Saranda

Opinione

Saranda

Gazmend Badivuku Nga Gazmend Badivuku Më 18 korrik 2018 Në ora: 11:10
Sarandë, Qershor 2018

Takimi im i parë me Sarandën ishte i bukur, i ngrohtë, drithërues dhe i ndjeshëm. Unë, isha n’prag të 40-ve, ajo n’moshë t’çuditshme, ashtu disi në një moshë t’brishtë dhe romantike. Ajo, sapo ish nda nga një përqafim i fortë, i vrazhdë, i gjatë, i mundimshëm dhe çoroditur. I kishte shpëtuar shtrëngimit, të egër nga dora e një të çmenduri. Ajo, si gjithë bukuroshet ishte me një shpirtë t’trazuar e hutuar, kërkonte diçka t’bukur dhe t’çuditshme, ate që ndjente se ekzistuaka diku në tokë. Ishte n’kërkim t’lirisë dhe qetësisë shpirtërore, diku larg ku deti dhe horizonti preknin njeri tjetrin. 

E unë, nuk ngopesha duke e shikuar, më dukej e ngrohtë, tërheqëse, dhe magjike. Nga ai takim kaluan 18 vjet.

Sot, prap bëja xhiron në kërkim të bukuroshes, e kërkova aty në shesh, te limani, pran’ peshkatarëve që merrnin detin për peshkim, në rrugicat pranë, te floktarja, por kot. 

E kërkova në gërmadhat e bazilikës, të qytetërimit të lashtë, pran’ gurëve të vjetër të sinagogës, vazhdova nën hijën e palmëve deri në port. Kto ishin shtigjet ku shetitja i dashuruar n’Korrikun e 2000-ës. 

Sot, nga maja e Kështjellës së Lëkurësit u mundova t’gjej të humburën, por nuk e pash dot. Sa u zhgënjeva dhe u lodha me pamjen që pash nga pika më e lartë në qytet, sepse nuk shifja më xhaminë qindvjeqare të qytetit të ngritur nga mjeshtrit e njohur Korçar, e të financuar nga motra e Mbretit Zog. Nuk shifja limanin e njohur nga koha e fashistit italian Musolinit, në kujtim të vajzës, Porta Eda, nuk shifej as bazilika romake, as sinagoga, as...

Asgjë nuk dalloja nga lartë, të gjitha ishin fshehë pas pallateve t’ndërtuara në forma asimetrike. 

E kërkoja Sarandën e vogël, të qeshur, dhe t’ndrojtur por ajo mbeti veç një kujtim i bukur.

U jetësu mbishkrimi i gdhendur në një gur me porosinë “Hidhe dhe ti spirancën tënde në këtë qytet”.

Ndodhi, qyteti i 40 Shenjtorëve u shndërru në qytetin e 4000 pallateve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat