Atë Gjergji: Ç’t’u desh që u ktheve?
Major Hansi: Nuk u ktheva me vullnet, më kapën në Blejburg derisa tërhiqesha me ushtrinë e mundur kroate. Na zunë robër ushtria angleze, na dorëzuan te jugosllavët. Ndërkaq, partizanët i ngrehën mitralozat e rëndë dhe masakruan pjesën dërmuese të armatës kroatë. Ishte e tmerrshme të shihje sesi ushtarët e paarmatosur vriteshin pa mëshirë. Tmerroheshe kur dëgjoje klithmat e tyre. Ata që mbetën gjallë nga breshëria e parë, vraponin nëpër luginë, të kapnin majat, ndërsa nga kodrat kërciste breshëria e dytë më e gjatë sesa e para. Plumbat i korrnin si drapri kallinjtë e grurit. Nuk e di si shpëtova, sepse nën breshërinë e plumbave isha gjithë kohën.
Mbaj në mend se para masakrës ishte me mua oficer Stipe, në krye të një çete kroate që tërhiqej drejt Austrisë. Nuk e di a shpëtoi. Ndërkaq, ata që shpëtuan i qëllonin me automatik nga afër, apo me revole në kokë. Mua më kursyen. Po të mos lidhej fati im me Shqipërinë, sigurisht do të më pushkatonin. Por Shqipëria u bë fatkeqësia e shpëtimi im. Ma kapen një emblemë shqiptare, me flamurin e qeleshen tuaj. Një herë menduan se jam oficer i Ballit, i fshehur pas uniformës gjermane. M’u sulën si bisha duke më goditur me tërbim.
Pastaj kur u lodhën duke më goditur dhe kur me gjithë grushtet nuk flisja shqip, atëherë nisën të binden që nuk isha oficer ballist. U zbutën.
Atë Gjergji: Pse e kërkoje prapë varrin?
Major Hansi: Ishte tundim i madh të bridhje nëpër Shqipëri e të mos e kërkoje varrin më të famshëm e më misterioz. Doja të hidhja poshtë teoritë që u shtruan katërqind e pesëdhjetë vjet. Më dukej kanë aq zbrazësi e hamendësime, ashtu sikurse ishte i zbrazët edhe varri. Kush nuk do të lëkundej nga forca e tundimit.
Atë Gjergji: Pse më ngatërrove në fiksimin tënd?
Major Hansi: Ti dije shumë, por vonë e mora vesh se ti ishe çelësi i kërkimit.
Atë Gjergji: Gabim e kishe. Dija sa të tjerët, por nuk doja të hapej edhe një herë një varr i zbrazët.
Major Hansi: Por ti e di ku është varri, françeskanët tuaj e dinin që nga fillimi. Ata ishin çelësi i fshehtësisë.
Atë Gjergji: Prapë gabohesh. Varrin e tij e di vetëm Zoti.
Major Hansi: Lëre ti Zotin në punët e veta. Ai u ndihmoi këtyre që nuk e pranojnë Zotin. Kot që ma thua. Hetuesve nuk u thashë asgjë për fshehtësinë tënde. Ata mendojnë se unë jam çelësi i fshehtësisë.
Atë Gjergji: Pse të kthyen në Shkodër?
Major Hansi: Jeta është e ëmbël. Desha të shpëtoja, prandaj u thashë se merresha me kërkimin e varreve.
Atë Gjergji: Merreshe me plaçkitjen e varreve, thuaj më mirë.
Major Hansi: Thuaj ç'të duash, por mos më ndërprit. Në burgun e Beogradit m’u sulën: ti qenke në grupin e zhvarrimit të Skënderbeut. Ku janë eshtrat e tij? Ku i keni fshehur? Apo i keni dërguar në bunkerët e Vermahtit, që t’i keni shqiptarët në grusht: ua morët shpatën e përkrenaren, tash doni t’ua merrni eshtrat...
Atë Gjergji: Nuk u thashë asgjë për ty, sepse nuk dija asgjë. Por çka do që të mohosh ti, do ta kërkojnë nga unë.
Major Hansi: Taktikë e njohur e Gestapos e Çekas sovjetike. E dija se takimi i dytë do të bëhej i kobshëm për ne. Nuk duhej të të kërkoja.
Pastaj dialogu i heshtur pushoi. Unë i shikoja nga largësia me bisht të syrit, ata e shihnin me indiferencë njëri-tjetrin.
Gjermani buzëqeshi hidhur, gulçonte nga mllefi. Nuk arrita ta lexoja nga shprehja e fytyrës, sepse sikur ta hetonte leximin e shprehjes së syve ma ktheu shpinën. Befas me njërën dorë paksa të liruar ia nxori revolen inspektorit shqiptar nga këllëfi. Me po atë shpejtësi ia drejtoi grykën e revoles herë njërit, herë tjetrit. Ata u stepën, nuk lëviznin fare, vdiqën nga frika. S’guxonin ta thërrisnin rojën, prapa dyerve. Po ta zgjaste kërcënimin jam i sigurt se dy inspektorët do të shurronin, sepse nisën të dridheshin.
Befas major Hansi, pasi i pa me një qeshje cinike, gati çmendurake, ia shkrepi vetes në kokë. Gjaku e spërkati hetuesin e murin pas. Majori Hans vdiq. Ata e morën veten. Iu sulën si bishat. Nga mllefi e shqelmonin egërsisht trupin e tij, jargët u dilnin nga goja. Por ai iku. Shpëtoi.
Ndërkaq, priftit shqiptar me frymën e fundit, syri ia regjistroi përpëlitjet e shokut të torturave e gjakun që e spërkati murin. E regjistroi edhe tërbimin e torturuesve. Dy inspektorët, pasi e zbrazën tërbimin, iu kthyen fratit, sikur donin ta ngjallnin. Morën e dhanë me të, por ai tashmë prehej në paqe të përjetshme, - e përfundoi rrëfimin plaku Zef për fundin dramatik të dy figurave interesante, atë Gjergjin e major Hansin.