Qyteti ku u varros mbreti më i lavdishëm shqiptarëve

Opinione

Qyteti ku u varros mbreti më i lavdishëm shqiptarëve

Nga: Gani Mehmetaj Më: 3 gusht 2018 Në ora: 08:45
Gani Mehmetaj

Secila ushtri me të ardhur në Lezhë, niste nga varret, hapte e mbyllte varre dhe ia mbathte para ushtrisë tjetër. Popullata mbyllej nëpër shtëpi, ose ia mbathnin nëpër male, derisa kalonte stuhia e tërbimit të ushtrive. 

Me arkeologun austriak vazhdonim të mbanim marrëdhënie të vakëta. Kur nuk bisedonin për varret a zhvarrimin, vinte në oborrin e kishës, netëve të gushtit. Nuk mungonte as ndonjë gotë verë e ftohtë e qilarit të vjetër. Fiku i kuq, ishte në të sosur, ndërsa atij i pëlqente shumë. 

- Është fruta më e ëmbël në botë, i dalë nga Parajsa, - më thoshte: - i lëngshëm, e ngjitës. Nuk flisnin fare për luftën, as për politikën. Shihnim se austriakëve e aleatëve të tyre nuk u shkonin punët mirë, do ta pësonin fatin e perandorisë turke, por mbase me më pak pasoja. Si të mos na ndiqte jehona e krismës së topave, ne bisedonim për librat, filozofët e kohës dhe për verën e mirë, që prodhohej në këto anë. Me tregonte edhe për bisedat që bënte me të rinjtë, që studionin në Romë e Vjenë. 

-Ndonjëherë kureshtjen e tyre e shndërroj në shaka me përgjigjen: kërkoja shpatën tjetër edhe më të gjatë se të parën, më tregonte duke i picërruar sytë. 
Pastaj kthehej vrulltas nga unë: - E dini atë se asnjë vendës nuk e komentonte varrin e heroit tuaj. Sikur e ndrynin në vete ndonjë fshehtësi. Qytetarët kur afroheshin nga kureshtia, ditën e tregut, nuk flisnin fare, por kur i pyesja me përkthyes, ata rrëfenin legjenda për bëmat e heroit e jo për varrin apo varrimin. 

-S’ka vorr mbreti jonë, ai asht në qiell, na vrojton, - më tha një malësor dhe iku në punën e vet, mjaft i zemëruar me pyetjen time, më fliste në natën e qetë të fundgushtit në oborrin e famullisë sime. 

-Kjo ma forconte bindjen se varri duhej të ishte, pavarësisht që vendësit përpiqeshin ta mbronin edhe me mite, - tha i bindur në përsiatjet e veta. 

Ndërkaq, kur e shteronim këtë bisedë, ku ai kryesisht bënte monolog, më rrëfente për veten. 

–Padër, e di ti se jam me fat?, - më drejtohej me entuziazëm. 

- Kolegët e mi i degdisën në frontin e Galicisë, të tjerët strukeshin në llogore. Një palë i mbyste shiu e lluca, të tjerët vdisnin nga vapa e pluhuri i Saharës. Unë bëjë jetë civile, më tha. 

Mbase vera e kuqe ia hapte valvulet, prandaj fliste si të më rrëfehej. Vetëm uniforma ia kujtonte ushtrinë. Njoftimet që i vinin nga fronti i Lindjes e dëshpëronin. Megjithëse Rusia po tërhiqej nga lufta, por kjo nuk u ndihmonte shumë. 

Ma dëshironte natën e mirë dhe ikte i përhumbur. Asnjëherë nuk më foli për jetën private, si të mos kishte as të dashur dhe as vëllezër e motra. 
Ishte i çuditshëm arkeologu ushtarak, Hans Valdhajm.

#
Togeri zgjohej herët, i kryente obligimet ushtarake të mëngjesit dhe nisej në terren, jo shumë larg kazermës së improvizuar ku fushonin. Gjurmonte varret e vjetra, sipas disa hartave të Arkivit të Vjenës. 

Një muaj para se të nisej në Shqipëri, kur qe kthyer nga Afrika, koloneli i shtabit e thirri në zyrën e mobiluar mirë në Vjenë. Ia kumtoi që ai nuk do të udhëhiqte asnjë togë në luftë, nuk do të merrte pjesë në asnjë aksion ushtarak. Togeri do të niste hulumtimet më të rëndësishme të shekullit, më të rëndësishmet që nga koha e Shlimanit, ia kumtonte ushtaraku i lartë me një zë solemn. Ai u dridh, ndërsa rrinte përballë eprorit, në njërën anë dhe profesorit të vjetër të arkeologjisë në anë tjetër. Që në fillim koloneli i tha me buzëqeshje: 

-Nuk do të kërkosh varrin e Paridit as atë të Prijamit, s’do të hulumtosh as për vendndodhjen e thesarit të mbretit plak të Trojës. Ti do të kërkosh varrin e mbretit që nuk e kishin gjetur turqit, ndërsa e mbajtën të pushtuar mbretërinë e tij. Viteve të fundit po e kërkojnë më ngulm rivalet tanë-italianët. Varrin më të famshëm në Gadishull nuk e gjetën as ushtritë që erdhën para tyre. Shërbimit të fshehtë perandorak i vinin informata të ndryshme, dikush kërkonte pareshtur, me dërgata të fshehta, me grupe aventurierësh, gjuetarë thesaresh që gërmonin e iknin, për t’u kthyer sërish vitin tjetër. 


Koloneli e hidhte fjalën sidomos për armikun e tyre - Italinë. Atyre u druante. Ndërkaq qyteti i Shkodrës ziente nga shërbimet e fshehta. Eprori nuk e fshihte druajtjen nga sabotimet, prandaj terrenin e hulumtuar duhej ta siguronte me ushtarë të armatosur natën e ditën, madje edhe atëherë kur punohej.


Perandoria austro-hungareze gërmonte edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë e në Turqi. Por ia tërhoqi vërejtjen koloneli: Shqipëria ishte terren me rëndësi, sidomos qyteti verior i Lezhës, ku u varros mbreti më i lavdishëm shqiptar. Ai i fliste me patetikë. 

-Po e gjete varrin e tij do të të mbulojë lavdia, - ia përkëdhelte veshin pëshpërima e eprorit. 

Profesori i vjetër i arkeologjisë ofshante që s'mund të nisej në një aventurë të tillë, reuma e mosha nuk e lejonin të lëvizte, prandaj i uronte suksese. 

Takimin e fundit me dy eprorët e kujtonte shpesh. Athua do ta bartte peshën e misionit që ia besuan? Arkeologu ushtarak vepronte sipas udhëzimeve të komandës së Vjenës.

Dikur në Zarë e në katundet e Dalmacisë mori pjesë në disa ekspedita arkeologjike. Aty qe takuar për herë të parë me arbëreshët e Zarës. Ai mallëngjehej me këta banorë, të cilët halli e dhuna i dyndën në veri. Legjendat e tyre e mrekullonin. U dashurua në historinë e në viset shqiptare, ende pa i shkelur këmba. 

Arbëreshet të gjitha legjendat nga vendlindja i morën me vete. Ia tregonin shpesh. E ahniste historia e Skënderbeut. Disa banorë të moçëm me bustin e shtatin karakteristik sesi ia ngjallnin fantazinë, si të zbrisnin nga thellësia e shekujve. Ndonjëherë i luste të bisedonin arbërisht para tij, ta ringjallnin kujtimin për atdheun e të parëve. 
Të gjitha këto m’i rrëfente netëve me vapë, në hijen e manit të famullisë, të ulur përreth tryezës së vogël, të punuar nga bungu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat