Rugovasit më pyesnin shpesh për fatin e Arbërisë

Opinione

Rugovasit më pyesnin shpesh për fatin e Arbërisë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 15 gusht 2018 Në ora: 17:38
Gani Mehmetaj

Pas një muaji ipeshkvi më thirri në kancelarinë e vet. Në  letrën e dytë ia kërkonin të thoshte se eshtrat u nisën në fshehtësi gjetiu. Në shenjë kujtimi e lavdërimi, në Romë do t’ia ngrinin lapidarin. Por, nëse nuk i nënshtrohej urdhrit, çarja në mes të Vatikanit e arbërorëve do të rritej, ashtu si po rritej çdo ditë me konvertimin dhe me fenomenin e ri –laramaninë. Këtë fenomen, qendra e dënonte.

“S ’pranohet një fe për shtëpi e tjetra për komshi. Ose je i krishterë, ose nuk je”. Laramanët nuk i pranonin as priftërinjtë e huaj që predikonin në tokën e Arbërisë. Përpiqeshim t’ua sqaronin priftërinjve të huaj arsyen e laramanisë, apo myslimanizmin e rrejshëm (në shtëpi e mbanin fenë e vjetër, në rrugë deklaroheshin myslimanë. Mbanin dy emra, një për shtëpi Zef e Mark, kurse në rrugë Zefi paraqitej Zenun, Marku, Muharrem). Konflikti përshkallëzohej, sepse priftërinjtë italianë e kroatë, në vend që t’i mbanin besimtarët e vjetër me dy emra, i dëbonin me rregullat e rrepta kanonike. Në disa vende priftërinjtë e huaj nisën të luteshin në gjuhën e tyre, përderisa vendësit i shihnin me habi, pa ua kuptuar asnjë fjalë.

Në vend të përgjigjes, ipeshkvi ua kërkonte dëbimin e priftërinjve joarbërorë. Qendra heshtte. Mizoritë e pushtuesve nuk pushonin. Të mbaje fenë e vjetër qe punë me çmim të lartë, të pranoje fenë e re, ishte tradhti ndaj gjakut të atyre që luftuan e ranë. 

Ndonjëherë më mbërthente dyshimi se na hoqën nga lista e besimtarëve, na shkëputën nga qytetërimi, ashtu si na kërcënonin. Në mënyrë të heshtur, u pajtuan që kjo pjesë e Arbërisë t’u mbetej aziatikëve. Këto dyshime nuk ua thosha besimtarëve, as luftëtarëve, e mbaja të ndryrë në vete. Frika nga çarjet u rrinte mbi kokë të gjithëve. Çarja e parë u shënua në Gadishullin Ilirik. Dhe ajo çarje e tronditi botën e krishterë. Arbërorët u përgjakën ndër të parët. Perandorinë skizmatike që i përgjaku disa herë, pastaj e gllabëroi Perandoria Otomane. 

Lajmet që vinin nga përtej Alpeve austriake të frikësonin, botën e krishterë e kërcënonte një skizëm tjetër, e rrezikshme.   

Në kulm të shqetësimit, nuk hiqja dorë nga shenjat e mbretit tonë. Përpiqesha të nxirrja diçka nga korrespodencat e Pal Engjëllit  me princërit e Arbrit, duke lexuar në mes rreshtash. Ndërsa  vrisja mendjen të zbërtheja  fshehtësinë më të madhe të kohës, parafytyroja sesi do të dukej imazhi i tij në portrete pikturash po t’i zbutej oreoli i luftëtarit e t’i shtohej hijesimi i engjëllit.

Të gjitha këto i mendoja në famullinë e vetmuar të Rugovës, shumë vjet më vonë, ku shërbeja për trembëdhjetë copë katunde. Dy kishat, në Kuçishtë e në Shkrel, gati u rrënuan. Priftërinjtë e vdekur nuk i zëvendësoi askush. Banorët një kohë të gjatë mbetën pa bari, disa nuk i mbanin në mend as lutjet. Rugovasit më pyesnin shpesh për fatin e Arbërisë, por pos shpresës, nuk dija t’u thosha më shumë. Malësorët kishin dëgjuar për turkun, por kurrë nuk e kishin parë. Peja, qyteti më i afërt i tyre, u bë i largët, sepse Pejën e mori turku.

Në pjesët tjera të Arbërisë po shprishej çdo gjë.

Malësorët më thoshin se heroi i Arbërisë duhej ta kishte një varr të shënjuar. Dhe unë ua pohoja, derisa fluturoja në krahët e imagjinatës përtej Bjeshkëve të Nemuna, në Kishën e Shën Kollit, ku thuhej se mbreti ynë u varros me ceremoni madhështore, me vaje e me pikëllim. Por aty asnjëherë nuk u gjet asgjë.

Megjithatë më duhet të shënoj se nga frati Pal, i biri i Bardhok Dodbibës, gjeta shënimet për dyshimin e tij se jo pa qëllim u bë pompë e madhe gjatë varrimit. Atij i qante zemra se trupi i të parit të arbërorëve është varrosur diku tjetër. Se a ka kaluar nga varri zyrtar nëpër katakombe, në varrin e fshehtë, ashtu sikurse kanë bërë dikur shokët e Krishtit për Hyun, apo në natën e errët e kanë varrosur gjetiu pa e marrë vesh të tjerët, nuk e gjente frati dukagjinas.

“Gjithni e ma shumë ma thotë rradakja jeme se mreti jonë, Gjergji, pati nji vorr, të cilin ia punuan mjeshtrat e Dibrës”. Ai shkruante se sarkofagu me mermerin masiv qëndroi një kohë të gjatë në Kishën e Shën Kollit, tash gati e rrënuar. Shpresonte se shpirti i tij qëndronte mbi tokën e Arbërisë dhe i shikonte të gjitha të këqijat. Kundër besimit në Krishtin, ai priste çudira, priste me shpresën e ringjalljes. Besonte me dëshpërim se hija e tij do t’u bëhej ogur i mirë arbërorëve, duke i ndenjur pezull mbi koka sa herë të nisnin luftën e madhe. Frati pranon se pati vegime, tundime, madje një herë deshi ta thërriste, derisa i shkonte prapa një hijeje. Por sesi e pengonte brerorja që i sillej vazhdimisht si drita e ylberit rreth kokës. Brerorja e mbretit Gjergj, që e pa më shumë se një herë, nuk më shqitej asnjëherë nga mendja, ashtu si nuk më hiqej nga sytë pamja për të.    

Sa më shumë përhapej thashethemnaja për varrin e ditur e të braktisur, për trupin që ishte dhe nuk është më, madje s’kishte asnjë shenjë se kishte qenë ndonjëherë aty, shqetësimet shtoheshin. Qe përhapur kundër thashethemnaja tjetër: djajtë po i tundonin besimtarët. Arbërinë e paqetë e pushton tundimi i pëshpëritjeve se trupi nuk ishte aty, se nuk kishte qenë kurrë në vendin e shënjuar. Mbase që nga fillimi u bë mashtrim i madh, u vu në lajthitje armiku. Një pëshpërimë që të ngjethte mishtë. 

Raportet e fshehta që përsëriteshin në botën e krishterë e në Perandorinë Otomane, thoshin se Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe,  i biri i princit Gjon Kastrioti, zot i Arbërisë e Maqedonisë, u varros në Kishën e Shën Kollit. E vajtuan shtatë  ditë e shtatë net. Por raportet njoftonin se varri çuditërisht pas disa ditësh ishte i zbrazët.

Asnjë nga raportuesit nuk guxonin të thoshin pas sa ditësh u zbraz varri, sepse nuk donin të keqkuptoheshin, apo të dukej sikur bënin krahasime me një varr tjetër një mijë e pesëqind e tridhjetë e dy vjet më parë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat