Kohë të turbullta-Kryengritja në Dardani

Opinione

Kohë të turbullta-Kryengritja në Dardani

Nga: Gani Mehmetaj Më: 19 gusht 2018 Në ora: 12:12
Gani Mehmetaj

Sa më shumë kalonin vitet nga vdekja e Gjergj Kastriotit, grishja e lektisja për heroin e vdekur shtoheshin. Shfletoja një kronikë dhe më dilnin para sysh pamjet e kohës, të njerëzve e të veprimeve.  

Kryengritësit ishin grumbulluar afër Shkupit. Lajmet vinin të mjegullta e të trazuara nga veriu. Në qytetin e lindjes së Konstantinit thanë se austriakët korrën fitore kundër turqve.

Në famullinë time tetë kalorës iu afruan gardhit të kishës. Vetëm njëri zbriti nga kali, duke m’u afruar me rrëmbim. “Padër”, më tha, “ ne jemi gati, burrat po presin!”

“Zoti kjoft me ju, biri im!”, i thashë i hutuar, sepse nuk dija ç’t’i thosha tjetër.

Ai priste, besonte se unë qeshë ndërmjetës, por unë nuk e kisha asnjë kumt. Malësorët merrnin zjarr si pishat në vapën e gushtit, pa e pritur ndihmën as pa u marrë vesh me aleatë. Ai kërkonte armë. I thashë të parit të kryengritësve se nuk duhej të nxitonte, më mirë ishte të prisnin afrimin e ushtrisë austriake. Ai shkoi si era e malit, ashtu si erdhi.

Ndërkohë vinin fjalët se grupe aventuristësh apo të përhëntë kërkonin shpatën e Gjergjit. Për shpatën e përkrenaren flitej në të gjitha viset e Arbërisë. Pyetjet rrinin pezull në qiellin e kthjellët: Ku është shpata e përkrenarja e tij? Po parzmorja? Kjo u bë temë bisedimesh në të gjitha viset nga Nishi deri në jug të detit Jon.

I  shërbeva fjalës së shenjtë kohë të gjatë. Kudo më pyesnin: “Padër, ç’u bë me shpatën e përkrenaren e Skënderbeut?” Ata lakmonin armët e tij, donin t’i kishin krah flamurit. Banorët e Arbërisë e thoshin, herë me pëshpërima, herë më zëshëm se mbreti i tyre, Gjergji, ua  kishte lënë një shpatë pasardhësve. U përhap fjala sikur ai që do ta gjente shpatën, do t’i printe luftës. “Fatbardhi që do ta mbante shpatën”, fatthënat ia kishin paracaktuar që do të bëhej në këmbë të Skënderbeut. Imagjinata i përflakte luftëtarët e të parët e fiseve. 

Kumti  vinte i turbullt. Lajmi  i dytë e mohonte të parin. Lajmëtarët që i drejtoheshin Ipeshkvisë së Shkupit tregonin për lëvizje të ushtrisë austriake drejt jugut. Shpresat u ngjallën në tërë gadishullin, arbërorët ishin si eshka, mjaftonte xixa e strallit.

Pastaj më dërguan në Bullgari. Nga katundet arbërore të ritit katolik, të ngulitur në tokat bullgare, kalova në Nish.  Skizmatikët e qytetit, të gjakut tonë,  me t’u dëbuar ushtarët turq e tartarë, më kërkuan t’ua mbaja meshën në gjuhën e të parëve, sepse donin ta kuptonin  fjalën e Zotit.  Bullgarishtja e gjuha e serbëve u dukej e pakuptueshme, arbërishten ua ndaloi turku.

Kur e nisa meshën, më të vjetrit nisën të qanin, të rinjtë cucërronin veshët, gratë më shihnin të mrekulluara. Kohë të gjatë nuk e kishin dëgjuar në meshë gjuhën që ua dridhte pejzat e zërit, ua dobësonte leqet e këmbëve, më thanë pasi me përgëzuan. Ata nuk ishin shkëputur nga trungu. Disa prej tyre e kujtonin si nëpër ëndërr, ashtu sikurse u kishin thënë  figurën e Skënderbeut në betejën e Nishit. Ndonjëherë i ngatërronin vitet, por mbamendja për një rrugëtim të heroit tonë nga qyteti i tyre, drejt qytetit hungarez, nuk i kishte braktisur. 

Nesër:

Bogdani me ushtarët arbërorë e çliroi Prizrenin, Prishtinën, e Pejën

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat