Korrigjimet e Hashim Thaçit

Opinione

Korrigjimet e Hashim Thaçit

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 8 gusht 2018 Në ora: 00:17
Hashim Thaçi

Thaçi u përpoq të korrigjojë Rugovën, për së gjalli nuk ia doli, por korrigjoi vetveten pranë varrit të tij. Pastaj nisi me korrigjimin e Isa Mustafës. Ai, si edhe në epokën e Millosheviqit,  pranoi korrigjimin dhe pagoi atë me ngritjen e Hashimit në kryetar të vendit, me të gjitha kompetencat e një mbreti absolut. Në një parti demokratike, ai akt, do të kishte mjaftuar për ta përjashtuar nga Partia!

Ministri i Punëve të Jashtme është vetëm zbukurim qeveritar, por detyrën e tij ushtron Thaçi, edhe të Kryeminsitrit, edhe të Prokurorisë  Gjenerale!  Thjesht, në Kosovë, as akuza nuk ngriten, as vendime punësimi nuk merren pa lejen e Hashim Thaçit!

Ai, pasi hodhi Isa Mustafën si poçavër,  korrigjoi Ramushin me krejt qëndrimet e tija kategorike të mëparshme. U bë dele dhe pranoi kufrin e ri me Malin e Zi duke premtuar se do të rishikohet! E tradhëtoi obsesioni për pushtet.  Nuk dihet a ka gisht Thaçi në korrigjimin e Vetevendosjes, por mund të merret me mend edhe kjo.

Një ditë prej ditësh korrigjoi Rexhep Qosjen me një qortim krejtësisht banal, por e bëri. Para pak ditësh korrigjoi Nexhat Dacin dhe Sali Berishën.  Për Berishën u pendua të nesermen, sigurisht nga frika se do të nxirrte të palarat e tij! Meqenëse që nga çlirimi merret me korrigjime, korrigjoi edhe UÇK- në dhe e zmadhoi për diku 50.000 veteranë dhe ka marrë një vendim të madh: Tani ka ndërmend të korrigjojë Kosovën dhe Serbinë, domethënë të çlirojë Luginën, sepse ka premtuar se nuk lejon copëtimin e vendit!

Ai përsërit se nuk do të ketë ndarje dhe len të kuptohet, se Lugina, do të ankesohet. Para disa viteve gazeta Franfurter Allgemeine, (kjo gazetë ishte nëse nuk gabohem), i pat shtruar këtë pyetje Daçiqit: Pse në këto bisedime nuk përfshihet edhe Lugina? Ka refuzuar Hashim Thaçi, ishte përgjigja e tij. E tani, pse në mbarim të bisedimeve hidhet ky lajm?

Këtu mund të ketë disa arsye: E para dhe më e mundshmja është, të pengohen kërkesat maksimaliste serbe për Bashkësinë Autonome me pushtet ekzekutiv, që bien ndesh me Kushtetutën. E dyta: Ai ka nënshkruar tashmë marrëveshjen me Vuçiqin dhe tani po përgadit popullin. Fundi i fundit, siç pat nënshkruar edhe me Malin e Zi.

Çudia e madhe është se Serbia nuk ka reaguar ashpër si herave tjera, madje, Vuçiqi, as që përmend deklaratat e Thaçit. E bëri sot në mënyrë shumë të butë Daçiqi, jo siç e ka zakon me plot përbuzje dhe tallje! Nuk u ankuan për pretendime territoriale, nuk u acaruan me nacionalizmin shqiptar dhe me Shqipërinë e Madhe dhe nuk u ndjen të kërcënuar! Madje, pezulluan edhe shpalljen e njëanshme të Autonomisë si qenë kërcënuar.

Pse mund të jetë përfunduar ajo marrëveshje? Sepse edhe faktorët kryesorë perëndimorë heshtin dhe nuk deklarohen për kërkesat e Thaçit.  Takimet e supozuar në Uashingon me Vuçiqin, mund të kenë qenë të vërteta. Atje mund të jetë marrë vendimi.

Po nëse Kosova nuk ndahet dhe anekson Luginën ( për këtë nuk pret Hashim Thaçi kundërshtime, e nga kush? Nga Shqipëria nuk i pret), atëherë pse marrëveshja duhet të jetë e dhimbshme? Pse kur Kosova shtrin sovranitetin  e vet në Luginë, qenka zgjidhje e dhimbshme? E dhimbshme mund të jetë vetëm nëse Thaçi i ka premtuar Trepçën! Humbja e Trepçës është dhembje e madhe, por jo humbja e disa katundeve serbe dhe marrja e tri komunave shqiptare. Përndryshe, ligjërimi tij len të mendohet se qeveria serbe është bërë budiste si Buda personalisht! 

Trump është pajtuar me korrigjimin e kufirit në baza nacionale. Ky është supozimi i tretë. Domethënë rrezikohet edhe Bosnja, edhe Maqedonia! A mund të merret me mend  se Trump në këtë mënyrë dëshiron të destabilizojë Ballkanin në favor të Putinit? Po, mund të besohet! Trump ka quajtur Europën armike. Ndryshimi i kufijve nuk do të ndalej në Ballkan, por do të vazhdonte edhe nëpër vendet tjera të Europës. Trump dhe Putin përjetojnë Europën si armike! Për fat të mirë në SHBA Kongresi nuk lejon kryetarin të sillet si Putini, Erdogani, ose si Hashimi!

Për qëndrimin e Europës nuk mund të thuhet shumë, sepse as Merkel, as Macron, as Mogherini, nuk janë deklaruar deri tani. Ose ata kanë njohuri për një marrëveshje, ose janë stërvitur me Hashimin dhe me nxjerrjen e tepruar të kokës së tij nga dritarja e trenit! Në anën tjetër, kundër korrigjimit është edhe Ramushi, edhe Veseli dhe aty mund të lexohet se si ai po tallet me të gjithë; ai merr vendimet vet, pa informuar as Qeverinë, as Kuvendin. Ai konsideron veten pronar dhe zot të Kosovës!

Personalitetet e gjalla, patriotët, intelktualët e mëdhenj, i ka korrigjuar dhe është munduar t’i defaktorizojë. Mendimet e tyre i degradon në shfaqje normale të një rendim demokratik dhe nuk i han palla çfarë mendojnë! Respekt tregon vetëm ndaj të vdekurve. Kështu vepronte edhe Berisha!

Nëse i vjen një qortim nga Perëndimi, atëherë do të harrohet edhe kjo javë e stërngarkuar me supozime, si edhe shumë premtime të tij, si edhe ai për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës! Sidoqoftë, pokerin politik  po e luan më mirë se të gjithë të tjerët së bashku! Dhe, nuk ka konkurencë! Kosova po merret me befasitë e tij! U shtang nga habia edhe Kuvendi! Edhe Qeveria! Edhe partitë politike!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat