. I mungon Kosovës, Preshevës, Metvexhës e Bijanovës, Çamërisë dhe mbarë viseve të banuara nga shqiptarët. Na mungon të gjithëve. Por ai do të mbetet përjetësisht i gjallë sepse e tillë ka qenë dhe do të mbetet vepra dhe aktiviteti i tij në shërbim të vlerave të lirisë demokracisë dhe çështjes kombëtare. Azem Hajdari do të mbetet përjetësisht në memorien e shqiptarëve si studenti nismëtar dhe drejtues i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit të vitit 1990, nacionalist i spikatur dhe tribun i çështjes kombëtare shqiptare, deputeti i zgjedhur në mënyrë plebishitare nga elektorati shqiptar në katër legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë.

***

Azem Hajdari do të bëhej i njohur në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit të vitit 1990, lëvizje e cila shumë shpejt do të shpërthente si një uragan mbarë popullor, që më pas solli shembjen e murit shqiptar të Berlinit, komunizmit monstruoz 50-vjeçar, dhe më pas lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe krijimin e të parës parti opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike Shqiptare ku ai pati nderin të jetë pjesë e grupit nismëtar dhe kryetari i parë i saj. Në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, Shkodra do ta pagëzonte deputet dhe përfaqësues të saj për në Kuvendin e Shqipërisë. Më vonë në zgjedhjet e tjera parlamentare, do të zgjidhej deputet në vitin 1992 në Shijak, në vitin 1996 në Librazhd, dhe në vitin 1997, në vëndlindjen e tij Tropojë. Në të gjitha këto zgjedhje ai u votua bindshëm dhe në mënyrë plebishitare nga elektorati i këtyre zonave.

Një merak i madh që Azemi kishte për së gjalli ishte çeshtja kombëtare dhe lufta pa kompromis ndaj çdo gjëje të keqe, që binte ndesh me idealet e tij fisnike. Ai u ngrit mbi padrejtësitë, pavarësisht kahjeve të politikës prej nga vinin ato. Pikërisht këto veti vitale dhe fisnike të tij, shto këtu trimërinë dhe guximin e pashoq, bënë që anë e kënd vendit dhe jashtë tij, Azemi të bënte dhe të kishte adhurues të shumtë.

Në këtë ditë përvjetor pa Azemin nuk janë vetëm të afërmit e tij, por janë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike Shqiptare si dhe ato të Shoqatës Nacionaliste të pagëzuar me emrin e tij, drejtuesit e të cilës nuk e di se ku janë strukur dhe pse për vite të tëra s’janë dukur gjëkundi?!... Pa Azemin është e gjithë Shqipëria dhe mbarë diaspora kudo që flitet dhe shkruhet gjuha jonë e ëmbël shqipe. Pa të janë të gjithë zemrat e shqiptarëve të ndershëm, therjet dhe rënkimet e tyre për pabesinë dhe padrejtësinë e marrjes së jetës së tij, janë njëherësh apel mbarëkombëtar për shqiptarët dhe brezat e politikës, që të japin drejtësi deri në zbardhjen e plotë të kësaj vrasje monstruoze dhe mafioze. Azemi edhe për së vdekuri kërkon drejtësi, në dhënien e së cilës drejtësia shqiptare do të tregojë pavarësinë e saj nga duart zgjatuese të mafies, e cila e ka mbërthyer keqas shoqërinë shqiptare në këto vite të stërgjatura tranzicioni. Shqipëria nga Veriu në Jug në këtë ditë përvjetor përkujtimi është pa Azaem Hajdarin. Por pa të është edhe Kosova motër tashmë e çliruar dhe shtet i pavarur, që ka hyrë në udhën e integrimit, kauzë për të cilën Azemi për së gjalli kontriboi dhe punoi fort. Pa Azemin është Çamëria dhe të gjitha trojet shqip folëse dhe shqiptarët kudo ato janë.

Azem Hajdari, do të mbetet përjetësisht i gjallë pasi e gjallë ka qenë dhe do të mbetet vepra e tij në shërbim të vlerave të lirisë, demokracisë dhe interesave kombëtere. Vlerat e tij janë të lartësuara anë e kënd Shqipërisë e më gjërë. Pafundësi vargjesh dhe “lumenj” këngësh janë thurur në vlerësim dhe respekt të jetës dhe aktivitetit të tij. Në shumë qytete të Shqipërisë është vlerësuar me titullin: “Qytetar Nderi”, si dhe i janë ngritur monumente përjetësie. Këshilli i ish Komunës Shëngjin, ka nderin dhe kënaqësinë të jetë i pari institucion i qeverisjes vendore në Shqipëri, që e shpalli Azem Hajdarin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes), veprim i cili u pasua më pas nga Këshilli i Bashkisë Lezhë, për të vijuar më tej me shumë njësi vendore të Shqipërisë e për të mbërritur në nderimin më të lartë, “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës së Shipërisë. Janë këto vlerësime pavdekësie dhe përjetësie për këtë njeri të madh të kombit shqiptar, këtë njeri që vërtet i meritone këto vlerësime, siç dhe meritonte të jetonte jetën për vehte, familjen dhe shoqërinë. Azem Hajdari ka qenë dhe do të mbetet një njeri i madh, që lartësinë e tij e shkroi me vepra për lirinë, demokracinë, Atdheun, Flamurin dhe Çeshtjen Kombëtare.

Dy dekada pa Azemin, do të thotë shumë më shumë sesa koncepti kohë, ndaj ai është sërish  midis nesh, pasi idealet dhe aktiviteti i tij do të jenë udhërrëfyes për të gjithë ne, që aspirojmë një Shqipëri të integruar në Evropë dhe botën e qyetëruar.

Azem ti je gjallë!...

 Është kjo thirrja e dalë nga thellësitë e zemrave të shumë e shumë shqiptarëve dhe bashkëatdhetarëvë që të deshën aq shumë për së gjalli dhe të kujtojnë përjetësisht me mall dhe respekt. Amanetet tuaja do të jenë përjetësisht të lartësuara në memorien e të gjithë shqiptarëve dhe bashkëkombasve tanë kudo ato janë.

“O nënë o bir, kërkoj një fjalë

            Azem! Azem! Ti je gjallë...

            O nënë e bir më jep Flamur

             Azem! Azem! Ti nuk vdes korrë”

.... Janë këto disa nga vargjet e këngës himn kushtuar trubunit të lirisë dhe demokracisë shqiptare, “Nderit të Kombit”, Azem Hajdari, të titulluar: “Atdhetar me fjalë prej ari”, të shkruara nga poeti i mirënjohur mirditas, i ndjeri Gjokë Beci dhe të kënduara nga kantautori i njohur “Mjeshtri i Madh”, Esat Ruka, këngë e cila u bë refren i shumë e shumë aktiviteteve, të qëndresës dhe mbijetesës së demokratëve në vitet e vështira të opozitës së tyre (1997-2005).

Nderim përjetësisht veprës tënde të ndritur o Azem Hajdari! Mallkim për jetë atyre që organizuan dhe realizuan vrasjen tënde, duke të këpur në mes jetën dhe bashkë me të ëndrrat dhe dëshirat tuaja të bukura.

Azem përjetësisht do të mbetesh i gjallë!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat