Liberalizimi si politizim dhe iluzion

Opinione

Liberalizimi si politizim dhe iluzion

Nga: Ismet Rashiti Më: 20 korrik 2018 Në ora: 14:24
Ismet Rashiti

Fakti që «përmbushja e kritereve për liberalizim », u publikua pikërisht në momentin kur filluan bisedimet për «prerjen e Kosovës», tregon më së miri se sa shumë është politizuar  liberalizimi i vizave gjatë këtyre viteve dhe sa shumë iluzione të kota janë krijuar tek qytetarët.

Ka vite që politika kosovare, kush më shumë, e kush më pak, ka përdorur liberalizimin e vizave nëpër fushata elektorale si mjet për marrjen e votave. Propagandimi kaq i madh dhe me pompozitet, ka krijuar iluzionin te qytetarët se me liberalizim të vizave do të zgjidhen të gjitha problemet. Në fakt kjo e drejtë e pamohueshme e qytetarëve për lirinë e lëvizjes është penguar nga politika e papërgjegjëshme, e cila nuk ka pasur vullnet t’a luftoj korrupsionin, krimin e organizuar dhe rregullimin e pavarur të sistemit të drejtësisë. Dihet se kriteret për liberalizimin e vizave janë krejtësisht teknike, konkrete dhe të mundëshme. Përjashtim në rastin e Kosovës ka bërë vetëm « kriteri i demarkacionit me Malin e Zi », i cili nuk është kërkuar nga asnjë shtet tjetër. Ky ka qenë një kriter krejtësisht politik, i sajuar më tepër nga politika kosovare për t’a shtyrë këtë proces sa më tepër dhe për ti realizuar disa objektiva politike në dëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Lëvizja e lirë e njerzëve është krejtësisht normale për një shtet normal dhe me qytetarë normal të cilët parasegjithash e respektojnë shtetin e tyre. Me lëvizje të lirë, nuk nënkuptohet zgjidhja e    problemeve si me shkop magjik. Bredhja e kotë e kosovarëve nëpër metropolet evropiane, nuk mund të konsiderohet kurrfar fitore e askujtë. Të paktë janë qytetarët e Kosovës që kanë mundësi ekonomike të shkojnë « turist » në shtetet me standard të lartë.

Në kohën kur shtetet e zhvilluara po shkojnë në Planetin e Marsit, politika kosovare vazhdon ta quan « fitore historike » lëvizjen e lirë që është krejtë nërmale për një vend të pavarur në zemër të Evropës.

Mënyra se si është propaganduar liberalizimi i vizave nga politika, është krejtësisht e gabuar dhe me pasoja të mëdha për të ardhmën e Kosovës. Në fakt, në këtë mënyrë është krijuar një eufori e paparë tek qytetarët. Një pjesë e madhe prej tyre kanë iluzionin se ka ardhur dita e ikjes nga Kosova dhe vendosja në një shtet tjetër evropian, kryesisht në Zvicër, Gjermani apo shtetet Skandinave, aty ku ka zhvillim më të madh ekonomik, ku shpresohet të jetohet më mirë dhe mundësisht pa punë. Përgjatë një dekade, sa është folur e përfolur deri në monotoni për liberalizimin, asnjëherë nuk është shpjeguar drejtë nga politika rëndësia, të mirat dhe pasojat që mund ti ket liberalizimi në mënyrë që qytetarët ta kuptojnë drejtë, pa emocione dhe pa shpresa të mëdha për ndryshimin e jetës së tyre.

Hipokrizia  më e madhe e të gjitha qeverive, s’paku nga shpallja e pavarësisë, ka qenë   kur në njërën anë gjoja bënin përpjekje për përmbushjen e kritereve për liberalizim, e në anën tjetër thellonin korrupsionin e nivelit të lartë, nuk merreshin me luftimin e kriminalitetit dhe përditë e më tepër vetë të « mëdhenjtë », ndërhynin në sistemin e drejtësisë. Në këtë rrafsh qytetarët gjithnjë kanë qenë viktimi e hipokrizive dhe lojrave politike të krerëve institucional.

Fakti që « përmbushja e kritereve për liberalizim », u publikua pikërisht në momentin kur filluan bisedimet për ndarjen e Kosovës, tregon më së miri se sa shumë është politizuar  liberalizimi i vizave gjatë këtyre viteve, duke krijuar iluzine të kota te qytetarët që t’mos e ndjejnë dhmbjen e prerjes së trojeve shqiptare në bisedimet e fundit Kosovë-Serbi.

Nëse liberalizimi bëhet në këtë momente kaotike politike për ndarjen e Kosovës, bashk me iluzionet e qytetarëve, pasojat do të jenë shumë të mëdha sidomos në zbrazjen e Kosovës në mënyrë të pakontrolluar. Kjo do të jet një barrë e rëndë për mërgatën shqiptare, e cila do të "detyrohet të mbajë parazitë dhe mysafirë" të panevojshëm të cilët do të bien viktimë e iluzioneve artificiale të krijuara nga politika amatoreske dhe krejtësisht e papërgjegjëshme.

Gjëja më e keqe që mund të ndodhë është lidhja e liberalizimit me prapaskenat e bisedimeve të fundit të cilat do t’a zgjasin për një kohë të gjatë lëvizjen e lirë dhe Kosovën patjetër do ta fusin në rrugë pa krye.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat