Hartat e arkivave të Petrogradit

Opinione

Hartat e arkivave të Petrogradit

Nga: Gani Mehmetaj Më: 1 gusht 2018 Në ora: 09:08
Gani Mehmetaj

M’u duk sikur prapë e thashë me rrahagjoks. Flisnim gjermanisht. Ai me bënte lajka për shqiptim të mirë të gjuhës së tij. Nuk isha i sigurt e bënte nga mirësjellja, apo e kishte me gjithë mend. Shërbeva disa vjet në  tokat perandorake nga Dalmacia deri në Bosnjë. Predikoja herë në një dialekt sllav, herë në një tjetër. Gjermanishten e mësova në kolegjin e Propagandës Fide. Ndonjëherë i flisja për vendet ku shërbeva, për klimën e butë mesdhetare.

Me tetarin kroat, Stipe, po ashtu bënin biseda në gjuhën e tij. Ai ishte besimtar më i devotshëm sesa togeri. Vinte shpesh në kishë. Meshën shqip nuk e kuptonte, por lutej në gjuhën e tij. Një herë më tha me entuziazëm:

- E dini padër, një fazë të veprimtarisë sonë patriotike e atdhetare e patëm quajtur Lëvizje Ilire. Patëm tendenca ta përvetësonim edhe heroin tuaj Gjergj Kastrioti. 

-Për lëvizjen ilire diç kam dëgjuar, por për përpjekjet e përvetësimit nuk ishit të vetmit. E di se Frang Bardhi ynë i qe kundërvënë një prifti tuaj nga Bosnja. Ju më duket nuk këmbëngulët shumë në pronësinë mbi mbretin tonë.  Të tjerët u bënë shumë më agresivë. Vetëm se u digjte kur mësonin se Skënderbeu e ndëshkoi popullin që synonte ta përvetësonte, sepse bashkëpunuan me osmanët.

Qeshëm. Unë bëra mirë që nuk u rrëmbeva të lavdëroja si vëllezërit e mi që përgënjeshtruan aq herë dhe aq shpesh përvetësuesit e heroit tonë.        

Në bisedat, të cilat rrëshqisnin edhe në politikë, u tregoja për mizoritë e ushtrive serbe e malazeze.

-Ata i përdhosën varret tona. Prishën e dëmtuan monumente të vjetra, punonin pa asnjë sistem gërmimesh. Në vend të daltave përdornin qysqitë, thuajse thyenin gurë për xhadenë, - i thashë tetarit Stipe, por më dëgjonte edhe togeri.

Nuk i thashë se ekipi i austriakut këmbëngulës ishte ndryshe. Por, nëpër mendje më sillej sikur edhe ai qëllimin final e kishte të njëjtë. Përpiqesha ta fusja në ndonjërën  nga kategoritë e atyre që  rrëmuan nëpër këto varre.

Togeri aristokrat nuk ishte plaçkitës, nuk mund t’i thuhej as aventurist. Plaçkitësit e varreve kërkonin thesare, arkeologët ushtarakë kërkonin gjëra të rralla, donin të përfitonin nga madhështia e personaliteteve të huaja, duke ia shtuar kurorës së tyre edhe një margaritar, ashtu sikurse mbreti i fuqishëm kërkon gurët më të çmuar për kurorën e vet. Të dyja palët kërkonin me babëzi, njëra natën, tjetra ditën, pa u kujdesur se mos i dëmtonin shtresat e caktuara, të cilat nuk qenë në pikëvështrimin e tyre, ose se mos po ua rrëmbenin thesarin të pushtuarve.

Më dilte parasysh pamja kur ushtarët rreckamanë të Serbisë mbanin në dorë një hartë ushtarake, ndërkaq prifti i tyre seç u tregonte dhe, ata me kazma e qysqi, copëtonin varret si gurët për trase rrugësh. Nuk e fshihnin që  kërkonin varr të veçantë. Nuk e thoshin të kujt.

Arkeologu ushtarak e shtrëngoi buzën me dhëmbë, ndërsa i tregoja mizorinë e dëmtimit të qytetit të vjetër.

Oficeri i ushtarëve rrjepacakë, një vit më parë, tregonin lezhjanët, u thoshte vendësve se ata punojnë sipas ca hartave të arkivave të  Petrogradit. Pse nxitonin askush nuk e merrte vesh. Zbulonin e mbulonin katakombe dhe nxirrnin në sipërfaqe çka do që u dilte para. Banorët betoheshin se morën shumë thesare kur ia mbathën. Ishim po ashtu të sigurt se nuk e gjetën atë që e kërkonin. Pastaj koha nuk u dha mundësi të prishnin varre edhe më. Ikën me kazma e me pushkë mbi supe, duke bartur në shpinë trasta të mëdha si të lypsarëve. Morën me vete vjetërsirat që i nxorën nga katakombet, nga kishat apo plaçkat që ua merrnin vendësve, kur futeshin nëpër shtëpi. 

I mësuar me vdekjen, prapë pikëllohesha kur i rrëfeja për vuajtjet e vendësve. Pastaj kohë të gjatë rrinim pa biseduar. Herë-herë i ktheheshim lashtësisë. 

-Në shkollën tuaj nuk i keni mësuar këto gjëra apo jo?

-Leximi i kronikave të vjetra të mëson shumë gjëra. Më rrëmbente periudha e bëmat e mbretërve ilirë, apo princave të Arbërisë, - i thashë për t’ia plotësuar informacionin, sepse studentët e fakulteteve laike kishin paragjykime për studimet tona fetare. Ishin të sigurt se ne, pos librit të shenjtë, nuk studionim asgjë tjetër. 

Kur i flisja për luftërat e Gjergj Kastriotit, ai nuk bëzante, vetëm më shikonte. Austriaku dinte  për këto beteja. Legjendat lokale e mrekullonin. Jo rrallë më thoshte se i mbante shënim të gjitha ato që i dëgjonte nga unë, apo nga ndonjë plak që ulej dhe i rrëfente me nge, duke e shikuar me dyshim: është yni apo i tyre!

 Togerit i interesonte mesjeta. Mendja ia thoshte se të gjitha fshehtësitë e kësaj periudhe ishin në arkivat e Vjenës a të Vatikanit.  Kryevarri nuk përmendej asnjëherë, as në fjalitë me dy kuptime. Kryevarri qëndronte në mes nesh gjatë gjithë kohës.

Kur binte fjala për qytetin e Kuvendit të Arbrit, ai më thoshte se nuk i ngjasonte qytetit  të kohës së Skënderbeu, ashtu si e kishte imagjinuar. Me të shkelur nëpër kalldrëmet e vjetra, ushtaraku austriak më tha se ndjeu diçka të trishtë, sikur e patën harruar e braktisur këtë vend kohë të gjatë. Përnjëherësh mësyjnë nga të gjitha anët me kazma e lopata për t’ia nxjerrë rropullitë. Diçka e shtrëngoi në gjoks, ndryshe e mendoi e ndryshe i doli.

-Qindra vjet e gërryen nga të gjitha anët, qindra vjet e përdhosën qytetin e princave, ndërsa qyteti befas zgjohet nga përgjumja, banorët lëviznin ngathët, sikur të këndelleshin nga narkoza. E ke hetuar se njerëzit që bredhin rrugëve sikur nuk janë ata të dikurshmit, shtatgjatë e kryelartë, ashtu i imagjinoja gjithnjë, - më fliste, ndërsa në fakt sikur i fliste zëshëm vetes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat