Gërbuja e Beogradit mbi krye të Thaçit

Opinione

Gërbuja e Beogradit mbi krye të Thaçit

Nga: Ramiz Lushaj Më: 8 gusht 2018 Në ora: 10:59
Ramiz Lushaj

Njani, i fisit Thaç në Kosovë, (e ma thanë dje dhe fshatin) n’ato ditë pas dasmes, po del me nusen e tij me e mbledh sanën (barin e thatë) e me e vnue në mullarë, në livadhin skej shpisë. Aty, nën hije të lisit, tue ndejt në kambë, po i kallzon se sa trim ishte, sa trimni të mëdha kishte bá, qysh vrajke e kthjellke me fjalë, grushte e pushkë…!

-Hej, medet për mue për burrin që më ka rá hise, trim kaq i trentë…- po i thotë vetes nusja e tij, tue kqyr me sy përtokë. Aty, përskej, po e sheh nji zhapin tue lvrit nëpër bar, kah hija e lisit të livadhit.

- Uh, zhapini..- i thirri ajo të shoqit e bani për me ik do hapa mbrapa.

-Hiç mos u tut, mos ta ndijnë ty hiç -ia tha i shoqi, ky dhandërr i ri, në delir mburrjesh.- Largomu pak e ta mbyti krejt zhapinin…

Edhe tashti vonë, një hoxhë në Kosovë, M.I. (te “Koha Islame”, YouTupe, 2017) predikon nga ana fetare se kush ta shohin zhapinin duhet me e mbyt e kush e mbyt me të paren i ka 100 shpërblime…! E, ky, sigurisht, nuk ishte ai zhapini me tre bishta të gjatë, që a gjet në Kosovë e si lajm ka ba xhiron e botës (portali “Kosova Lindore”, 16.4.2016)…Nejse.

E të çohet dhandrri trimaç për me e mbyt me bishtin e gërbujës, në sy të nuses së tij, atë zhapin në ecje zvarranike livadhit të kositun, skej lisit të hijes. E t’i jep me tanë fuqinë e duarve, veç kur po bërtet me të madhe: Ooh…!

-Çka të gjeti bre…-po i thotë nusja e tij, e cila e pá fort mirë se ai, burri i saj, e goditi vetveten me hekurat e përdredhun të gërbujës për mbledhjen e barit të kositun të livadhit.

-O më ka ra dikush me shkop mas kreje bre e fort po më dhemb e shumë ma ka trullos k’ta kryet tem…Po ti hiç mos kie dert, se më ka ra shkop dikush prej katundit tem e paska ik, se me gjysën e katundit tem nuk shkoj mirë me ta…!

E tashti po shoh se historia përseritet dhe te ky thaçi i ri, sepse kjo “Gërbuja e Beogradit” po i bjen mbi krye këtij Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçit, teksa iu trimaçet dhe liderëve të lartë shqiptarë në Tiranë e Prishtinë…, teksa po flet “me bishtin e gërbujës” për “korrigjime apo ndryshime të kufijëve me Serbinë…! Eh, prej kohësh, po duket, se Hashim Thaçi i ka zhdrip “kalit të luftëtarit të betejave e fitoreve të UÇK” e, tashti, gjenerali i luftës, në kohë paqeje, ka firmos tri herë për Demarkacionin me i dhanë mbi 8 mijë toka të Kosovës për Malin e Zi dhe po don me e ba fakt të kryem edhe Marrëveshjen e Asosicacionit (“Zajednica”) me Serbinë në dam të Kosovës dardane, çka domethanë se i ka hip mizës…e po dihet se ku e çon ajo, bashkë me “gërbujën” e tij, tue i rá keq e ma keq kresë së vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat