Kronika e vitit 1478 pas Krishtit

Opinione

Kronika e vitit 1478 pas Krishtit

Nga: Gani Mehmetaj Më: 7 gusht 2018 Në ora: 16:03
Gani Mehmetaj

“Turqit hapën treqind varre në qytetin e vjetër. Hapën varre në kështjellë. Ranë edhe në shtratin e lumit. Askund asnjë shenjë të kryevarrit. Disa nga hafijet turke u shpërndanë nëpër katunde, të veshur me rroba vendase: tirq e xhamadan, me qeleshe të bardhë në kokë. Ngjyra ezmere e fytyrës së tyre binte edhe më shumë në pah me kontrastin e bardhësisë së qeleshes. Me një arbërishte të shqepët, hafijet pyesnin e mbanin në mend. Ata gjithë kohën pyesnin për një varr, interesoheshin për ditën e varrimit. Pati kufomë apo nuk pati në sarkofagun e bukëshkalit. Shpërndanë flori, lajkatuan, premtuan, në fund kërcënuan. Nuk dihej të kenë vjelë ndonjë informacion për të qenë...”, shkruante prifti françeskan,atë Ndou.      

“ Komisioni i zhvarrimit, ardhur enkas nga Kostandinopoja, nuk hoqi dorë nga kërkimi i mëtutjeshëm, as kur u shemb një pjesë e dheut përskaj katakombit. Befas doli zgori i madh i errët që dukej si gojë përbindëshi. Njerëzit mbetëm pa fjalë, gojëhapur, ushtarët turq murmuritën: "allah shpëtona!, "po shembet toka!" Por toka nuk u shemb, as u fundos. Njerëzit të zbehtë, meitë, morën veten. Turma  e larmishme u largua e lemerisur. Në krye të komisionit të zhvarrimit qe caktuar pashai, i cili e udhëhoqi luftën për pushtimin e kështjellës. Edhe pas shembjes ushtarët e trembur nisën të punojnë si thneglat. Dikush me kazma, dikush me thika nga nxitimi. Kur i afruan kandilat, panë se gropa ishte e thellë. Dritat e kandilave përpëliteshin në të shuar, gjë që u dha shenja se gropa  kishte metan.

Mermeri i bardhë në ngjyrë të hirtë ua lëbyri sytë. Disa u tërhoqën prapa.

” Zot na shpëto nga qoftëlargu!” se kush tha në gjuhën e vendasve. Të tjerët nisën lutje. Dikush  urdhëroi të thirren xhenieret. Një grremç i fortë u vu si pykë në mes të kapakut e arkës së mortit për ta lëvizur. Kapaku lëvizte me gërvimë, një gërvimë rrëqethëse që të ngrinte gjakun. Njerëzit druanin se posa të hapej kapaku, nga brenda do të dilnin dyzet djaj. Këtë frikë e pikasi komandanti osman, prandaj urdhëroi me britmë:  “Askush të mos zbythet, do t'ua heq kokën po u tërhoqët prapa”.  Të gjithë shtangën.

"Ju vazhdoni punën!" u tha xhenierëve, duart e të cilëve dridheshin si atëherë kur nuk lëviznin, si atëherë kur përpiqeshin ta vinin në lëvizje kapakun e sarkofagut..

“Varri i zbrazët është shenjë e keqe”, mendonte komandanti. E kishte parasysh një raport të fshehtë që i erdhi kohë më parë. Të tjerët shihnin e lemeriseshin. Kishin dëgjuar për një varr të zbrazët, që u fut në legjendë. Askush deri tash nuk kishte parë varrë të zbrazët. Zhvarrosën e hapën dhjetëra varre nëpër gjithë territoret e pushtuara, gjithnjë i gjenin eshtrat e tharë, të bërë pluhur, por jo varr të zbrazët. Dikush lëshoi zë të thekshëm, klithmë të pakontrolluar. Ata që shihnin nga lart panë varrin e zbrazët.

“Largohuni!” urdhëroi komandanti. “Ma afroni bishtukun!” iu drejtua një xhenieri aty pranë. Përnjëherë disa drita ia ndriçuan hapësirën që ai kërkonte ta shihte. Varri i zbrazët i madh dukej edhe më i frikshëm.

“Allah!” thirri komandanti, “nuk është e mundur!” Nuk donte t’u besonte syve, ndërkaq para vetes kishte zbrazësi të madhe, të frikshme, zgor si në grykë të Ferrit.

“Vetëm një njeri i kaurit kishte dalë nga varri. Dhe atë qafirët e bënë Zot”, mendonte komandanti, pa ia thënë askujt asnjë fjalë nga këto që i shkonin nëpër mendje. Urdhëroi ta mbyllnin varrin dhe iku si i luajtur.” 

Në fusnotën e librit, të cilin ma dha toger Hansi, shkruante se kjo pjesë për zhvarrimin e varrin e zbrazët nuk qe botuar kurrë. Para disa vjetësh e kishte gjetur një arkivist francez në Stamboll. Në fusnota tregohej se komandanti e mbaroi karrierën me këtë zhvarrim. Ku e gjeti fundi, nuk dihet. Flitej për një litar në qafë me arrëzën e qafës të thyer. Të tjerët thoshin se e gjeten me thikë në shpinë, jashtë fushëbetejës.

Ushtarët e xhenierët të pranishëm atë ditë të kobshme e morën me vete fshehtësinë e varrit të zbrazët, qysh natën e parë jashtë kazermës së qytetit. Kufomat e tyre lakuriqe dukeshin të frikshme në dritën e hënës. Fytyrën ua kishin shpërfytyruar, që të  mos njiheshin.

Kronisti u gjet i vdekur disa ditë më vonë me dyshimin se bëri vetëvrasje, apo u rrëzua nga pezuli i dritares, nuk e mori vesh askush.  Qafa e dredhur, nuk la shumë hamendje, por askush nuk e tha me zë. Fshehtësia e mbështolli zhvarrimin, kështu që askush nuk mori vesh, u gjet apo nuk u gjet i kërkuar në varr. Humbën gjurmët e kërkuesve, thuajse pse nuk e mbaruan detyrën , apo pse abuzuan me gjërat e çmuara për të cilat thuhej se ishin me bollëk në varrin e zbuluar. Mbase e tëra qe tullumbace për të fshehur diçka tjetër më të madhe”, supozonte përkthyesi i librit, duke e mbështjellë me mister edhe më të madh.

Pati hamendësime se ua drodhën qafën zhvarruesve, sepse i akuzuan për përdhosje të varreve e për plaçkitje, megjithëse askush asnjëherë nuk mbante në mend të jetë ndëshkuar ndonjë ushtar osman për plaçkitje e përdhosje të varreve të arnautëve.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat