Popullata e Kosovës Lindore nuk duan të jenë peng i proceseve politike

Opinione

Popullata e Kosovës Lindore nuk duan të jenë peng i proceseve politike

Nga: Valon Jashari Më: 4 gusht 2018 Në ora: 17:12
Valon Jashari

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja e kanë të drejtën historike të pa diskutueshme që të i kthehen trungut të saj etnik e autokton të Kosovës, pjesë e së cilës ishte historikisht. Ideja për bashkëngjitjen e kësaj pjese me Kosovën nuk është ide e re. Këtë ide që nga shkëputja pas luftës së dytë botërore që ishte bërë për qëllime të komunistëve jugosllav me qëllim parcializimit dhe ndryshimit të strukturës nacionale shqiptare, popullata nuk e pranoi këtë ndarje. Këtë padrejtësi historike dhe me të gjitha karakteristikat e një administrimi të dhunshëm kolonial që u ushtrua mbi këtë popullatë, edhe sot e kësaj ditë me të njëjtën gjendje, kjo popullatë vazhdon të kërkoj LIRINË, e saj të mohuar me shekuj.

Mbështetja mbi bazën e të drejtës së vetëvendosjes, i’u mohua historikisht me të drejt të bashkëngjitjes me Kosovën. Kjo popullatë e ka dëshmuar me Referendumin e 1-2 marsit të vitit 1992, që u deklarua në mënyrë demokratike me të drejtën e bashkëngjitjes me Kosovën. Përpjekja për liri krahas vëllezërve të tyre në luftën e Kosovës nuk mungoi. Lufta çlirimtare e UÇPMB-së ishte një përpjekje për çlirim dhe bashkim me Kosovën që fatkeqësisht nuk u realizua. Një sërë deklarata-dokumente në mënyrë legale e demokratike kanë nxjerr institucionet në nivel lokal, këto dy dekadat e fundit, që kërkojnë të drejtën e tyre historike, bashkim me Kosovën.

E drejta mbi korrigjimin e kufirit mes Serbisë dhe Kosovës, është një e drejt politike e domosdoshme e cila herët a vonë duhet të ndodh. Kjo çështje assesi nuk guxon që të baraspeshohet apo të tërhiqet paralele me Veriun e Kosovës, pasi që çështja e Veriut të Kosovës është çështje e brendshme e Kosovës dhe më së miri për këtë çështje do të vendos vet Kosova, me bashkësinë ndërkombëtare dhe me aleatët e saj historik. Çështja e korrigjimit të kufirit sa i përket rreth çështjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, edhe pse e vonuar është më se e nevojshme e cila nuk guxon të lihet për ndonjë moment tjetër historik për këto arsye:

Shteti serb me politikat e saja shtetërore në vazhdimësi po zbaton politikat rreth qëllimeve të saja mbi spastrim etnik të kësaj pjese shqiptare, edhe atë ka arritur që pjesërisht këtë qëllim të saj nacional të e realizoj, popullatën e Medvegjës e ka shpërngulur thuaj se tërësisht,

Në qytetin e Bujanocit ka arritur që strukturën nacionale mes asaj shqiptare dhe serbe të e përgjysmoj, me vendosjen e kolonëve serb të sjell nga viset ndryshme të ish-Jugosllavisë,

Pjesën e fshatrave të Malësisë së mbi Preshevës dhe Bujanocit i ka shkatërruar dhe djegur me dhjetar fshatra shqiptare gjatë viteve 1999-2001 dhe i ka pamundësuar kthimin  popullatës shqiptare në shtëpitë e tyre.

Sistemin politik lokal e mban nën kontroll të saj, përmes të cilëve realizon edhe projekte në dëm të shqiptarëve edhe në nivel të qeverisjes lokale dhe duke shtrirë ndikimin direkt në shumicën e subjekteve politike lokale, po ndikon direkt drejt shpërnguljes së popullatës shqiptare si dhe uljen e atdhedashurisë, rrjedhimisht ndjenjën e të qenurit shqiptar dhe të mbi ekzistencës së kësaj etnie autoktone në këto troje.

Ndalimin e edukimit mbi historinë dhe letërsinë shqiptare ka bërë që tek kjo popullatë dhe rini shqiptare të rriten dy dukuri negative që e dëmtojnë vetë popullatën shqiptare atë të: ndjenjës për tu shpërngulur nga vatrat e tyre drejt  Evropës, si dhe dukuria e dytë ajo e rritjes së ndjenjave religjioze-fetare islame, që më shumë e lidhin identitetin tyre me islamin internacional se me ndjenjën e të qenurit shqiptare.

Duke parë me dhjetëra dukuri negative që janë duke u zbatuar dhe po zbatohen rrjedhimisht do të shkonin në dëm të popullatës shqiptare të Kosovës Lindore, çështja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk guxon të shtyhet për ndonjë rast tjetër historik. Nuk ka garanci se vetë kjo popullatë di të organizohet dhe të rezistoj në të gjitha format për të kërkuat të drejtën e saj historike, bashkim me Kosovën.

Politikan, deputet, akademik dhe ekspert shqiptarë dhe të huaj që deklarohen për mos bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, janë në shërbim të politikave dhe qëllimeve sllavo-ruse, për më tepër nuk janë njohës të mirë të rrethanave aktuale politike. Se vetëm në këto formë duke shtyre çështjen e Preshevës nga një kohë në një kohë tjetër po i japim rast shtetit serb të realizoj qëllimet e saja për të kryer spastrim etnik mbi këtë popullatë. Mjafton ti hedhim një shikim ngjarjeve politike  vetëm që nga fillimi i luftës në Kosovë 1997-98, kur Presheva, Bujanoci dhe Medvegja iu mohua e drejta historike mbi atë të rezistencës së armatosur, me justifikimin se bashkësia ndërkombëtare nuk përkrah zgjerimin luftës së Kosovës edhe në këtë pjesë. Ky vendim ishte i dhimbshëm për këtë popullatë që iu mohua e drejta për të kërkuar lirin e tyre dhe kështu djemtë më të mirë të kësaj ane me qindra iu bashkëngjitën fronteve të luftës në Kosovë përkrah vëllezërve të tyre për të luftuar, kurse vendlindjen e tyre e lanë nën robëri edhe atë dukë ditur që pas çlirimit të Kosovës se cili do të ishte fati i saj politik. Në luftën e  vitit 1999-2001 të UÇPMB-së, ishte po Prishtina dhe Tirana që kërkuan krahas të tjerëve çarmatosjen e kësaj ushtria kryengritëse shqiptare, duke justifikuar me të njëjtën arsyetim se po dëmtohet çështja e Kosovës, dhe prapë kjo popullatë mbeti peng i proceseve të Kosovës, duke heshtur vetëm për çështjen e  Kosovës që të e shihte më mirë Kosovën, kurse veten duke lënë në robëri. Edhe në rrjedhat e thuajse dy dekadave të fundit edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çdo përpjekje sado e vogël që patriot të ndryshëm të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë munduar që të bëjnë diçka në dobi të çlirimit të tyre u penguan nga Prishtina, me të njëjtin arsyetim se po dëmtoni proceset shtetformuese të Kosovës.

Politikanët e Kosovës duhet kuptuar në mënyrë të drejt dhe qartë se mjaft ishte çështja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, peng i proceseve të Kosovës, ne e duam lirin sikur ju që e dëshironi ju, në Kosovë dhe populli i Kosovës, dhe imponimi i të qëndruarit nën robërinë serbe është e barabartë sikur të mbështetësh krimin nga ai që kryen. Popullatës së Preshevës, nuk i pengon fakti se: a qëndron PDK-ja, AAK-ja, LDK-ja VV-ja në këtë proces për të shtyrë përpara çështjen e tyre legjitime politike, por është esenciale që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt dhe drejt ashtu siç e kërkon popullata shumicë e këtyre komunave shqiptare. Marrja e “Legjitimitetit Patriotike” se kush do të fitoj atributet e heroit të kombit për të zgjidh këtë çështje esenciale, nuk mund të ketë emër të përveçëm pasi që kësaj kauze i nevojitet unitet politike si lokal në Preshevë, Bujanoc ashtu edhe në Prishtinë dhe Tiranë. Duhet kuptuar se ne mbajmë përgjegjësin së paku morale e historike, para brezave të ardhshëm se po i’a trashëgojmë një të ardhme mbi mundësin që sa herë të fuqizohen dhe të vetëdisohen politikisht që  ti vijë mundësia edhe për ndonjë konflikt të hapur për zgjidhjen definitive të çështjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat