Pas leximit të një analize - Bota Sot
Pas leximit të një analize

Opinione

E diel, 19 gusht 2018

Pas leximit të një analize

Nga: Prof. Dr. Eshref Ymeri Më: 19 korrik 2018 Në ora: 12:50
Prof. Dr. Eshref Ymeri

Në Portalin “Bota Sot” të datës 18 korrik 2018, lexova analizën e prof.dr. Mehdi Hysenit me titull “A janë pjekur kushtet për formimin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit?

Si nxitje për një analizë të tillë, profesor Mehdiut i ka shpërbyer një nismë e ndërmarrë nga Lëvizja Pellazgoilire me disa subjekte politike në Prishtinë, të cilat, me sa kam dijeni, do të mblidhen nesër për zhvillimin e Kuvendit të tyre në Prizren, ku mendohet të formohet Lidhja e Tretë e Prizrenit.

Në analizën e profesor Mehdiut më kanë lënë mbresa të thella rreshtat e mëposhtëm:

“… i druhem polarizimit  dhe  përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve të faktorit politik shqiptar, i cili është verbuar dhe helmatisur nga lufta për pushtet, për pasuri dhe për shtypjen e varfërimin e popullit, duke çuar Kosovën dhe Shqipërinë në një kaos brendashqiptar të pazgjidhshëm, që mund të shpjerë drejt një ricopëtimi të ri të territoreve të  Shqipërisë Etnike”.

Me këtë pohim me përmbajtje tepër domethënëse, profesor Mehdiu ka zbuluar një të vërtetë tragjike për realitetet politike të Shqipërisë Londineze dhe të Kosovës. Sepse përçarja ndërshqiptare e ditëve tona është e përmasave katastrofike. Prandaj duhet pranuar se edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 nuk ishte produkt i bashkimit ndërshqiptar dhe nuk mund të ishte i tillë për shkak të mikrobit të përçarjes së mallkuar që e ka shoqëruar përjetësisht etninë shqiptare, që nga Pellazgoiliria. Pikërisht për shkak të kësaj përçarjeje gjëmëmadhe, Lidhja Shqiptare e Prizrenit si zor se mund të perceptohej si rezultat i unitetit mbarëshqiptar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u frymëzua nga Stambolli, si reagim ndaj Traktatit të Shën Stefanit të 03 marsit të vitit 1878, sipas të cilit Perandorisë Otomane i shkëputeshin 80% e territoreve në gadishullin ilirik. Orientimi i Stambollit ishte që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të kërkohej bashkimi i të katër vilajeteve shqiptare në një shtet autonom. Por krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishin të përçarë:disa ishin për pavarësi, disa ishin për autonomi.

Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Aq më tepër që në Kongresin e Berlinit u imponua pikëpamja e shovinizmit rusomadh që përfaqësohej nga agjenti Hitrovo i  carit rus, i cili nuk pranoi në asnjë mënyrë që vilajetet shqiptare të bashkoheshin në një shtet autonom. Dhe Perëndimi evropian iu bind plotësisht.

Jam plotësisht në një mendje me profesor Mehdiun se ribashkimi i trojeve tona etnike në ditët tona është i pamundur, sepse klasa politike ndërshqiptare nuk është klasë politike nacionaliste. Çështja e ribashkimit të trojeve tona etnike do të bëhet e mundur dhe e realizueshme vetëm atëherë, kur në pushtet të vijë një klasë politike me formim nacionalist, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, e cila, duke folur me një zë, do të dijë të trokasë me autoritet kombëtar në dyert e Vashingtonit, të Brukselit, të Berlinit, të Londrës, të Parisit dhe të Romës për zgjidhjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare. Po a është e mundur dalja në krye të skenës politike shqiptare e një klase politike nacionaliste në Tiranë dhe në Prishtinë? Sipas të gjitha gjasave, një gjë e tillë është e pamundur. Sepse mikrobi i përçarjes ndërshqiptare është gjenetik, është i trashëguar që nga lashtësia pellazgoilire. Kjo është edhe arsyeja që nga radhët e etnisë shqiptare dalin në krye të skenës politike vetëm mercenarë, servilë të të huajve, përherë kurrizshtruar dhe tradhtarë. Prandaj kaosi tragjik ndërshqiptar, siç shkruan me shumë të drejtë profesor Mehdiu, mund të çojë drejt një ricopëtimi të ri të trojeve tona etnike. Vallë a nuk është ricopëtim i ri i Kosovës aneksimi që ju bënë Malit të Zi 8200 ha tokë alpine? Vallë a nuk është ricopëtim i ri i Kosovës aneksimi faktik që i është bërë Serbisë territori i Mitrovicës në veri të lumit Ibër? Vallë a nuk është ricopëtim i ri i Shqipërisë Londineze aneksimi që po i bëhet Greqisë urtë e butë dhe në heshtje të plotë i hapësirave tona detare, vetëm e vetëm që përfaqësuesit politik të Tiranës zyrtare, si mercenarë shembullorë që janë, të zënë ca kolltuqe në parlamentin evropian me lejen e Athinës? Dhe të gjitha këto ricopëtime janë bërë dhe po bëhen me yshtjen dhe me përkrahjen e gjithanshme të Perëndimit evropian, në interes të grekosllavizmit, armikut tradicional të kombit shqiptar.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test