Ne ishim viktima të aparteidit serb, ju të injorancës

Opinione

Ne ishim viktima të aparteidit serb, ju të injorancës

Nga: Lis Bukuroca Më: 9 shtator 2018 Në ora: 13:05
Lis Bukuroca

Për çlirimin e Kosovës, u organizua dhe vuajti një populli i tërë dhe secili në mënyrën e vet, kontribuoi. Si tërësi, ia dolëm. Ne jashtë kishim një ëndërr: Ne ëndërronim pas luftës të kthehemi dhe ndërtojmë një shtet si këto që njohim në Perëndim: Shtete të së drejtës dhe i mundësive të barabarta. Njëzet vite më vonë, ne jo se dëshirojmë të kthehemi, por as nuk na shkohet atje, e pastaj, ata që janë brenda, pjesa dërmuese, do të ikte sot, sikur të ishte e mundur!  Por ka një dallim! Ne ishim viktima të një aparteidi serb, këta që ikin apo do të iknin sot, janë viktima të injorancës së pashembullte në Europë. Kuptohet, të injorancës së elitës politike!

Ne kemi ngelur ashtu si ishim, shqiptar. Me shumë atje nuk kuptohemi më. Identiteti dhe perceptimi i tyre ka ndryshuar brenda shumë, sa nuk merremi më vesh në mes vete, edhe pse flasim të njëjtë gjuhë dhe kemi prejardhje të njëjtë. Ne nuk kuptojmë më dhe nuk dimë të shpjegojmë fragmentimin dhe moskokëçarjen për shtetin e uzurpuar, për krimin ekonomik, dhe për administratën fisnore.

Ne protestonim kundër padrejtësive të shtetit jugosllav dhe serb. Sot, nuk gjenden disa mijëra veta, që do të sakrifikoheshin para Kuvendit, para Qeverisë dhe para Presidencës për të bërë një grevë urie deri në largimin e tyre, ose deri në vetëflijim! Nuk ka! Nuk gjenden dy veta, por gjen shumë prej tyre, që me gurë, do të thyenin xhama apo do të ndiznin makina!

Ne kemi një Kryeministër, i cili kërkon duel dhe dëshiron të rrihet me kundërshtarin nga opozita. Ky sugjeron mënyrën e vet, që njeh për zgjidhjen e telasheve: Vetëgjyqësinë! E si mund të udhëheq një shtet, një njeri me këtë dije, me këtë nivel të kulturës dhe botëkuptime të shtetit?! E kush nga jashtë do të dëshironte të takojë një njeri me aftësi dhe qëndrime të tilla?

Ne kemi president, i cili krye në vete, pa shpalosur para Kuvendit projektet, merr vendime. Ne analizojmë qëndrimet e tij, ne shqyrtojmë deklarata e tij, ne merremi me hamendje, ai vazhdon projektin sekret, mu si edhe e bëri me Malin e Zi, si e bëri me Autonominë Serbe. Ai po sjell Kosovën para akteve të përfunduar, sepse ai nuk bën një dallim në mes vetes dhe Kosovës. Ai mendon se Kosova është Hashimi dhe Hashimi është Kosova.

Ai përdori, keqpërdori, shfrytëzoi dhe abuzoi me Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Veselin, Pacollin... dhe i ka të gjithë në dorë. Nuk ka faje vetëm Hashim Thaçi, por fajet gjenden pikërisht te ndërtuesit e karrierës së tij dhe ata janë të lartpërmendurit.

Sot kemi një situatë paradoksale, ku Serbia ka më shumë pushtet në Kosovë se sa Qeveria, ose Presidenca Kosovës. Sot jemi në atë gjendje të mjerë, ku pa Listën Serbe, nuk mund të vendoset, as kush do të bëjë negociata me Serbinë. Sot kemi një Qeveri kuislinge, që varet kryekëput nga Beogradi.

Kosova po dëmtohet nga opozita, që nuk gjen strategji për të penguar konsolidimin e shtetit privat të Thaçit dhe po dëmtohet nga populli spektator. Kosovës sot i duhet një mosbindje qytetare, një grevë paqësore, që do të çonte në përmirësimin e shtetit dhe lirimin e gjykatave nga gjykatës të blerë dhe prokuroria nga prokurorë të fiseve të tyre.

Politikanët e Kosovës nuk luftojnë për interesa nacionale, por vetjake. Ata gjatë një mandati, rehatojnë fisin e vet. Ky është qëllimi i tyre, jo punësimi me njerëz të aftë, por me të familjes.

Aty gjendet një nga arsyet pse na shfaqet Serbia më sipërore, sepse ajo nuk udhëhiqet nga instinktet, nga interesi i politikanit, por nga interesi nacional.

Politikanët e Serbisë luftojnë për shtetin e Serbisë! Politikanët e Kosovës luftojnë për karrige dhe pasuri! Ata kanë politikë të strukturuar me strategji nacionale, ne kemi klane (parti) fisnore, që bëjnë politikë antishqiptare! Serbet e duan shtetin, ne e duam vetëm nëse mund ta vjedhim dhe derisa ta punësojmë fisin! Thjesht një popull, që nuk mbron shtetin e vet, nuk është shtetformues, sepse ai shkel ligjet e shtetit të vet! Ne adhurojmë rregullin në shtetet e huaja, por e prishim në vendin tonë! Ne nuk duam shtet të së drejtës! Ne nuk duam t‘i shërbejmë shtetit, por shteti duhet të na shërbejë neve! Shkurt e shqip, ne dimë të prishim shtete, por jo të ndërtojmë! Të kesh qeveri me 100 ministra e zëvendës, të kesh Thaçin si uzurpator të shtetit dhe të shtrihesh natën për të fjetur, duhet të kesh nerva më të trasha se të buallit, ose të jesh në depresion kronik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat